Kronike

Pista e re/ Kush e detyroi të vetëvritej nënën e katër fëmijëve në Durrës

Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, dyshohet se i dha fund jetës katër ditë më parë duke pirë fostoksinë.

Ajo jetonte në fshatin Vadardhë të Sukthit me familjen dhe sipas raportimeve të para, ishte në gjendje të rënduar emocionale pas disa llogarive false me fotot e saj që ishin hapur në Tik Tok.

41 vjeçarja është dërguar me urgjencë në spital nga bashkëshorti i saj, i cili ka qenë i vetmi që e ka gjetur pa ndjenja në dhomën e gjumit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të jetojë.

Pavarësisht raportimeve se shkak për vetëvrasjen e Bedrie Lokës mund të jetë bërë bullizimi dhe postimet denigruese në rrjetet sociale, Policia e Durrësit po heton dhe një pistë të re. Dyshimet janë se gruaja dhunohej nga bashkëshorti dhe familja.

Shtetasi Ervis Loka është shoqëruar dhe marrë në pyetje nga hetuesit, por deri paraditen e këtij 6 Janari nuk ka informacion nëse ai është thirrur për të dhënë dëshminë e tij, apo në cilësi të tjera.

Fqinjët janë shprehur për mediat se Bedrie Loka ishte një grua punëtore dhe kishte rritur e vetme katër fëmijët, pasi bashkëshorti e kishte lënë shtatzënë dhe ishte arrestuar e dënuar me 7 vite burg në Greqi. 41 vjeçarja ishte bërë vetë baba dhe nënë për katër fëmijët.

Ndërkohë, koleget në fabrikën e litarëve të anijeve ku viktima punonte, janë shprehur se ajo kishte pasur dhe një konflikt me një punonjëse tjetër dhe fill pas tij në rrjetet sociale u hap një llogari e rreme që shpërndante përmbajtje denigruese.

Bashkëshorti i Bedrie Lokës është shprehur më herët se ata e kishin gjetur privatisht se personi që shpërndante fotot e gruas me shënime denigruese në Tik Tok ishte kushërira e saj e parë, vajza e tezes. Kjo shtetase, aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë.

Policia e Durrësit dhe organi i akuzës janë angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë që ka shokuar opinionin publik në ditët e para të janarit 2024.

Krahas hetimeve për bullizim dhe denigrim në rrjetet sociale, rasti i Bedrie Lokës po hetohet dhe për dhunë në familje.

Vëllezërit e të ndjerës kanë ngritur dyshimet se motra e tyre dhunohej dhe bullizohej dhe nga vetë familja e burrit, pasi ky i fundit ishte kthyer në shtëpi në ditët e fundit të 2023-shit, për festa.

Personat që kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore, janë shprehur se Bedrie Loka është varrosur me shenja e të nxira në trup.

Njoftimi i policise

Durrës

Vihet në pranga bashkëshorti i 41 -vjeçares që humbi jetën 4 ditë më parë, si pasojë e konsumimit të fotoksinës.

Nga hetimet e thelluara rezultoi se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij.

45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja B. L., e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xh. L., 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xh. L., 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shtetasen B. L.

Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, shtetasi Xh. L. e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet prerës (thikë), për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja B. L. nuk ka bërë kallëzim në Polici.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e shtetasit XH. L., i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.

Ky celular, bashkë me celularin e shtetases B. L., janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.

Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen B. L., të konsumonte lëndë helmuese.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.

Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases B. L., në rrjetin social “Tik Tok”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

TRENDING

Exit mobile version