Kronike

Po kalonte kufirin në Greqi, arrestohet Klodian Keqi

Klodian Keqi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit nga Policia teksa tentonte që të kalonte kufirin për në Greqi. Ai është vendosur në pranga pasiu dyshohet se është personi që qëlloi me breshëri kallashnikovi dhe i mori jetën bashkëfshatarit të tij 55-vjeçarit, Luan Hushi.

Në momentet e arrestimit, Keqit nuk i është gjetur armë, ndërkohë vijon puna për kërkimin e kallashnikovit që kreu vrasjen e bashkëfshatarit të tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 10 gushtit, në fshatin Zgërdhesh të Krujës, në një zonë të pyllëzuar. E dyshohet se shkak për nisjen e konfliktit ishin disa degë me ullinj, por ka dhe një version tjetër që pretendon se ka ndodhur për prerjen e druve në pyll. Në konflikt e sipër, Keqi qëlloi ndaj 55-vjeçarit, duke i lënë disa plumba në bark. Ndaj edhe pse u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, Hushi nuk ia doli që t’u mbijetonte plagëve të marra. Por me prangosjen e të dyshuarit kryesor, pritet të mësohet shkaku i vërtetë i vrasjes.

Por kjo nuk është hera e parë që Klodian Keqi përfundon në burg. 12 vite më parë, ai u përfshi në një përplasje të armatosur mes dy fisesh në Fushë Krujë. Ai dhe vëllai i tij, Jetmiri, u përplasën me fisin Daci. Konflikti mes tyre përfundoi me një ‘luftë të vërtetë’. Mësohet se shkak i përplasjes u bë një konflikt pronësie. Jetmir Keqi dhe Mustafa Daci përfunduan të plagosur. Klodian Keqi u arrestua pak më vonë.

TRENDING

Exit mobile version