Shkrime

Pse Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk e testojnë Serbinë?

Nga Enver Bytyçi

Në Shkup së fundmi u zhvillua një takim i rëndësishëm. Ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, James O’Brien, mblodhi liderët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takim ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, përveç kryeministrit të Shqipërisë, atij të Kosovës si dhe presidentit dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu nuk mungoi Aleks Soros. Diskutimi kishte të bënte me përshpejtimin e afrimit të këtyre katër vendeve me BE-në dhe SHBA-të.

Por, më duket se takime të tilla shprehin një lloj paradoksi. Përveç Kosovës, të cilën e prezantoi Albin Kurti, dhe Maqedonisë së Veriut, Serbia dhe Shqipëria janë shumë larg standardeve të BE-së dhe SHBA-ve.

Në Serbi dhe në Shqipëri nuk ka zgjedhje, jo më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka garë në zgjedhje para së gjithash. Në konceptin teorik e filozofik, aty ku nuk ka as garë e as zgjedhje, aty syndon autokracia. Në rastin e Serbisë dhe të Shqipërisë regjimi është jo vetëm autokratik, por edhe kleptokratik. Prandaj dhe këto dy vende duhet të monitorohen si nga Brukseli edhe nga Uashingtoni.

Problemi i dytë është se SHBA-të bashkëbisedojnë jo vetëm me dy autokratë, por edhe me dy liderë, të cilët janë të përfshirë në afera korruptive dhe bashkëpunim të tmerrshëm me mafien. Aleksandër Vuçic dhe Edi Rama kanë krijuar një lidhje të frikshme me grupet mafioze në vendet e tyre dhe në Evropë, deri në Amerikën Latine.

Rasti korruptiv Rama-MecGonigal dhe të tjera raste të njohura e të panjohura, si dhe Banjska e inskenuar në Beograd nga Aleksandër Vuçic, do të ishin të mjaftueshme që Departamenti i Shtetit të rezervohej në takime me Vuçicin dhe Ramën. Kurse prania e Aleks Soros, flet për atë se në filozofinë e Soros bashkëpunimi me kriminelë është jo vetëm i pranueshëm, por edhe i lejueshëm.

Takimi në Shkup i James O’Brien me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic, në mesin e tri vendeve të tjera të Ballkanit Perendimor, është gjithashtu një mister.

Nga njëra anë presidenti Biden shpreh shqetësimin e tij se Serbia e Vuçic po shërben si kalë Troje në Europë i Vladimir Putin për të destabilizuar, nga ana tjetër ai trajtohet sikur në rajonin tonë e në Serbi nuk ndodh asgjë. Nuk e di se sa diplomacia perëndimore është e ndikuar nga iluzioni. Por e di se Serbia duhet testuar sa më shpejt se në cilën karrige do të qëndrojë. Në vend të këtyre takimeve dhe qokave politike, SHBA-të dhe BE duhet t’i caktojnë Serbisë një datë pranimi në BE, duke e kushtëzuar me njohjen de facto e de jure të Kosovës në një afat kohor gjashtëmujor maksimumi.

Ky lloj testi do të përcaktonte përfundimisht rrugën në të cilën do të vijonte aleancat e saj Serbia. Nëse do donte integrimin në BE, ajo do të duhej ta njihte Kosovën dhe përfundimisht të vendoste raporte shtetërore me të. Në të kundërt, Beogradi nuk do të pranonte integrimin dhe Evropa e bota do të mësonte përfundimisht se nga cili krah po shkon Serbia.

Të kesh Ivica Daçic ministër të Jashtëm dhe Aleksandër Vulin shef të shërbimit sekret, tani në hije, e të besosh se nuk je i lidhur në të gjitha format me Rusinë, është idiotësi. Unë nuk e di nëse diplomatët perëndimorë e besojnë këtë. Por e di se ata ende kanë shpresë se Serbia do të jetë pjesë e strukturave euro-atlantike. Ndërkohë që asnjë celulë e segment i shoqërisë dhe institucioneve serbe nuk është e gatshme të shkëputet nga Moska dhe politikat e Kremlinit!

TRENDING

Exit mobile version