Aktualitet

Porosia e Ramës për Sejkon dhe Kanushin

TIRANË– Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e djeshme një takim me dyer të mbyllura me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon, dhe drejtorin e komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Oljan Kanushi. Një ditë pas përfundimit të këtij takimi, mësohet se fokusi i bisedës ishte sulmi kibernetik i hakerave në sistemin e bankave përgjatë ditëve të fundit.

Biseda kokë më kokë mes Edi Ramës, Gent Sejkos dhe Oljan Kanushit, vjen në një moment kur një bankë e nivelit të dytë u bë pre e një sulmi kibernetik.

Në të njëjtën kohë kur Rama ishte në një takim me Sejkon dhe Kanushin, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ishte përballë gazetarëve duke bërë të ditur vendimet që u morën pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Ai deklaroi se asnjë institucion, si ai publik dhe privat, nuk është i paprekshëm nga sulmet kibernetike. Si anëtar i Komitetit për Mbrojtjen Kibernetike deklaroi se garanci 100 për qind nuk mund të ketë, përfshirë edhe sistemin bankar.

“Mund të konfirmojë, mund ta them atë që dihet botërisht që nuk ka siguri 100 për qind, askush. Asnjë institucion, qoftë ky publik apo privat. Garanci edhe mure 100 për qind të sigurta nuk ka. Por mund t’ju them, siç thotë populli, e keqja nuk vjen vetëm për keq, vjen edhe për mirë. Ne e kemi ngritur shumë edhe vigjilencën, por edhe investimin e fokusimin në mbrojtjen kibernetike”, theksoi Peleshi.

Shërbimet digjitale shtetërore u goditën dy herë gjatë këtij viti. Sulmi më i madh ishte ai i 15 korrikut. E-Albania u rrëzua dhe u paralizuan për ditë me radhë 1200 shërbimet online për qytetarët. Pak ditë pasi qeveria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, shtetin që e akuzon si sponsorizues të sulmit kibernetik, u godit sistemi TIMS.

TRENDING

Exit mobile version