Kosova

Radoiçiç dhe ‘Lista’, mbajnë peng Serbinë dhe serbët e Kosovës

Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë (PSG), Pavle Gërboviç, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” ka thënë se Serbia është peng i kryekriminelit serb, Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për përgatitjen dhe kryerjen e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të banuar me serbë etnikë.

Në këtë drejtim, ai ka nënvizuar se serbët e Kosovës janë pengje të Listës Sërpska – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – dhe për këtë arsye është shumë e nevojshme që në pushtet atje të vijnë njerëz që “nuk i kanë borxh askujt” dhe “nuk janë dakord me këtë situatë pengjesh”, dhe ka shtuar se për asgjë çfarë ka ndodhur në Kosovë nuk ka faj opozita në Serbi.

“Qeveria e ka vënë Serbinë në një pozitë ku ne jemi të gjithë pengje të Radoiçiçit. Shteti nuk mund ta ekstradojë dhe prokuroria e gjyqësori nuk lejohen të kryejnë punën e tyre dhe t’i vendosin sanksione në mënyrë adekuate. Ata që janë në pushtet në Serbi janë të vetëdijshëm se nëse kjo ndodh, ai do t’i tërheqë me vete” – ka thënë Gërboviç.

“Ne themi që serbët në Kosovë nuk guxojnë të mbahen pengje të Listës Serbe dhe të krerëve të grupeve të organizuara kriminale. Qeveria e Serbisë e ka ngritur në piedestal Radoiçiçin dhe Zvonko Veselinoviçin. Dhe tani që e gjithë politika ka përjetuar një fiasko dhe do të dëshironte që ne të ‘ndajmë përgjegjësinë me të, por nuk do të funksionojë” – theksoi opozitari serb.

Milan Radoiçiç, i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës për një numër veprash penale, përfshirë pjesëmarrjen në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Gjithashtu, ai është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

TRENDING

Exit mobile version