Politike

Plani 28 miliardë Euro i Bashkimit Europian për rajonin në infrastrukturë, energji, digjitalizim.

: Mirëdita!

Sot kemi fokusin tek ekonomia për të sjellë informacion, fakte, shifra, me lutjen që, siç keni bërë edhe herë të tera dhe për këtë ju falënderoj, të mund të bëni kronika të fokusuara tek ekonomia dhe mundësisht, njerëzit të mund të marrin sa më shumë informacion të panakatosur me politikë dhe me thashetheme.

Sot, së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë do të flasim për infrastrukturën kombëtare, me fokus në rrjetet rrugore, por edhe infrastrukturën portuale dhe aeroportuale, ku ka nisur e do të vazhdojë me intensitet një transformim rrënjësor.

Dua të vë theksin tek vizioni që është korniza e gjithë hapave që ne kemi hedhur dhe do të hedhim në të ardhmen e afërt më tutje, për të materializuar një transformim të integruar për të cilin do ta na ndihmojë jashtëzakonisht shumë edhe plani i ri i investimeve të KE, i cili ka tre shtylla;

Infrastrukturën me rrjetet e transportit hekurudhor dhe të rrugëve automobilistike;

Energjia ku Shqipëria ka një pozicion kyç dhe një avantazh të rëndësishëm, në raport me vendet e tjera të rajonit, për të qenë protagonist në këtë pjesë të programit, pasi Shqipëria është vendkalimi i Gazsjellësit TransAdriatik dhe Shqipëria ka një plan të qartë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit, qoftë në Veri me gazsjellësin AdriatikoJonian që shkon në Mal të Zi, Kroaci e pastaj lidhet me rrjetet europiane të gazit, qoftë me degëzimet e tjera, duke filluar nga degëzimi i Kosovës, që për ne është strategjik;

Digjitalizimi, ku bëhet fjalë për një ndërhyrje masive për të fuqizuar ndërlidhjen digjitale në rajon.

Të tre këto shtylla kanë në thelb komponentin e impaktit rajonal, por janë shtylla që do të ngrihen individualisht në çdo vend.

Ne jemi duke përgatitur një thirrje publike për ekspertët shqiptarë jashtë vendit, që do të duan të bëhen pjesë e kësaj përpjekjeje dhe të integrohen në skuadrën tonë të ekselencës që do të ngremë për projektet dhe mundësisht për të mundur të fillojmë thithjen e fondeve nga ky plan i madh. Me të hyrë në fuqi  plani, me aprovimin e buxhetit të BE-së nga Komisioni Europian dhe nga Këshilli Europian dhe për të mundur të shohim zbatimin në periudhën 2012-2023, si procese që përfshijnë këtë mandat dhe këtë plan buxhetor të Komisionit të ri Europian.

Dua të nënvizoj se krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, ne kemi në proces disa kantiere të mëdha të transformimit të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale.

Nuk më ka rënë në sy, mbase e keni bërë, por asnjë deri tani nuk ka shkuar të shikojë kantierin e Kukësit, ku po bëhet një punë e jashtëzakonshme e përditshme, me orë të zgjatura, për Aeroportin e  Kukësit. Tanimë, gjithë aeroporti i ri ka filluar të marrë një formë edhe pse faza përmbyllëse e punimeve dhe mundësisht fillimi i operimeve do të kërkojë disa muaj.

Jemi duke punuar çdo ditë. Për hir të së vërtetës, dita ime nis me telefonata me ministren në mëngjes dhe mbyllet vonë po me ministren, për të çarë shtegun e mbyllur nga pandemia të procesit për Aeroportin e Vlorës. Besoj se në ditët në vijim do të kemi një qartësi për ecurinë e këtij procesi. Procesi i garës është ndërprerë në momentin e  mbylljes së përgjithshme në pranverë. Do të rihapet aty ku është ndërprerë, në një periudhë të shkurtër kohe të mbetur. Ajo çka ne duam të garantojmë është që do të ketë prezencë të kompanive të interesuara, të cilat në panoramën globale të krizës janë pjesa më e goditur. Flas për kompanitë që merren me aeroporte dhe transportin ajror.

Me të mbyllur procesin e Vlorës, sapo gara të mbyllet, ne jemi gati të lançojmë procesin për Aeroportin e  Sarandës, për të cilin është bërë  e gjithë përgatitja, por strategjia jonë ka qënë dhe mbetet të bëhen hap pas hapi dhe jo përnjëherë. Aeroporti i Sarandës është një aeroport më i vogël, natyrisht, me një impakt strategjik për turizmin. Ne kemi shumë besim se, në rast se Vlora do të jetë një sukses në aspektin e pjesëmarrjes dhe në mundësisht të përfshirjes së një entiteti prestigjioz ndërkombëtar, atëherë edhe Saranda nuk ka arsye pse të mos jetë një sukses. Por Vlora është strategjike në funksion edhe të Sarandës.

Besoj që me këto katër aeroporte, Tiranën, Kukësin, Vlorën dhe Sarandën, ne hyjmë në një epokë të re, qoftë në aspektin e infrastrukturës aeroportuale, qoftë në një kanal të ri shumë të rëndësishëm ekonomik që hapim, me impakt jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.

Sa i takon infrastrukturës portuale, së shpejti do të fillojmë transformimin e madh të Durrësit. Plani ynë është të spostojmë portin ekzistues, i cili e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij si një port komercial mallrash në mes të qytetit, një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh, me standarde mjedisore shumë të ulëta, për të mos thënë zero dhe pengon mënyrë gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi në një epokë tjetër për Durrësin turistik. Por ndërkohë është një infrastrukturë që ka një potencial të jashtëzakonshëm përsa i përket turizmit dhe ne jemi në diskutime të vazhdueshme me partnerë ndërkombëtarë. Flas për shtete, nuk flas për kompani dhe shpresojmë që më herët se vonë do të arrijmë të kemi një marrëveshje shtetërore për të sjellë aty një investim, që do të jetë investimi më i madh privat në Shqipëri historikisht, natyrisht, në një formulë bashkëpunimi me shtetin.

Për këtë arsye, ne do të fillojmë në javët në vijim procesin për spostimin, duke hedhur në një garë ndërkombëtare Portin e  ri të Durrësit, i cili do të zhvillohet në anën tjetër, aty ku është edhe plani i zonës së lirë ekonomike për të cilën jemi shumë optimistë që do të funksionojë më së fundi dhe kemi shumë kërkesa.

Po kështu do të bëjmë dhe me Vlorën. Porti ekzistues është infrastrukturë arkeologjike në aspektin e standardeve, në aspektin e shërbimeve, në aspektin e impaktit negativ që ka në zonën e bregdetit, që prek drejtpërdrejtë qytetin. Vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare me Lungomaren, me fazën e tretë, përfshin edhe një port turistik, që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën, sikundër me Durrësin.

E ndërkohë, edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve në anën tjetër.

Në pak javë do të fillojmë të japim gjithë autorizimet për fillimin e portit të tretë turistik, që do të jetë i pari që do të fillojë faktikisht, në Sarandë, gjë për të cilën kemi marrë një propozim që është fantastik dhe që ndryshon aty gjithë paradigmën e zhvillimit të Sarandës.

Shqipëria do të hyjë shpejt në një hartë ku ka munguar me dekada, që është harta e turizmit të detit, në aspektin e  ekonomisë së detit, jo në aspektin e  zhytjeve dhe daljeve nga uji të personave.

Ndërsa, siç edhe e thashë, ne besojmë që Aeroporti i Kukësit do të jetë operacional në pranverë. Unë nuk e kam harruar objektivin që 120 vota për PD-në, t’i sjell me avion nga Londra. Do të përzgjidhen mes atyre që kanë sharë dhe kanë përqeshur më shumë idenë e Aeroportit të Kukësit. Nëse më ndjekin, i ftoj që të fillojnë të akumulojnë kredite për udhëtimin falas, duke sharë e duke u tallur sa më intensivisht. Kush do shajë dhe do tallë sa më shumë, do hypë në avion dhe do zbresë në Kukës për të votuar Partinë Demokratike. 120 vota me fluturim falas. Ky është objektiv. Shpresoj ta realizojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version