Kronike

Prangoset në sallë dëshmitari në gjyqin kundër Arbër Paplekajt

Donald Zane, një nga personat që ka dëshmuar në gjyq për vrasjen e Pjerin Xhuvanit është vënë në pranga. Gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews se Zane është arrestuar në sallën e gjyqit pasi dyshohet se ka dhënë dëshmi të rremë. Donald Zane është shok i ngushtë i Mehmet Grecës dhe ndodhej në të njëjtën makinë me të, kur Greca u ndalua nga Struktura e Mbrojtjes së Votë, grup i ngritur nga Partia Demokratike, ku bënte pjesë dhe i pandehuri Arbër Paplekaj.

Më herët është arrestuar dhe një tjetër dëshmitar. Bëhet fjalë për Miles Kurtin, i cili akuzohet se ka dhënë deklarata kontradiktore me synim pengimin e hetimeve nga gjykata, ndaj është vendosur dhe masa e arrestit për të.

Si ndodhi vrasja?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.

TRENDING

Exit mobile version