Connect with us

Shkrime

Pse kriminelët përdorin Matrix për të komunikuar

Published

on

Arrestimet e ditëve të fundit në operacionin e SPAK dhe zbardhja e dëshmive të të penduarve të drejtësisë Dumani, Hoxhaj e Xhixha, ka zbuluar një fakt interesant.

Komunikimi nëpërmjet tyre e personave të tjerë ende në kërkim bëhej përmes aplikacionit ‘Matrix’. Përmes aplikacionit ata shkëmbenin vrasjet që duheshin bërë, personat në shënjestër, pagesat e një mori informacionesh të tjera, tani për tani të pagjurmueshme nga ana e policisë.

Matrix është një aplikacion që përdoret gjerësisht mes trafikantëve e grupeve të ndryshme kriminale në mbarë botën.

Pak muaj më parë, pas goditjes së disa grupeve ndërkombëtare të trafikut të drogës e zbërthimit të rogramit Skysec, përdoruesit e aparateve me programin Matrix morën një mesazh nga ana e kompanisë që i qetësonte duke i garantuar se telefonat e tyre nuk ishin çkoduar a zbërthyer nga organet ligjzbatuese.

Në vetë faqen e saj në internet, Matrix e përshkruan kështu veten:

“Matrix është një projekt me burim të hapur që publikon standardin e hapur të Matrix për komunikim të sigurt e të decentralizuar në kohë reale zbatimet e referencës të serverit të saj Apache të saj të licencuar. E mirëmbajtur nga fondacioni jofitimprurës Matrix.org, ne synojmë të krijojmë një platformë të hapur e cila është po aq e pavarur, e gjallë dhe në zhvillim sa vetë Ëeb-i…por për komunikim. Që nga qershori 2019, Matrix ka dalë nga versioni beta dhe protokolli është plotësisht i përshtatshëm për përdorim.”

Po kështu sipas Matrix, ata nuk kanë server të dhënash dhe as nuk i detyron përdoruesit e tij që të japin të dhëna të vërteta apo arsyet pse po përdoret.

Kompania pretendon se është një pikë e decentralizuar bisedash më shumë sesa një protokoll mesazhesh. Kur dërgohet një mesazh në Matrix, ai përsëritet në të gjithë serverët, përdoruesit e të cilëve po marrin pjesë në një bisedë të caktuar.

Matrix thotë se nuk ka asnjë pikë të vetme kontrolli në një bisedë Matrix që përfshin shumë serverë: akti i komunikimit me dikë tjetër në Matrix ndan pronësinë e bisedës në mënyrë të barabartë me përdoruesit e tjerë. ‘Edhe nëse serveri juaj shkon jashtë linje, biseda mund të vazhdojë pa ndërprerje diku tjetër derisa të kthehet. Sipas kompanisë kjo do të thotë që çdo server ka vetësovranitet të plotë mbi të dhënat e përdoruesve të tij dhe çdokush mund të zgjedhë ose të drejtojë serverin e tij dhe të marrë pjesë në rrjetin më të gjerë Matrix’.

Po sa të sigurt janë ata që njihen si ‘telefonat e punës’ mes grupeve kriminale apo trafikantëve të lëndëve narkotike.

Pavarësisht garancisë së dhënë nga kompania për aparatet që mes narkotrafikantëve e vrasësve njihen si ‘telefonat e punës’, koha ka treguar se programet e enkriptuara kanë mundur të ruajnë jo më shumë se 2 vite jetë integritet dhe pamundësi të autoriteteve për t’i çkoduar.

Më pas ato janë zbërthyer nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, gjë që ka çuar në shumë raste në goditje të rëndë ndaj grupeve kriminale në mbarë botën duke çuar në arrestime masive e sekuestrime drogë e armësh.

Shkrime

Kriptomonedhat, zhvillim apo manipulim e mashtrim

Published

on

By

Nga Anastas Angeli

Që në kohën kur monedhat dixhitale (kriptomonedhat) “dolën në dritë”, në vitin 2008, periudhë kjo që përkon me atë të krizës financiare të kësaj kohe e kur një person (apo grup personash) nën emrin anonim Satoshi Nakamato, publikuan një shkrim shkencor me titullin “BitcoinNjë sistem elektronik për shkëmbimin palë-më-palë të parasë”, bashkë me rreth 15 vitet që kaluan, ngjarjet dhe zhvillimet kanë qenë të shumta dhe të mëdha. Vetë kriptomonedhat pasuan njëra-tjetrën, nga Bitcoin te Litecoin, nga Ethereum në ZEC, nga DASH, në Monero, NEO etj. Bashkë me to edhe platformat dixhitale në funksion të tyre. Ato u bënë pjesë e sistemit të pagesave monetare dhe pse jo e investimeve në tregje. Kjo, ndërkohë që ekonomia globale dhe bota financiare u goditën gjatë kësaj periudhe nga tronditjet e krizës dhe recensionit ekonomik të shkaktuar nga Pandemia e Covid-19 dhe pasojat e kërcënimet e krizës energjetike dhe asaj ushqimore, inflacionit të lartë dhe rritjes “së çmendur të çmimeve”, rrjedhojë e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe gjithë pasojat e tjera të kësaj lufte. Po ç’ndodhi me paranë elektronike, kriptomonedhat “Bitcoin” si babai i tyre?

KRIPTOMONEDHAT SI ZHVILLIM

15 vitet e jetës së kriptomonedhave janë shoqëruar jo vetëm me faktin e shndërrimit të tyre nga një ide në një realitet, duke u zhvilluar dhe krijuar platforma elektronike nga më të mëdhatë për tregtimin e këtyre kriptovalutave, por edhe me debate e dilema, teorike e praktike për to, rolin dhe të ardhmen e tyre. A janë ato një zhvillim apo mashtrim dhe spekulim?

Pa dyshim që nga pikëpamja e formës, mënyrës së përdorimit të monedhave dixhitale në transaksionet monetare përmes platformave elektronike, ato janë produkt dhe pjesë e zhvillimit të paimagjinueshëm të teknologjisë dixhitale, e cila tashmë është bërë pjese e gjithanshme e “jetës së re” të këtij shekulli. Cilat janë të rejat që solli lindja, zhvillimi dhe përdorimi i kriptomonedhave?

Nga pikëpamja monetare solli futjen në qarkullim, për efekt pagesash-transaksionesh dhe investimi, një monedhë të re, e cila synon të bëhet monedhë ndërkombëtare.

Por, siç është e njohur, zhvillimet kryesore të sistemit dhe monedhës ndërkombëtare janë të lidhura me krijimin e sistemit monetar ndërkombëtar, atij të Bretton Woods-it (1944). Ky ishte sistemi i parë i përdorur pas Luftës së Dytë Botërore, për të kontrolluar vlerën e parasë midis vendeve të ndryshme e që do të thoshte se çdo vend duhej të kishte një politikë monetare, që mbante kursin e këmbimit të monedhës së tij brenda një vlere fikse – plus ose minus një për qind – në terma të arit (at US$35 per troy ounce of fine gold, or 0.88867 gram fine gold per dollar). Por siç është e njohur, ishte presidenca Nixon që shkaktoi kolapsin e sistemit Bretton Woods, duke pezulluar zyrtarisht konvertueshmërinë e dollarit në ar më 15 gusht 1971 dhe mori vendimin e SHBA për të pezulluar konvertueshmërinë e arit. Kjo i dha fund një aspekti kyç të sistemit Bretton Woods. Pjesa e mbetur e sistemit, kunja e rregullueshme, u zhduk në mars 1973. (Një arsye kryesore për kolapsin e Bretton Woods ishte politika monetare inflacioniste që ishte e papërshtatshme për vendin e monedhës kryesore të sistemit). Edhe pse dollari amerikan vazhdon të jetë monedha më e fuqishme ndërkombëtare dhe mbas “shembjes” së këtij sistemi, lindja, futja në tregun monetar në vitin 1999 e monedhës së përbashkët europiane Euro për vendet e eurozonës përbënte zhvillimin historik në fushën monetare, në sistemin monetar ndërkombëtar. Dhe më pas, monedhat dixhitale pas vitit 2008 u konsideruan si një përpjekje madhore për t’u futur drejt një roli ndërkombëtar si monedhë (edhe pse janë ende shumë larg këtij synimi).

-Nga pikëpamja e zhvillimit të legjislacionit dhe akteve rregullative është ende në filizat e veta pasi janë të pakta vendet që kanë ndërmarrë akte ligjore që rregullojnë veprimtarinë e këtyre monedhave, edhe pse shumë autoritete rregullatore apo Banka Qendrore kanë nxjerrë akte më tepër për ta kontrolluar dhe për të qenë vigjilentë ndaj kësaj risie sesa për ta motivuar atë.

Në këndvështrimin teknologjik, platformat dixhitale që perdoren janë zhvilluar e përsosur vazhdimisht dhe me shpejtësi, duke mundësuar lehtësimin e përdorimit të tyre në një kohë shume të shpejtë dhe shtimin e garancive të sigurisë së tyre.

-Njëhershmi, ky zhvillim i përdorimit të kriptomonedhave, jo vetëm që ndryshoi shumë kulturën, teknikat dhe mënyrën e punës në përdorimin e tyre, veçanërisht në transaksione, por progresoi kulturën financiare e monetare dhe pasuroi fjalorin, terminologjinë e botës monetare me atë teknologjikë të papërdorur më parë për përdoruesit dhe tregjet financiare, analistët e këtyre tregjeve dhe vetë ekonomistëve dhe financiarëve.

-Më në fund, një çështje e rëndësishme është se lindja e fenomenit të monedhave dixhitale dhe e krijimit të tregut të tyre shënoi një epokë të re në fushën monetare duke u shoqëruar (që po vazhdon dhe sot) me debate për këtë fenomen, të ardhmen e tij, çfarë roli dhe funksioni do të ketë në të ardhmen në krahasim me rolin dhe funksionet tashmë të konsoliduara dhe klasike të parasë. Dhe më tej:

-Ajo që përbën edhe thelbin e debatit, mbulimin në ar apo në ç’formë tjetër nga Bankat Qendrore të kësaj monedhe. Dhe nëse ky zhvillim do të shkojë drejt synimit të plotë të vet, për më tepër në kushtet e zhvillimeve globale post-Covid dhe të luftës në Ukrainë, për t’u shndërruar në monedhë ndërkombëtare. A do t’i duhet botës financiare t’i drejtohet një Bretton Woods-it të Ri? Po cili është realiteti?

Çfarë po ndodh?

JANE KRIPTOMONEDHAT NJE MANIPULIM APO MASHTRIM?

Kur investitorët e parë “nxituan” të investonin në kriptomonedha dhe filluan përdorimin e platformave dixhitale për transfertat e para të pagesave, duket se “u buzëqeshi fati”. Kështu që Bitcoin, “zemra” e kriptomonedhës, jetoi lulëzimin e vet me ulje-ngritjet e pritshme të tregut. Me fillimin e luftës në Ukrainë dhe krizën që pason u shfaq ideja dhe u duk se kjo monedhë do të ishte edhe “shkopi magjik” i shpëtimit nga kriza ekonomike, financiare që po kërcënon ekonominë globale dhe inflacioni i lartë. Por zhgënjimi ishte i shpejtë. Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por përkundrazi, tronditja e kriptomonedhave kryesore ishte shumë e fuqishme. Ky tërmet, rrethet e të cilit vazhdojnë e zgjerohen, tronditën thellë besimin e investitorëve humbjet e të cilëve po shkojnë në miliarda e miliarda dollarë dhe numri i të “viktimizuarve “nga ky fenomen po bëhet tronditës. Sipas njoftimeve të fundit, tronditjet e këtij tregu vazhdojnë dhe humbjet janë të mëdha. Por, si erdhi kjo situatë? Përse tashmë analistët e ekonomisë e vlerësojnë këtë situatë si tepër negative? Është kjo për vetë pikëpyetjet që kjo monedhë (kriptomonedhat) mbart që nga krijimi i tyre? Është kjo për shkak të qëndrimeve dhe përplasjeve të gjigantëve multimiliarderë të kundërta për këto monedha dhe efektit psikologjik i saj? Apo lufta në Ukrainë dhe kriza ekonomike, ajo energjetike, e çmimeve dhe inflacioni i lartë dhe sasia e investimeve në këto monedha dixhitale nga investitorët e mëdhenj e të vegjël në këta sektorë te goditur nga kriza? Apo të gjitha së bashku? Le t’u referohemi disa informacioneve më të fundit:

Ndërsa lufta në Ukrainë nuk po ndalet dhe kërcënimi i krizës energjetike, recensionit ekonomik, rritjes së çmimeve dhe staglacionit vazhdon e rritet, njoftimet dhe nga tregjet e kriptovalutave janë negative dhe mjaft dëshpëruese.

-Dy ditë më parë njoftimet janë se një kolaps i Bitcoin-it kërcënon San Salvadorin, të parin shtet ku kjo monedhë u ligjërua dhe u fut ne përdorim.

-Një lajm tjetër tronditës vjen nga bota e monedhave dixhitale: Manipuluan çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale”: Elon Musk, SpaceX dhe Tesla paditet për 258 miliardë dollarë përvetësime në gjykatën federale me pretendimet se Musk “manipuloi” drejtpërdrejt çmimin e Dogecoin në një “skemë kriptopiramidale” të qëllimshme të kryer përmes “Twitter”. Padia pretendon se kriptomonedha- Dogecoin, që u lançua në vitin 2013, është një “ndërmarrje e paligjshme mashtrimi” e nxitur nga promovimi dhe manipulimi në “Twitter”.

-Këto lajme vijnë në një kohë që tronditja në tregjet e kriptomonedhave po shtohet, çka dëshmohet edhe nga fakti se Binance, platforma më e madhe në botë dixhitale për tregtimin e kriptovalutave, ndërpreu përkohësisht pagesat në Bitcoin dhe vlera e Bitcoin ka rënë për më shumë se 10 për qind, ose nën 24 mijë dollarë për copë, që është niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2020. Kjo tregon se kriptovalutën më të madhe e kanë goditur problemet makroekonomike, përfshirë edhe inflacionin e madh. Kështu, sipas analistëve, kjo tronditje vazhdon të thellohet me shpejtësi negativisht. Tashmë, çmimi i Bitcoin është ulur 28% nga një javë më parë dhe tani është -67% nga nivelet më të larta që nga nëntori, duke pësuar një rënie të madhe drejt nën 21 mijë dollarë. Kapitali i tregut është ulur në 430 miliardë dollarë dhe dominimi i tij është zvogëluar me 2% brenda një dite.

-Ndërkaq, vijnë edhe shpërthimet me deklarime të miliarderit Bill Gate, i cili e përshkruan fenomenin që po ndodh si “100 % të bazuar në budallallëkun më të madh teorik”

Ndërsa bilioneri Warren Buffett deklaroi se nuk do të ofrojë as 25 dollarë për gjithë sasinë e Bitcoin-it që qarkullon në botë. “Nëse ju më thoni, -theksoi ai,- që unë të bëhem zotërues i gjithë sasisë së Bitcoin-it që qarkullon në botë dhe ju ma ofroni atë për 25 dollarë, unë nuk do t’i blija ato, sepse çfarë mund të bëja me to? Në një mënyrë apo tjetrën do të më duhet t’jua shisja përsëri juve. Por me to ju nuk mund të bëni asgjë (ato s’kanë vlerë)”.

Pa dyshim që këto deklarime nuk janë thjesht kundërvënie ndaj Pronarit të “Amazon” (që këto kohë po anancon monedhën e vet dixhitale- Amazon) apo Elon Musk (tashmë i paditur për skemë mashtruese me kriptomonedha), por janë edhe një thirrje për “vigjilencë” për të gjithë investitorët, të mëdhenj e të vegjël, që kanë dhe po investojnë në tregun e kriptomonedhave. Dhe efekti psikologjik, pa dyshim, nuk mund të jetë i pakonsiderueshëm.

Kjo situatë dëshmon se dilemat dhe pikëpyetjet për të ardhmen e kriptomonedhave janë ende të pazgjidhura. Kush do të fitojë? Zhvillimi teknologjik i ndershëm apo manipulimi dhe mashtrimi? Le të presim dhe të shikojmë.

Continue Reading

Shkrime

Rama si Noli, nuk kupton nga politika reale

Published

on

By

Shpëtim Nazarko

Analisti Shpëtim Nazarko ka komentuar luidhur me samitin e Bashkimit Europian ku u ndal tek fjalimi i kryeministrit tonë për të cilin tha se Rama është shumë larg të të kuptuarit të politikave reale.

Ai tha se fjalimi i Ramës dëmton vendin tonë, ndërsa shtoi janë disa gjëra që si përcakton dot kryeministri por vetëm i zbaton ato.

Sipas tij, kur Rama të flasë për Bullgarinë apo Maqedoninë duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse ai që prish këtë aks prish më tepër sesa mendon kryeministri, pasi aksi Maqedoni- Bullgari- Shqipëri pengon interesat e fqinjëve.

“Bullgaria ka atë drejtë. Siç e gjykoj unë fjalimi i Ramës është një nga ato 4 fjalimet e spikatura të shtetit. Nqs heqim paralele është e ngjashme me fjalën e Fan Nolit në OKB. Mendoj se si fjalimi i Nolit dhe Ramës mund të quhet një fjalim i shënuar, por Rama si Noli janë shumë larg të kuptuarit të vendit të vet.

Konfliktet që kanë ndodhur atëherë po të kthehemi pas në kohë do shohësh se ato po ndodhin dhe tani dhe ajo që s’ka kuptuar Rama është se krijuesit e shtetit tonë austriakët janë krijuar dhe vetë për të penguar interesat tokësore të Rusisë të cilat përmes Maqedonisë, Shqipërisë kërkonin të pushtonin pjesën tjetër të botës, pra interesat kalojnë në Bullgarinë e djeshme dhe Shqipërinë e djeshme dhe të sotme.

Pra ky aks që nis nga Shqipëria dhe shkon në Bullgari është aksi më i rëndësishëm europian që pengon interesat e Rusisë për të vazhduar . kështu aleanca më e madhe do të ishte forcimi i aksit Shqipëri – Maqedoni- Bullgari që materializohet si Korridori i 8.

Mendoj se pavarësisht fjalimit elokuent të Ramës për mua është një dëm që i ka bërë vendit të tij. Mund ta duartrokas nëse do isha një njeri i palidhur me skemat por nisur nga interesat tona ndërkombëtare dhe besoj se e ka domosdoshmëri jetike që të mos prishte marrëdhëniet me Bullgarinë. Janë disa gjëra që si përcakton dot kryeministri por i zbaton ato.

Siç e perceptoj unë këtë problem, prishja e aksit Shqipëri Maqedoni- Bullgari si intereson vetëm Rusisë por edhe Europës sepse nëse do na ndihmonte realisht kjo rrugë pengon interesat tokësore të Rusisë ndaj ambicieve të veta. Kur Rama të flasë për Bullgarinë apo Maqedoninë duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse ai që prish këtë aks prish më tepër sesa mendon kryeministri, pasi aksi Maqedoni Bullgari Shqipëri pengon interesat e fqinjëve”, tha ai.

Sa i përket Ballkanit të Hapur Nazarko tha se ajo është një manovër që nuk të çon askund. Ai theksoi se kjo nismë është shumë herë më e vogël se sa mund të jetë krijimi i ‘Korridorit 8” sepse vetëm ky e bën vendin tonë partnere të denjë për Europën.

“Serbia ka një politikë të ngjashme me atë të Titos që kanë kancelaritë shtetërore të klasit të parë ndërsa ne përfytyrojmë. Mendo sikur vërtet të ndërtohet ‘korridori 8’ dhe në këtë aks armikun më të madh do të kemi Serbinë, Greqinë sepse pozicionet e tyre ngelen si zorrë qorre pas nesh. Në këtë sens besoj se Rama nuk po arrin të kuptojë se forma nuk pjell përmbajtje, por sqimë.

Ne duhet të kuptojmë se historia e Ballkanit të hapur është shumë herë më pak me aksin e korridorit të 8 sepse ndërtimi i saj e bën një nga fuqitë më të mëdha në rajon. Mendoj që historia e Ballkanit të hapur është një manovër dhe Ramës i duhet më shumë se çdo herë edhe për shkak të marrëdhënieve me Europën apo ekonominë, i duhet të ndërtojë kancelarinë e shtetit. Ti bësh presion Europës me Ballkanin e hapur për mua është qesharake” tha Nazarko.

Continue Reading

Shkrime

ANALIZË: Rënia e Dmitry Medvedev

Published

on

By

RUSI- Në verën e vitit 2010, presidenti i atëhershëm rus, Dmitry Medvedev, u nis në një turne në Silicon Valley, në kërkim të investitorëve dhe ideve sesi të modernizonte ekonominë e vendit të tij.

Presidenti i ri, i njohur për dashurinë e tij për teknologjinë, zhvilloi vizita në Google, Apple dhe Twitter në atë që bashkëthemeluesi i platformës së mediave sociale Biz Stone e përshkroi si “një nga ditët më të veçanta në historinë e Twitter-it”.

Pikërisht aty Medvedev shkroi postimin e tij të parë në Twitter. Këto ditë, Medvedev tenton të përdorë Twitter-in dhe platforma të tjera të mediave sociale për postime ‘të ndyra’ rreth zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, si dhe për të bërë kërcënime të fshehta për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe për të fshirë Ukrainën nga harta.

Në një postim në Telegram të hënën, ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i luten Rusisë që të rifillojë negociatat për kontrollin e armëve.

“Lërini të vrapojnë ose të zvarriten vetë dhe ta kërkojnë”, shkroi ai.

Pavarësisht se ka postuar në Twitter “Mad Libs” e tij luftarake në një sërë gjuhësh, audienca e Medvedevit ka shumë të ngjarë të jetë vendase.

“Ka shumë shqetësime në mesin e elitës, madje edhe midis atyre që konsiderohen të jenë nën mbrojtjen e Putin-it”, tha Mark Galeotti, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara për prestigjiozen “Foreign Policy”, përcjell Albanian Post.

Në tetor të vitit të kaluar, pak para se Rusia të fillonte të ndërtonte praninë e saj të trupave përgjatë kufirit të saj me Ukrainën, Medvedev botoi një ese në gazetën ruse Kommersant, e cila vlonte me teori konspirative dhe përbuzje për liderët e Ukrainës.

Në një pasazh të mbushur me ngjyrime antisemitike, ai akuzoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili është hebre, se ishte i lidhur me nazistët. Kërcënimet me zjarr dhe squfur janë bërë normë nga zyrtarët e lartë rusë dhe drejtuesit e televizionit shtetëror rus.

Zbritja e ish-presidentit në një tërbim mezi të kuptueshëm kundër makinës perëndimore pasqyron zhvendosjen më të gjerë të Rusisë nga fqinji i bezdisshëm në një kërcënim ekzistencial për Evropën – dhe ndoshta më keq.

“Është një nga intrigat më të mëdha të politikës aktuale të brendshme. Rusia ka ndryshuar. Dhe Medvedev duhet të tregojë se i përket kësaj Rusie”-tha Tatiana Stanovaya, një analiste politike ruse dhe themeluese e konsulencës R.Politik.

I përbuzur nga liberalët për gatishmërinë e tij për të kënaqur Putin-in dhe i parë me dyshim nga të fortët e shërbimeve të sigurisë ruse për hapat e tij ndaj Shteteve të Bashkuara, Medvedev është bërë gjithnjë e më i izoluar vitet e fundit pasi aleatët e tij janë arrestuar ose dëbuar në mërgim.

“Medvedev është një nga figurat më të cenueshme në elitën politike ruse”,-tha Stanovaya.

Në një postim në Telegram këtë muaj, Medvedev u përpoq të trajtonte disa nga spekulimet rreth figurës së re të tij.

Marrë dhe përkthyer nga Foreing Policy.

Continue Reading

Shkrime

Evolucioni i fuqive të mëdha

Published

on

By

Nëse nënvlerësohen ndryshimet gjeopolitike që ndodhin sot në botë, evolucioni i fuqisë ushtarake, është një nga ndryshimet më të rëndësishme. Gjatë gjithë shekullit XX-të, fuqia ushtarake ishte një atribut i kombeve të mëdha. Makineritë dominonin në fushën e betejës, dhe prodhimi i këtyre makinerive, materialet që i furnizonin ato, por edhe mjetet që përdornin, kërkonin pasjen e fabrikave komplekse dhe sasi të mëdha lëndësh të para.

Nga ana tjetër, kjo kërkonte një numër të madh punëtorësh, strehimin dhe ushqimin e këtyre të fundit. Një ekonomi e kësaj shkalle duhej të prodhonte një numër të madh anijesh, avionësh, tankesh, dhe çdo lloj produkti tjetër që nevojitet në kohë lufte, edhe pse ato kërkonin një ekonomi funksionale jashtë ekonomisë së kohës së luftës, duke siguruar nevojat themelore të jetës, dhe në mënyrë ideale edhe ruajtjen e moralit kombëtar.

Fushat e betejës janë “vrimat e zeza” të konsumit. Çdo komb mund të ndërtojë një avion ose tank. Apo të dërgojë një njeri drejt vdekjes në front. Por historikisht luftërat janë fituar nga kombet që patën mundësi të ndërtonin një numër të madh avionësh dhe tankesh, dhe t`i zëvendësonin ato që ishin shkatërruar nga armiku.

Për të mos përmendur rimbushjen e fluksit të qëndrueshëm të ushtarëve të vdekur. Kombet e vogla nuk mund të përfshiheshin në luftë me intensitet të lartë, pasi mungonin burimet për ta bërë këtë. Prandaj përkufizimi i një fuqie të madhe, ishte ai i një vendi me një popullsi të madhe, me një sistem bujqësor që e ushqente atë, dhe me burime minerare që mund ta armatosnin.

Duke pasur parasysh numrin e vdekjeve dhe dëmeve që mund të shkaktonte armiku, çelësi i fuqisë ushtarake ishte madhësia e popullsisë dhe burimet e saj. Po ashtu ai duhet të ishte gjeografikisht i madh, me burime të shpërndara në mënyrë të tillë që një fitore e armikut në një rajon të mos nënkuptonte një fitore në të gjitha rajonet.

Ndërkohë, kombet e suksesshme në kohë lufte, kishin nevojë për një ekspertizë teknike. Avionët, anijet luftarake dhe tanket duhej të planifikoheshin dhe ndërtoheshin. Ndërsa modelet ekzistuese kishin nevojë për përmirësime të vazhdueshme në përgjigje të evolucioneve teknike që kishte arritur armiku.

Kjo do të thoshte se fuqitë e mëdha kishin një numër të madh teknikësh. Pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kishin potencialin të zhvillonin luftëra si fuqi të mëdha. (Më vonë iu bashkua Kina.) Para luftës, fuqitë më të vogla, si Gjermania, Britania e Madhe, Franca ose Japonia, mund të konsideroheshin gjithashtu fuqi të mëdha.

Por në fund, ato ose humbën ose morën pjesë në luftë në kuadrin e një një aleance. Vitet që pasuan sollën një evolucion të madh të teknologjisë luftarake. Dikur ishte e nevojshme të çohej një tank 40 tonësh mbi 3000 km larg për të shpërndarë 20 ose 25 kg eksploziv drejt pozicioneve armike.

Sulmi i parë bombardues britanik, ishte aq i pasaktë sa gjermanët nuk mund të kuptonin se cili ishte në fakt objektivi i tyre. Anijet nuk mund të shihnin më larg sesa horizonti, ku mund të fshihej një flotë armike. Avionët specialë ishin ata që mund të jepnin të dhëna më të sakta. Paradoksalisht, sa më primitiv të ishte sistemi, aq më shumë burime kërkoheshin për ta mbajtur atë në punë.

Sa më i vetëdijshëm për mjedisin e tij dhe sa më i saktë të jetë udhëzimi, aq më të vogla janë gabimet. Për shembull, një satelit mund të sigurojë vendndodhjen e një armiku, dhe sistemet e automatizuara të udhëzimit të brendshëm mbi municionet mund ta godasin saktësisht. Sot ka satelitë të rinj që i përkasin një gjenerate të re.

Për shkak të saktësisë, një forcë ushtarake ka nevojë për më pak municione. Përqendrimi i fuqisë punëtore kalon nga fusha e betejës aktive, në menaxhimin e të dhënave të inteligjencës dhe teknologjive. Lufta nuk kërkon më shumë trupa, dhe as kërkon konsum masiv të lëndës së parë.

Dhe kjo gjë sjell pasoja gjeopolitike të rëndësishme. Vendet e vogla, dhe madje shumë të vogla mund të bëjnë luftë, sidomos kundër modeleve të vjetra ushtarake që nuk kanë saktësinë dhe shtrirjen e grupimit të ri të vendeve. Këto vende të vogla kalojnë nga hapësira, tek varësia nga koha. Dikur sa më shumë hapësirë kishte një vend, aq më shumë hapësirë kishte për t’u shpërndarë. Në modelin e ri të luftës, sa më shumë kohë të kenë për të reaguar ndaj rreziqeve, aq më efektive janë ato. Nuk është një evolucion i vetëm, por më shumë një mori evolucionesh, nga inteligjenca e bazuar tek hapësira, tek armët automatike shumë më të sakta dhe me rreze të gjatë, deri tek sistemet e automatizuara kundër raketave.

Këtë evolucion mund ta shohim më qartë në Izrael. E themeluar fillimisht me armët franceze dhe më pas ato amerikane, ushtria izraelite ka sot aftësi të shtuara, që si për ironi mund t’ua shesë ato të tjerëve. Ato janë të dizajnuara rreth parimit se vënia e trupave në rrezik është një ngjarje e mundshme, por e rrallë, ndërsa përdor avionët pa pilot si elementin dominues të strategjisë së saj.

Përveç Izraelit një strategji e tillë por përdoret edhe nga vende të tilla si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori. Për pasojë, secila prej tyre ka fuqi politike ndërkombëtare shumë më tepër se çfarë mund të pritej prej tyre gjatë epokës së mëparshme. Teknologjitë e reja u japin mundësi fuqive të vogla që të angazhojnë fuqi shumë më të mëdha.

Thelbi i forcës janë teknologët që mirëmbajnë dhe përmirësojnë sistemet, një pjesë e fuqisë punëtore e nevojshme sipas përkufizimit të vjetër të fuqive të mëdha. Sigurisht, ushtritë me njerëz mbeten ende të domosdoshme. Por kalimi tek një mënyrë e re e të menduarit, po funksionon shumë mirë. Izraeli ka një ndikim të jashtëzakonshëm rajonal, por teknologjia e tij nuk mund të mbrohet plotësisht kundër një force masive nga fuqia e madhe e epokës së fundit.

Ruajtja e një kulture gjatë procesit të krijimit të kulturave të reja, shkakton kriza midis kulturave, dhe brenda buxheteve kombëtare. Teknologjia e re është gati të nisë të funksionojë, por në vetvete nuk është ende e provuar. Megjithatë, evolucioni është në zhvillim e sipër, dhe kjo do tëthotë se duhet të ndryshojë përkufizimi i fuqisë së madhe.

Rusia priste që ta mposhtte Ukrainën me armët e vjetra. Kjo nuk ka ndodhur, të paktën jo ende. Rusia duhet të zhvillojë ushtrinë e saj. Kështu do të bëjnë edhe fuqitë e tjera të mëdha, nëse dëshirojnë të kenë forca efektive. Nuk ka asnjë arsye të qenësishme sesi të mos evoluojnë, por madhësia e tyre nuk është më vendimtare. Kombet më të vogla mund të bëhen fuqi të mëdha vendimtare, madje edhe të rrezikshme.

Shënim: George Friedman, është një parashikues dhe strateg gjeopolitik i njohur ndërkombëtarisht për çështjet ndërkombëtare. Themelues dhe drejtues i “Geopolitical Futures”. / “Geopolitical Futures”

Continue Reading

Shkrime

Tango e stonuar e Brukselit dhe tupanat e Ballkanit

Published

on

By

Nga Plator Nesturi

Nuk ka qenë hera e parë që ndodh kur Ballkani pengon Ballkanin për integrimin në BE. Vite të shkuara ishte sërish Maqedonia e Veriut që bllokohej nga një tjetër shtet, Greqia, dhe e gjitha kjo në lidhje me emrin e saj. Krizë që vijoi për shumë vite në marrëdhniet e brishta midis vendeve ballkanike. Tashmë pengesa po për Maqedoninë e Veriut vjen nga ata që mund të konsiderrohen të afërt të saj, Bullgaria, dhe e gjitha kjo me çështje të karakterit identitar, të gjuhës dhe të etnicitetit. Por kur rrugëtimi drejt BE ka nisur të bëhet në grupe çift, dhe Maqedonia e Veriut do të ish si shoqëruese e Shqipërisë për vendimin në hapjen e negociatave të anëtarësimit, duket se penaliteti është sërish çift. Prezantimi i ecurisë së reformave dhe funksionaliteti demokratik e institucional e secilit vend duket se po shndërrohet si një prezantim tangoje e vendeve kandidate ballkanike përpara jurisë së BE. Nëse Shqipërinë e zë ngërci gjatë kërcimit eliminohet dhe Maqedonia e Veriut. Dhe nëse Maqedonisë i thyhet taka gjatë kërcimit eliminohet dhe Shqipëria. Kritere të çuditshme që po na bëjnë të pandashëm me fqinjin tonë lindor. Para disa vitesh, kur vende të BE treguan skepticizëm për Shqipërinë, u tha se e pësoi dhe Maqedonia e Veriut. Porse në atë kohë opozita shqiptare kish muaj e muaj protestash me molotovë, e nën tymin e flakëve që ngriti nuk kish shikueshmëri të pastër nga brigjet e BE. Ndërsa sot, pas dy vjetësh, po na kthehet restoja. Ndërsa kaluam dhe skepticizmin e atyre që nuk duan zgjerimin, vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut na penalizon sërish dhe ne.

Presidenca e Francës që mbyllet në fund të këtij muaji nuk arriti të mundësojë një marrëveshje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dhe në kushtet kur vendimi i ministrave të Jashtëm të BE do të merrej për të dyja vendet bashkarisht, vendimi është shtyrë për muajt në vijim. Presidenca franceze, si vend që i jep tonin zhvillimeve evropiane dhe që me peshën e vet mund të shërbente si shtysë për gjetjen e një kompromisi dhe hapjen e dritës jeshile për konferencën Ndërqeveritare të negociatave më Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk arriti të zhbllokojë situatën që po përsëritet vit pas viti. Lufta në Ukrainë dhe pasojat e konfliktit në ekonomine e vendeve evropiane ishin arësye të mjaftueshme që në këto muaj, fokusi i bllokut të 27 vendeve të ish diku tjetër, por jo në premtimet e pambajtura për integrimin e vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor. Çështja shtyhet pra sërish. Deri atëhere mbase mban kohë e mirë për shëndetin e gjithëkujt.

Është i katërti vit rradhazi që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin në holl për hapjen e konferencës ndërqeveritare, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi presin të vijojnë në procesin për hapjen e dritës jeshile për tu anëtarësuar. Gjithësesi, procesi mbetet në vend pavarësisht se çka ka përcaktuar Komisioni i BE se kushtet janë plotësuar dhe se dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, meritojnë të hapin negociatat për anëtarësim. Gjithësesi graviteti kësaj rradhe nuk mbetet vetëm në Bruksel. Ka një lëvizje të madhe të drejtuesve të vendeve ballkanike në takime të veçanta dhe të përbashkëta, ashtu siç ka një trysni më të madhe të Uashingtonit që vendet e Ballkanit të përparojnë në procedurat e anëtarësimit në BE. E gjitha kjo po shoqërohet dhe me inisiativa paralele si politike ashtu dhe si mbështeje politike, dhe që jo gjithmonë kanë varësi të drejtpërdrejtë nga Brukseli. Në Ballkan gjërat po lëvizin. Madje me shpejtësi jo të zakonshme nga më parë.

Ajo çfarë mbetet e vonuar është ecuria vendimarrëse që duhet të vijë nga Brukseli, që deri më tani po shtyn me disa muaj për të disatën herë verdiktin final të saj. Vendet ballkanike në pritje thjesht mbahen me optimizëm, gjë që ngjan si skemë e njohur në këto tre vite. Por dhe optimizmi i gjatë shndërrohet në lodhje. Ndaj duket se vetë liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor nuk po humbin më kohë duke pritur veçmas çfarë do vendosë për secilin Brukseli. Krijimi i inisiativave të reja, që nga bashkëpunimet rajonale me efekte ekonomike, po krijon një gravitet të ri të vetë këtyre vendeve, pasi vetë bashkimi i tregjeve i bën më joshës, jo vetëm për bisnesin e BE. Vetë kjo trysni që krijohet nga bashkimi i tregjeve mendohet se mund të jetë më efektive sesa zvarritje e secilit veçmas nëpër korridoret e BE.

Gjithsesi, përtej ndjesive që përcjell në opinionin publik të Ballkanit Perëndimor kjo zvarritje ne procesin e integrimit të tyre, ajo çka vihet re është se vetë Brukseli po e humb fleksibilitetin e saj të brendshëm për të përballuar në grup situatat dhe përmbajtshmërinë e vendimeve në unison. Për vetë kushtet e reja të krijuara në kontinent, kur në qendër të tij është ndezur një konflikt ushtarak që duket do ketë ndikim të gjatë në rrjedhat e zhvillimeve jo vetëm në Evropë por dhe më gjerë, Brukseli, si unitet politik dhe ekonomik, i duhej të tregonte më unison në vendimet që merr.

Nëse dje u fut politikisht Ukraina e Moldavia si vende candidate në BE duke kapërcyer vite procedurash që kanë kaluar të tjerët, jo me të njëjtat duartrokitje do të përcillet shtyrja e praktikës për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Është në vetë interesin e BE që ti mbajë pranë vetes vendet e Ballkanit Perëndimor për më tepër në këtë kohë konfliktesh e përplasje interesash, ca me tepër kur premtimi ndaj tyre është shtyrë me vite. Dhe një vendim i shtyrë është vendim i pambajtur.

Continue Reading
Advertisement
Advertisement

TRENDING