Ekonomi

Projektbuxheti/ Politika lehtësuese fiskale dhe me skema më efektive për nxitjen e punësimit

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Në projektbuxhetin për vitin 2021 shpenzimet për pagesën e papunësisë pritet të shkojnë në nivelin 800 milionë lekë.

Shqipëria arriti të ulte shkallën e papunësisë në 11.4% në fund të tremujorit të parë të vitit, që shënoi edhe nivelin rekord të dy dekadave. Por, për shkak të pandemisë së COVID-19, papunësia shënoi rritje dhe pritet të që në fund të këtij viti të arrijë 13.9%.

Referuar relacionit të publikuar nga ministria e Financave, niveli i lartë i rritjes ekonomike i parashikuar për 2021 në 5.5% do të përkthehet në më shumë punësim dhe njëkohësisht në ri-marrjen e punësimit dhe rënie të nivelit të papunësisë në 12.2% në 2021, krahasuar me 13.9% që pritet në fund të vitit 2020.

“Projektbuxheti 2021 do të vijojë të mbështesë nxitjen e krijimit të vendeve të reja të punës me politika incentivuese fiskale si dhe me skema më efektive të punësimit dhe aftësimit professional”, bën të ditur ministria e Financave.

Më herët gjatë këtij viti, qeveria shqiptare miratoi edhe 3 skema të nxitje së punësimit në fokus të të cilave ishin individët të cilët e humbën vendin e punës për shkak të masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Skemat ofrojnë mbështetje financiare për bizneset të cilat do të rikthejnë në punë punonjësit e larguar, si financimin e pagës minimale për gjysmën e periudhës së punësimit si dhe pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version