Politike

Amnistia fiskale/ Rama ‘sulmon’ BE: S’na duheni

Për më shumë se 40 minuta, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk ka nevojë as për mbështetjen e ndërkombëtarëve që të kalojë ligjin për amnistinë fiskale për emigrantët. Në një takim sot, për Ditën e Diasporës, kryeministri u shpreh i vendosur se planin e tij për amnistinë fiskale do ta çojë deri në fund për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve.

“Ne do e bëjmë amnistinë me çdo kusht, e kam shumë besim që edhe BE do e kuptojë, nuk kemi nevojë që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë. Do të pranojë principin e të drejtës për të monitoruar këtë proces që të bëhet siç duhet. Përderisa e bën Italia njëherë në 3 vjet, nuk kemi pse të privohemi sepse jemi të vegjël dhe na paragjykojnë përtej çdo llogjike.”

Për kreun e qeverisë, kjo është një mënyrë shumë e rëndësishme për të formalizuar të ardhurat e shqiptarëve në botë, të cilët bëjnë 2-3 punë, ndërsa hodhi poshtë aludimet se do të përdoret edhe nga personazhe të botës së krimit, të cilët për të as nuk kanë nevojë për ligjin pasi janë mësuar që t’i shkelin gjithmonë. Ndonëse ndërkombëtarët janë shprehur kundër kësaj nisme të ndërrmarë nga qeveria, Rama u shpreh se do të vijë momenti kur edhe ata do ta kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo amnisti, madje i ka bërë edhe fajtorë për ekonominë e paligjshme. Ndërsa përmendi edhe se shumë shqiptarë përgjatë viteve në emigim kanë ndërruar emrin, madje disa të tjerë janë deklaruar si refugjatë luftë nga Kosova për të qëndruar në vendet ku kishin nisur që të punonin. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se kjo lëvizje është tentuar të realizohet edhe në qeveritë e mëparshme por ka ngecur për shkak të presioneve, por shtoi se këtë herë nuk do të ndodhë e njëjtë gjë e se Shqipëria nuk do të privohet se është një vend i vogël.

“Kemi dëshmi të panumërta dhe raste që përforcojnë të gjithë arsyet për ta bërë këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh, është tentuar nga qeveritë e mëparshme por ka ngecur si rezultat i presioneve dhe mungesës së dëshirës për të kuptuar pse-në e kësaj lëvizje të rëndësishme.”

Po ashtu foli edhe për paragjykimet që shqiptarët janë kriminelë duke thënë se do të bëjnë gjithçka për të thyer këtë lloj barrikade. E gjithashtu shtoi se krimi dhe trafiku u gjet në vendet ku shqiptarët shkuan, e as 1% e emigrantëve zgjodhën që t’u bashkoheshin.

TRENDING

Exit mobile version