Connect with us

Shkrime

Projekti europian i luftës

Published

on

Nga Mark Leonard “Project Syndicate

Për 7 dekada me radhë, integrimi evropian është nxitur nga kërkimi i paqes. Por që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, Evropa e ka gjetur veten të bashkuar në kundërpërgjigje të luftës. Projekti i paqes i ka lënë vendin një projekti lufte, dhe ky ndryshim thelbësor po i detyron qeveritë evropiane të rishqyrtojnë disa nga parimet e tyre më të vjetra.

Tabutë janë thyer, dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dërguan armë të rënda në Ukrainë. “Struktura e paqes” e BE-së, premtoi 2 miliardë euro për ta armatosur atë vend të rrethuar nga rusët. Për më tepër, BE-ja e ka shndërruar ekonominë e saj në një armë për t’u përdorur kundër Rusisë, dhe tani po planifikon një ekonomi lufte, ku siguria do të ketë përparësi mbi efikasitetin.

Një ndryshim i dytë i madh, është se evropianët duhet ta ri-mendojnë çështjen e ndërvarësisë. Integrimi evropian, pasqyronte më parë besimin se lidhjet ekonomike midis vendeve, do të krijonin themelet për pajtimin politik.

Kjo ishte ideja e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (pararendës i BE-së), që i ktheu në miq armiqtë e dikurshëm, duke bashkuar industritë kombëtare që kishin prodhuar municionet për Luftën e Dytë Botërore. Shpresohej që edhe nëse lidhjet ekonomike midis vendeve nuk do ta bënin të pamundur luftën, të paktën do të parandalonin një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve.

Por pushtimi i Rusisë e bëri qesharake këtë ide, duke dëshmuar se ndërvarësia mund t’i japë mundësi njërës palë që ta shantazhojë palën tjetër. Kjo u kuptua akoma më shumë pas shqetësimeve mbi “diplomacinë e maskave” dhe “nacionalizmin e vaksinave” gjatë pandemisë së Covid-19, kur shumë vende e gjetën veten të varur plotësisht nga të tjerët

për furnizime me pajisjet më të domosdoshme për atë krizë shëndetësore. Nga kjo del se shkëputja e Evropës nga energjia ruse, do të shoqërohet gjithashtu me përpjekje për ta bërë Evropën më pak të varur nga Kina.

Një çështje e tretë ka të bëjë me konceptin e sovranitetit. Gjatë dekadave të fundit, evropianët ishin të fokusuar kryesisht në zbutjen e këtij impulsi, në emër të bashkëpunimit mbi-kombëtar. Por përballë një fuqie agresive revizioniste, ata po e pranojnë tani se sovraniteti duhet të mbrohet përpara se të mund të bashkohet.

Nga ana e saj, Rusia e ka shtrembëruar retorikën post-sovraniste të përdorur nga evropianët gjatë luftërave ballkanike, për të justifikuar pushtimin e saj të Ukrainës, të cilën ajo e përshkruan me cinizëm si një mision për të mbrojtur rusisht-folësit nga gjenocidi.

Gjatë viteve 1990, evropianët e çuan përpara idenë “post-moderne”, se nëse do të ndodhnin abuzime të mëdha me të drejtat universale të njeriut (të njohura nga Kombet e Bashkuara) brenda një vendi sovran, komuniteti ndërkombëtar kishte për detyrë të ndërhynte për të mbrojtur viktimat e shkaktuara nga qeveria e tyre.

Varianti rus i ”përgjegjësisë për të mbrojtur” nuk është post-modern, por para-modern. Kremlini beson se mund të vendosë në mënyrë të njëanshme për të ndërhyrë në vende të tjera, me synim mbrojtjen e anëtarëve të një qytetërimi rus të përkufizuar në mënyrë abuzive nga Moska.

Arabia Saudite ka përdorur një doktrinë të ngjashme, për të justifikuar ndërhyrjen e saj ushtarake për të mbrojtur sunitët në Jemen, siç ka bërë Irani në lidhje me shiitët në Siri. Ndërkohë, shumë analistë shqetësohen se Kina do të përdorë arsyetime të ngjashme për të nisur pushtimin e Tajvanit.

Brezat e mëparshëm të udhëheqësve perëndimorë, e kishin gabim kur supozonin se vetëm vendet e tyre do të ishin mjaftueshëm të fortë për të shkelur sovranitetin e të tjerëve.

Një çështje e katërt është universalizmi i supozuar i projektit evropian. Në fillim të viteve 2000, unë shkrova një libër me titull “Pse Evropa do të udhëheqë botën në shekullin XXI”. Asokohe besoja se modeli i bashkëpunimit ndërkombëtar i BE-së, do të përhapej gradualisht në të gjitha anët e botës.

Por dështimi i procesit të zgjerimit të BE-së me Turqinë, dhe ngritja e një Rusie revanshiste, kanë treguar se modeli i BE-së nuk ka gjasa që të përfshijë të gjithë Evropën, pa folur pastaj për gjithë planetin. Në diskutimet me liderët nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme, më ka bërë shumë përshtypje fakti, se sa pak prej tyre ndajnë të njëjtin zemërim të fortë moral, që e karakterizon përgjigjen e Perëndimit ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Ata e shohin konfliktin si një konflikt rajonal evropian, dhe jo si një luftë botërore për të cilën duhet të shqetësohen. Eurocentrizmi jo vetëm që i ka shtyrë evropianët të keq-interpretojnë liderë si presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan; por ai po pengon që modeli evropian të jetë tërheq për pjesën tjetër të botës.

Për ta korrigjuar këtë kurs, udhëheqësit evropianë duhet ta pranojnë se përvoja e BE-së është një produkt i jashtëzakonshëm i një historie dhe gjeografie të veçantë, dhe ata duhet të tregojnë një kuriozitet të mjaftueshëm për ta kuptuar botën me sytë e të tjerëve. Paradoksalisht, decentralizimi i Evropës mund të jetë hapi i parë i domosdoshëm për të ushtruar pushtetin evropian në një botë shumë-polare.

Parimi i pestë që duhet ri-menduar është ideja e rendit politik. Ndërsa disa liderë evropianë i përmbahen një kuadri sigurie, që pasqyron parimet e kohës së pas Luftës së Ftohtë, e vërteta e vështirë është se rendi unik i Evropës – i bazuar mbi një sërë institucionesh dhe traktatesh – është shkatërruar tashmë.

Siguria evropiane do t’i ngjajë në të ardhmen shumë më tepër me atë të rajoneve të tjera, si për shembull Azisë. Bilanci i fuqisë së butë dhe asaj ushtarake, do të jetë po aq i rëndësishëm sa çdo traktat midis evropianëve dhe rusëve. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në rajon.

Por pjesa më e madhe e veprimit të saj do të burojë nga një rrjet marrëveshjesh dypalëshe dhe të kufizuara mbi sigurinë. Edhe nëse do të përfundojnë luftimet në Ukrainë, ato nuk do t’i lënë vendin paqes. Rreziku i sulmeve kibernetike, ndërprerjeve të energjisë, ndërhyrjet në zgjedhje dhe “burrat e vegjël me të gjelbra” të Rusisë, do të jenë tipare të përhershme të epokës së re të paqes në Evropë.

Lufta e Ukrainës do ta ndryshojë qasjen dhe vizionin e Evropës. Kjo s’do të thotë se evropianët duhet ta braktisin idealizmin dhe kreativitetin që nxiti projektin më të suksesshëm të paqes në historinë e njerëzimit. Por ata duhet ta pranojnë se modeli i tyre, nuk do të jetë kurrë universal, dhe se do ta gjejnë gjithnjë e më shumë veten duke reaguar ndaj vendimeve të marra nga të tjerët.

Për më tepër paqja në shtëpi, mund të varet nga gatishmëria e tyre për të përballuar luftërat diku tjetër. Nga tani e tutje, integrimi evropian do të udhëhiqet nga nevoja për të fituar në një botë të rrezikshme, dhe jo nga dëshira për të shmangur konfliktin.

Shënim:Mark Leonard, drejtor i think-tankut “European Council on Foreign Relations”, dhe autori i librit “Epoka e paqes:Si shkakton konflikte ndërvarësia midis shteteve”.

Shkrime

Unë dua të di përse ndodhin këto krime në Shqipëri

Published

on

By

Meri Lika

Në fakt unë nuk dua të di a ndodhin në botë këto krime, unë nuk dua të di a ndodhin në Amerikë, unë po ashtu nuk dua të di a bëhen filma për to, unë dua të di përse ndodhin këtu.

Unë jam nënë dhe në shpirtin tim ka tre ditë që më godet pa pushim një ndjenjë frike, pasigurie, paaftësie, pamundësie dhe një dhimbje e madhe e cila më ka pushtuar nga momenti që mora vesh lajmin për vrasjen e vogëlushes në bregun e detit. Unë jam nga Vlora, jam rritur pranë detit, atëherë kur nuk kishte jahte, skafe e gomone dhe kam notuar në thellësitë e tij pa frikë, e mbushur me dëshirën për të përfshirë në krahët e mi, që përplaseshin, një hapësirë të pafund por dhe me dëshirën që njëjtë të më përfshinte edhe ajo hapësirë mua.

Sa herë jam zhytur në të, fëmijë por edhe tani, kurrë nuk kam menduar se Deti është një anarshi pa rregulla, pa ligje, pa vija të bardha, pa polic që të gjobit. Asnjëherë nuk e kam menduar detin si një hapësirë të çoroditur njëjtë si shoqërinë që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë ne jetëshkurtërit dykëmbesh.

Deti nuk ka nevojë për qeveri, as për polic, as për sinjalistikë, as për inçeneratorë, madje as për matrapazë e sahanlëpirës që shesin veten dhe prindërimin për disa kacidhe të përlyera. Deti nuk ka nevojë për asnjë nga rregullat tona, sepse Zoti e krijoi botën, ku bën pjesë edhe deti, në një balancë perfekte.

Deti është aty që t’i japë femijës kënaqësinë e pllaquritjes në breg, ai me shumë dashuri të jepë mundësinë për të përvetësuar një aftësi të re, notin,  dhe me të të mundesh ta zotërosh.

Por, vogëlushen nuk e lanë të hynte në përhumbjen e magjishme të përfitimit të kësaj aftësie, që vetëm deti di të ta japë.

Atë e vrau një polic! Njëjtë si vrau Klodian Rashën. E vrau një punonjës i shtetit i cili paguhet që të të mbroj, paguhet që jeta jonë dhe e fëmijëve tanë të jetë e sigurt, e qetë, o Zot doja të thoja edhe e lumtur por nuk mund sepse lumturia është shumë larg prej asaj që ne përjetojmë çdo ditë.

Ndodhin edhe në botë krime të tilla? Ndodhin edhe në Amerikë?

O po e vërtetë që mund të ndodhin por këto gjallesat e matrapazuara që na tregojnë botën, nuk na thanë se çfarë ndodh në botë pasi ndodhin këto lloj krimesh!

Në fakt unë nuk dua të di a ndodhin në botë këto krime, unë nuk dua të di a ndodhin në Amerikë, unë po ashtu nuk dua të di a bëhen filma për to, unë dua të di përse ndodhin këtu.

Unë dua të di përse nuk më sigurohet jeta?
Unë dua të di përse nuk kam shëndetësi falas?
Unë dua të di përse më vidhen taksat?
Uën dua të di përse më vidhet puna?
Unë dua të di përse më vidhet e ardhmja e fëmijës?
Unë dua të di përse më vidhet idenditeti?
Unë dua të di përse më vidhet shteti?
Uën dua të di përse më vidhet kombi?
Unë dua të di përse më vidhet e drejta?
Unë dua të di përse më vidhet xhepi?
Unë dua të di përse më vidhet dinjiteti?
Unë dua të di përse më shitet politikani?
Uën dua të di përse më drejton i paafti?
Unë dua të di përse më komandon i huaji?
Unë dua të di përse më vështirësohet jeta?
Unë dua të di përse më vidhet vota?
Unë dua të di përse më mohohet e vërteta?

Unë dua t’i di të gjitha këto.

Continue Reading

Shkrime

Ne jemi me policinë. Po policia me kë është?

Published

on

By

Si ndodhi që figura e policit është zhvendosur nga rubrika e satirës dhe humorit te kronika e zezë?!Nuk po i referohem vetëm rasteve të fundit të Himarës apo Laprakës ku policët janë kthyer në vrasës, nuk po i referohem as vendeve të tjera dhe as filmave ku ndodh që polici është në anën tjetër të ligjit! Pyetja është: sa ka depërtuar krimi i organizuar në polici? Cili është ndikimi i tij në nivelet e larta të policisë së shtetit?

Në kushtet kur krimi ka penetruar në politikë, në Parlament, në drejtësi, në administratë sa shanse ka që policia të ketë qenë imune? ZERO! Dhe mjafton vetëm çështja e hashashit (2017) ku SHISH denoncoi 120 oficerë policie të përfshirë në trafik, mjafton dënimi i zyrtarëve të lartë të policisë për trafik narkotikësh, mjafton përfshirja e oficerit të policisë në zgjedhje në Dibër apo përfshirja e drejtorit të përgjithshëm të policisë në fshehje dhe manipulimin në ngjarjen e Elbasanit prill 2021 për të thënë që kemi një problem të madh te “koka e policisë”
Pyetja është: sa është gjerësia, thellësia dhe perimetri i infiltrimit të krimit në policinë e shtetit?Në fund të vitit 2016 IDM (Instituti për Demokraci dhe Ndermjetesim) publikoi një studim: integriteti dhe korrupsioni policor në Shqipëri! Studimi 18 mujor (maj 2015- nëntor 2016) vinte në dukje praninë e korrupsionit në nivelet e larta drejtuese të policisë! Ky përfundim u arrit nga pyetësori i realizuar brenda trupës policore!

Reagimi?!
Një sulm brutal nga drejtuesit politik të policisë dhe madje edhe një letër për trupin diplomatik për “manipulim të rezultateve” dhe keqpërdorim të taksapaguesve europiane! Drejtuesit e policisë, për turpin e tyre, sepse koha i nxorri lakuriq, nuk e quajtën studim, por deklaratë politike! Nëse do të ishin marrë seriozisht gjetjet mund të kishin bërë ndonjë punë me të mirë, por siç duket plani ka qenë hashashizimi.
Logjika e fshehjes, manipulimit, kundërsulmi që këto janë sulme politike ndeshet pothuaj në të gjithë ngjarjet e rënda ku është përfshirë policia.Dhe pas çdo ngjarje të rëndë lëvizjet në polici bëhen sipas parimit: “drejtorë ishim, drejtorë mbetëm”. Ikën Hasani dhe vjen Hyseni! Hasani shkon ku ishte Hyseni!

Në kulmin e popullarizimit të fjalës vetting u fol dhe për vettingun në polici! Jo për të gjithë policët, por për drejtuesit! Pyetje retorike: pse u sabotua vettingu në polici? Sa persona kaluan vettingun? A do të rinisë vettingu?

Pse testi i drogës nisi dhe nuk bitisi? A do të rinisë testi drogës?

Po kështu me gjurmët e gishtave në 2013. Kur po dilnin shumë të daktiloskopuar nga policitë europiane, kontrolli u ndërpre. Do të rinisë ky proces?

Në interpol tirana para pak vitesh u emërua një person i skeduar për drogë në një vend perendimor. Pati brerje ndërgjegje në vetvete dhe u dorëhoq. Përndryshe do të vazhdonte punë i qetë aty.

Policia ka vuajtur historikisht nga kontrolli politik dhe po vuan nga kontrolli/ndikimi i krimit.Policia mbetet sot institucioni më i pa reformuar.

“Ne jemi gurët ju sipër nesh jeni uji! Uji ikën ne mbetemi” – thoshte një polic për drejtuesit politikë që shkojnë dhe vijnë!

Sado e përsosur të bëhet drejtesia e re, pa policinë është si pedale pa zinxhir. Është policia që i jep lëndën e parë Drejtësisë. Nëse policia ofron krundre mos të presim që Drejtësia të nxjerrë nga furra e saj “bukë gruri”

Continue Reading

Shkrime

Artan Fuga: Shqiptari punon kot

Published

on

By

Një nga arsyet kryesore se përse Shqipëria është një vend shumë i prapambetur dhe me një ekonomi me performancë shumë të dobët, nga e cila vuajmë ne shqiptarët, pra edhe arsyeja kryesore se përse nuk i mban fëmijët e saj që largohen si zogj korbi nëpër botë është se pjesa më madhe e fuqisë puntore është e angazhuar në sektorë pa rendiment, ose që nuk prodhojnë asgjë, ose që janë sektorë parazitarë, ose paguhen në administratë për punën që nuk e bëjnë.
Imagjino, dhjetëra e dhjetëra mijë dyqane gjoja ekonomi familjare, ku ka tridhjetë shitës privatë që shesin të njëjtin kastravec në një rrugicë.
Imagjino, dhjetëra e dhjetëra mijë bujq që i quajnë fermerë, hahahahaha, që ruajnë ndonjë lopë me gjinj të tharë, ose mbjellin presh, sa për bukën e tyre, duke mosshfrytëzuar Tokën – Mëmë, me bark pjellor.
Imagjino dhjetëra mijëra punonjës shërbimesh në administratë, të punësuar për të mos bërë asgjë.
Shqiptari në treçerekun e njerëzve që punojnë, punon kot, pa rendiment.
Ky është kurthi! Se po të hiqen nga puna vdesin për bukë. Po të mbahen në punë vdesin Shqipërinë.
Kjo kërkon zgjidhje me reforma strukturore që gradualisht ta kalojë forcën e punës ne sektorë performantë, jo të mbrojmë gjoja elektoralisht statukuonë ku shqiptarët i detyrojnë të vrasin miza gjithë ditën!
Po nuk u kuptua kjo korrusioni, klientelizmi elektoral, emigracioni, dembelizmi, injoranca do të vazhdojnë të bëjnë kërdinë!
Si koncert në vitin 36! Nga mitingu në aheng, nga ahengu në miting duke kaluar nga kafeneja e lagjes!
Merruni ju merruni me e lagu se lagu, me komunizma, me luftë kundër nostalgjive, me spiunë e me dosje, Shqipëria ka lakun në fyt dhe po e mbysin dembelët e detyruar.
Nëse qeveria, SPAKU, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë, aman, aman, do t’i analizojnë të dhënat do të shohin se gjendja është e lemerishme.
Vjedhjet dhe grabitjet përpara harxhimit kot të fuqive të kombit, tharjes së tyre sepse çdo organ që nuk punon thahet, janë asgjë, një pickim i vogël!
Jam gati ta provoj, por faktet do të jenë të dhimbëshme!
Po kush të dëgjon se, kush të lexon se !
Continue Reading

Shkrime

O ju hapsha trutë, hipokrita

Published

on

By

Akademiku Artan Fuga me anë të një shkrimi në rrjete sociale është ndalur te dosjet e ish-sigurimit të shtetit.
Nga ARTAN FUGA
Hapja e dosjeve dhe hapja e barkut!
Pasi u tronditën fort, shumë, jashtëzakonisht, tmerrësisht, duke e shpallur Ilir Metën agjentin 007,
tani ka plas komedia!
Të gjithë kërkojnë të hapen dosjet, për të gjithë, në çast! Opozitarë, pushtetarë, gjysmë-opozitarë, kush e kush të tregojë se nuk e ka qimen nën kësulë! Hapëmi dosjen mua ! – bërtasin!
O ju hapsha trutë!
Kush e kush të tregojë kështu virgjërinë e tij!
Kush e kush t’i shpëtojë përgjegjësisë së tij për diktaturën!
Kush e kush të tregojë se e ka ndërgjegjen e bardhë sa veladoni i Papës!
Në vend të hapni dosjet, mos na hapni barkun – sikurse thoshte gjyshja ime!
Hipokrita!
Në ditët në vazhdim do t’ju rrëfej se përse kjo është një lojë e fëlliqur, asnjë interes për qytetarin!
Të tjera gjëra ka nevojë sot pastrimi i jetës shoqërore nga maskarenjtë!
Mos e hani këtë lojë e të bini në kurth!
Continue Reading

Shkrime

Të gjithë hallexhinjtë në një dosje të ish sigurimit

Published

on

By

Nga Astrit Patozi

Po të jetë për mua, dëshirën e kam qê Ilir Meta të mos ketë qenë bashkëpunëtor i Sigirimit të Shtetit, por i gjithë ky debat të jetë fryt i një gabimi të qëllimshëm ose jo me dosjen e tij. Jo se më dhimbset ai, pasi mendoj se ka pasur mundësi të bëjë plot gjëma të tjera gjatë këtyre 30 vjetëve, për të cilat, jo vetëm nuk është ndëshkuar kurrë, por përkundrazi është graduar dhe lartësuar në vijimësi.

Por mendoj se do të ishte shumë e rëndë për shoqërinë shqiptare të mësonte papritur se njeriun, të cilin në kaq shumë vite e kemi pasur President, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe gjithçka tjetër, si askush përpara tij, që nga koha e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe e Enver Hoxhës, ta ketë nisur rrugëtimin e tij politik si spun i rëndomtë i shokëve të klasës.

Do të ishte poshtëruese për gjithë këto dekada rraskapitëse, edhe pse shtetit gjysëm demokratik dhe gjysëm qesharak, që kemi ndërtuar, i pikon çatia edhe në vrima të tjera. Ndaj edhe dua në vetvete që mundësisht të provohet e kundërta. Por dëshira ime është një gjë, ndërsa e vërteta një gjë tjetër.

Reagimin e vetë Ilir Metës, megjithë rezervat dhe boshllëqet e mëdha që kërcasin dhe të bëjnë të dyshosh edhe më shumë se ditën e parë, kur ai zgjodhi të heshtte, i gjej brenda natyrës së tij dhe po ashtu në përputhje me ligjësitë e një politike të njohur dhe kronike, që mbi të gjitha nuk ka asnjë respekt për faktet.

Tek e fundit, ndoshta atij nuk i mbeteshin shumë zgjidhje, ndaj edhe duhet mirëkuptuar. Por edhe pse tema është e goxha e nxehtë dhe sensitive, prapëseprapë nuk e shikoj sot si njeri në hall të akuzuarin e ditës me incialet I.M.

Pas 11 vjetësh, mendoj se Ilir Meta ka arritur të ketë shumë më tepër mbështetës publikë, se sa kishte në vitin 2011, kur u shfaq ajo videoja e famshme me të ndjerin Dritan Prifti. (Ambasadori Nesho ndoshta do të na e shpjegonte këtë fenomen me efektet shpërthyese të popullit të 2 marsit).

Dhe të mendosh që ajo pavarësisht përmbajtjes së rëndë dhe kompromentuese, ishte gjithësesi një bisedë e përgjuar. Kurse tani jemi përballë një dokumenti shtetëror. Dhe pyetja është se çfarë duhet të bëjë dikush më shumë që të konsiderohet të paktën i dyshuar nga një kategori e caktuar politiko-mediatike. Mbase të vrasë dikë live tek sheshi “Skënderbej”, në prani të më shumë se 100 dëshmitarëve, me kushtin që asnjëri prej tyre të mos i përkasë partive të lirisë.

Në këtë kuptim, Ilir Meta duket se ka bërë hapa përpara gjatë këtij dhjetëvjeçari, jo vetëm se i ka shtuar karrierës së vet dy nga postet më të rëndësishme të shtetit, por sidomos se i janë bërë më të shumtë “guximtarët”, të cilët janë gati të mos skuqen e zverdhen fare duke e marrë përsipër atë edhe për skutat më të errëta të jetës së tij. Për të cilat mbase edhe njerëzit më të afërt të familjes do të hezitonin, sepse historia famëkeqe e Sigurimit të Shtetit është e mbushur plot me inçeste te tmerrshme politike.

Këta po që më dhimbsen, natyrisht, jo të gjithë me të njëjtën masë, sepse e ka secili një koeficient të vetin në varësi të hallit apo interesit të momentit, por ndoshta edhe të kapacitetit për të gëlltitur turpin me bukë, duke i thënë ik tutje çdo nocioni të logjikës më elementare, që i dallon qeniet e qytetëruara nga të tjerat.

Jo Ilir Meta, por ata janë të pashpresë dhe me ta nuk ka asnjë vlerë debati. Se në fund fare pasi të të kenë lodhur me kapërcimet psikoanalitike mund të të thonë që këta po vjedhin me inceneratorët dhe ti mbetesh pa tekst. Dhe është e kotë t’ua kthesh, që jo vetëm me inceneratorët, por në çdo qelizë të jetës ekonomike të vendit rilindasit e Edi Ramës janë duke bërë kërdinë, madje tani më shumë se dikur, ngaqë janë edhe vetëm, pa aleatët e dikurshëm të LSI-së.

Sepse kjo nuk na jep imunitet asnjërit prej nesh që të mos na quhen krimet apo poshtërsitë e sotme apo të dikurshme, aq më tepër ato që mund t’i kemi kryer shumë kohë përpara se Ilir Meta me disa heronj të tjerë të na sillte demokracinë në Shqipëri, këtu e 32 vjet të shkuara.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING