17/06/2021 , 3:12

Prag Uellsi/ Cikalleshi-Bare: Ndeshje me rëndësi të lartë, testojmë veten se në çfarë niveli jemi

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillojë më 5 qershor ndaj Uellsit në transfertë dhe tre ditë më vonë ndaj Republikës Çeke, po në transfertë.

Ekipi ka udhëtuar ditën e martë drejt Kardifit, me grupin që ka zhvilluar të martën pasdite një seancë të lehtë stërvitore.
Në prag të ndeshjes me Uellsin, në një konferencë zyrtare për mediat kanë dalë ditën e sotme dy futbollistët e Kombëtares, Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare, të cilët kanë folur për dy ndeshjet që Shqipëria do të zhvillojë ndaj këtyre kundërshtarëve.

Bomberi shqiptar, Sokol Cikalleshi, i cili ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në Turqi me ekipin e Koniaspor, ka folur për këto dy sfida, duke i konsideruar jo shumë të lehta. Cikalleshi thekson se përgatitjet për këto dy ndeshje janë marrë shumë seriozisht nga ekipi dhe përqëndrimi është maksimal, duke u shprehur se kanë pak a shumë të njëjtin nivel si skuadrat kundërshtare me të cilat Kombëtarja do të luajë në shtator. Ai flet gjithashtu edhe për të ardhmen e tij.

Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke – Ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë besoj, prej pandemisë dhe ndeshjeve të ngjeshura. Por ka kaluar tashmë dhe jemi fokusuar te dy ndeshjet e Kombëtares. Janë miqësore, por sigurisht që nuk i konsiderojmë të tilla pasi janë dy ndeshje që na bëjnë të provojmë veten se ku jemi përpara provës së zjarrit që kemi në shtator. Janë dy ekipe që kanë shkuar në Europian dhe besoj se janë të të njëjtit nivel si kundërshtarët tanë dhe ne jemi gati të bëjmë më të mirën tonë dhe të provojmë veten. Po ashtu edhe trajneri të provojë taktikat e tij për të marrë më të mirat e tij në këto dy ndeshje.

Ndeshje pa presion? – Besoj se nuk e kemi luksin ne si Kombëtare që të shohim ndeshje të mirëfillta si miqësore. Ndodhemi në një moment delikat, vijmë pas Ligës së Kombeve ku patëm sukses, duke u renditur të parët. Tani jemi në një kompeticion akoma më të fortë dhe me kundërshtarë akoma më të fortë dhe jemi në një moment deciziv për të parë se ku jemi. Nuk do t’i konsideroja miqësore dhe do të kemi të njëjtin përqëndrim si në ndeshjet e shtatorit.

Skemat e përdorura në fushë – Skemat i përkasin trajnerit dhe ai e di më së miri dhe besoj se do të zgjedhë më të mirën e mundshme për kontigjentin që ka. Dihet skema jonë, që është 3-5-2 që e kemi bërë pothuajse në të gjitha ndeshjet, përveç se në ndeshjen me Anglinë, kështu që skema nuk besoj se do ketë ndonjë ndryshim të madh, por ajo çka është më e rëndësishme është që me atë skemë që do të zgjedhë trajneri, ne lojtarët të fokusohemi dhe të përqëndrohemi për të bërë performancën më të mirë.

Miqësoret, moment për të përforcuar pozitat në Kombëtare? – Çdo ndeshje është e rëndësishme, pavarësisht kundërshtarit dhe pavarësisht gjendjes ku jemi dhe rëndësisë së ndeshjes, jo vetëm për mua por për çdo lojtar që është në këtë kontigjent. Ne jemi të gatshëm gjithmonë, edhe kur luajmë edhe kur nuk luajmë. Të jesh pjesë e Kombëtares, nuk do të thotë të jemi të lumtur vetëm kur luajmë, kështu që unë do jem shumë i gatshëm të bëj më të mirën time. Patjetër që të shënoj, ta ndihmoj ekipin. Unë për këtë jam këtu, por është trajneri që i vendos të gjitha dhe unë do ta ndihmoj si brenda fushe ashtu edhe jashtë fushe.

Ndeshja ndaj Uellsit – Uellsi është një ekip që ka shkuar në Europian, një ekip fizikisht shumë i mirë. Është ekip për t’u vlerësuar dhe besoj në të njëjtin nivel me kundërshtarët tanë të shtatorit. Do të jetë ndeshje e vështirë, besoj që për momentin ndodhet pak më lart se ne dhe duhet të jemi koshientë për këtë gjë. Duhet të jemi të përqëndruar dhe të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë edhe pse janë miqësore.

E ardhmja – Kam edhe një vit në kontratë me Koniaspor, kam mbyllur një sezon të mirë. Do ta respektoj kontratën deri në fund. Patjetër që në momentin që do të ketë ndonjë ofertë më interesante, unë do ta shqyrtoj me detaje. Deri tani është herët për të folur për transfertat. Të bëjmë më të mirën këtu në Kombëtare, pastaj kemi disa pushime. Në momentin që vijnë gjëra më të mira, unë do t’i shqyrtoj patjetër.
Keidi Bare, mesfushori i talentuar shqiptar që aktivizohet në radhët e Espanjolit, që këtë sezon u ngjit në La Liga në Spanjë u shpreh se ekipi do të japë maksimumin në këto dy ndeshje shumë të rëndësishme, që do t’i shërbejnë për të testuar veten dhe për të trefuar vlerat përpara ndeshjeve të shtatorit. Bare tregoi edhe të ardhmen e tij me klubin e Espanjol si edhe ëndrrën që ka me Kombëtaren shqiptare.

Miqësoret e qershorit – Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne pasi në shtator kemi dy ndeshje edhe më të rëndësishme dhe do të provojmë veten tonë në këto dy sfida. Sa i përket mesfushës, them se jemi lojtarë shumë të rinj të gjithë, pavarësisht se në këto dy ndeshje kemi mungesa në mesfushë por jam 100% i bindur që si unë dhe lojtarët e tjerë do japin maksimumin në fushë, ashtu si në stërvitje. Besoj se në këto dy ndeshje do tregojmë vlerat tona dhe shpresoj që në fushë të jemi të gjithë të një niveli shumë të lartë, pasi siç e thashë, janë ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duhet të përgatitemi për ndeshjet e shtatorit.

Rezultat apo konsolidim i grupit? – Rezultati është shumë i rëndësishëm për skuadrën pasi të ngre moralin, por dua të them që edhe duhet të formojmë grupin, duhet të bëjmë ndeshje të mira, pasi në shtator na presin ndeshje shumë të vështira. Besoj se duhet të provohemi dhe t’ia arrijmë qëllimit, që të dalim me sukses.

Skuadra – Se çfarë duhet përmirësuar në skuadër e di trajneri, por dua të them se të gjithë lojtarët japin maksimumin në fushë, si edhe në stërvitje dhe në ndeshje, pavarësisht se ka edhe ndeshje që jo vetëm ne por çdo lojtar në botë nuk është në nivelin e duhur, por ne do japim maksimumin që të bëjmë ndeshje sa më të mira.

Kombëtarja dhe Espanjoli – Do doja shumë të kisha shumë vite këtu në Kombëtare, por edhe në Espanjol. Duhet të punoj fort dhe të jem i fokusuar e t’i bëj gjërat mirë dhe pastaj të shohim se ç’do të ndodhë. Jam shumë më i pjekur pasi shumë lojtarë edhe në Kombëtare edhe tek Espanjol më kanë ndihmuar shumë dhe e vlerësoj shumë këtë gjë.

E ardhmja – Unë kam edhe 4 vite kontratë me Espanjol dhe jam shumë i lumtur sepse më kanë mbështetur dhe më duan shumë por tani jam në La Liga që e kam ëndërruar prej shumë kohësh. Shumë lojtarë e ëndërrojnë dhe unë tashmë jam pjesë e saj.

Kualifikim me Kombëtaren – Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Kombëtarja shqiptare para disa vitesh arriti kualifikimin në Europian dhe pse mos të arrijmë edhe një kualifikim në Botëror, do ishte ëndërr për të gjithë shqiptarët, për futbollistët, për vendin tonë. Ne do japim maksimumin për të arritur këtë qëllim.

Goleador i Kombëtares? – Sot, ata që shënojnë gola janë lojtarët më të rëndëishëm të ekipit. Por kjo nuk do të thotë gjë, pasi jemi 11 veta që luajmë në fushë dhe unë jam i kënaqur që ekipi të fitojë, pavarësisht se kush i shënon golat. Por do të isha i lumtur që pse jo, dhe të vazhdoj dhe të shënoj gola pavarësht se tek ekipi im nuk luaj në të njëjtin rol si luaj në Kombëtare pasi këtu në Kombëtare jam pak më i avancuar dhe jam më shpesh përpara portës.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin