Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u fol në lidhje me mashtrimet që bëjnë njerëzit për të të marrë para. Teksa u risoll në vëmendje ngjarja e Vullnet Memës, i cili u mashtrua nga Mirela Laçi që i mori 19 mijë euro, në studio u bë edhe profili i “mashtruesit”.
E ftuar ishte psikologia, Arjana Muça, e cila u shpreh se ka gënjeshtarë patologjik dhe të zakonshëm.
“Kemi edhe gënjeshtarë patologjik dhe të zakonshëm. Por a jemi ne në gjendje ta dallojmë a po na mashtrojnë. Nëse do të ishte një fëmijë, mund ta dallojmë nga mënyra se si flet, lënë një detaj që të kuptohen. Ndërsa në rastin e mashtruesve, atyre ju mungon vetëdija morale. Nuk shqetësohen aspak për atë që i bëjnë personit përballë. Nuk ndihen në faj për mashtrimin e bërë, ju mungon ndjeshmëria. Nëse ne do të gënjenim do të ndiheshim në faj. Ata nuk e kanë këtë ndjenjë”, tha psikologia.
E pyetur se çfarë duhet që të kemi parasysh që ta kuptojmë se dikush po na mashtron, Muça tha: “Do të shikoja mënyrën se si flet, artikulon, të gjithë gjërat që ata tregojnë. E ngarkojnë emocionalisht atë që tregojnë. Kanë një vetëbesim të lartë në gjërat që thonë. Janë të përqendruar dhe mbajnë një kontakt të thellë me sy me personin që kanë përballë. Ata e studiojnë mirë viktimën e tyre”.
gsh/