Aktualitet

Prezenca e OSBE-së organizon një kurs trajnimi rreth analizës së krimit për Policinë e Shtetit.

Në datat 20-23 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi në Tiranë një kurs trajnimi për Policinë e Shtetit Shqiptar mbi konceptet dhe teknikat e analizës së krimit.

Tetëmbëdhjetë analistë të nivelit të lartë dhe të ulët nga një numër Drejtorish Rajonale të Policisë, të ngarkuar me zhvillimin e programeve të analizës së krimit, u trajnuan nga një ekspert ndërkombëtar me shumë përvojë në këtë fushë.

Analiza e krimit është një proces sistematik, i cili synon të sigurojë informacion të shpejtë në lidhje me trendet dhe modelet e krimit. Agjencitë ligjzbatuese e përdorin informacionin e nxjerrë nga këto analiza për zbardhjen e krimeve, ndalimin në kohë të shkelësve të ligjit, por edhe për planifikimin e resurseve policore.

Analiza e kryer nga eksperti i Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (FRONTEX) brenda Departamentit të Policisë Kufitare dhe Migracionit të Policisë së Shtetit nxori në pah nevojën për përpjekje të mëtejshme me synim përmirësimin cilësor të punës analitike të Policisë së Shtetit. Për pasojë, Ministria e Brendshme i paraqiti Prezencës një kërkesë për mbështetje në fushën e analizës së krimit.

Trajnimi do të sjellë aftësimin e analistëve pjesëmarrës për identifikimin e trendeve të mundshme, marrëdhënieve ose lidhjeve midis krimeve të ndryshme në vende të ndryshme, si dhe për përdorimin e analizës së krimit në mbështetje të veprimtarive ligjzbatuese duke studiuar të dhënat rreth krimit. Për pasojë, analistët e trajnuar do të jenë të aftë që të gjenerojnë një shumëllojshmëri produktesh analitike, siç janë raportet analitike, vlerësimet e kërcënimeve për rajone të caktuara ose rreth krimeve specifike, vlerësime të rrezikut për një ngjarje të veçantë, buletine ose raporte mujore.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e përkushtuar që ta mbështesë më tej Policinë e Shtetit në rritjen eprofesionalizmit në këtë fushë. Vitin e ardhshëm, Prezenca planifikon të zhvillojë një program tjetër të avancuar trajnimi për drejtuesit dhe trajnuesit e Policisë së Shtetit në fushën e analizës së krimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version