Kosova

Rama draft për Asociacionin, qeveria e Kosovës: S’duam ndërmjetësues, ka zero rëndësi

Qeveria e Kosovës nuk e ka mirëpritur draft-statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të vendit. Në reagimin e bërë nga zyra e kryeministrisë së Kosovës për mediat vendase theksohet se Kosovës i nevojitet mbështetja e Shqipërisë dhe jo ndërmjetësimi me Francën apo Gjermaninë ku Rama ka dërguar draftin e propozuar.

“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republikë Serbe në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për “Botën Serbe. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë “, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës. Kryeministri Rama prezantoi pak ditë më parë drafin-statutin për Asociacionin të komunave në veri të Kosovës duke përmendur si pikë kryesore ribërjen e zgjedhjeve. Deri më tani, nuk është bërë publike asnjë pikë e draftit dhe siç bëri me dije Rama, i është dërguar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Ky propozim i bërë nga Rama është kundërshtuar nga opozita, duke e cilësuar si veprim të njëanshëm që mund të acarojë më shumë situatën.
Bashkimi Evropian në një reagim zyrtar, e vlerësoi draftin e paraqitur nga Rama duke e cilësuar si tekst të shkruar me seriozitet dhe cilësi të lartë.

Rama draft për asociacionin, zv.kryeministri i Kosovës: Nuk kërkuam ndihmë, ka zero rëndësi

Qeveria e Kosovës nuk po e mirëpret draft statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kryenegociatori në bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi ka thënë se ky draft ka zero rëndësi.

Kosova nuk kërkoi ndihmë sa i përket hartimit të një draft statuti për Asociacionin, e rrjedhimisht, nuk ka relevancë propozimi i kryeministrit Rama, konsideron zëvendëskryeministri Bislimi.

Ai në një intervistë për Al Jazeera Balkans ka thënë se këto negociata janë mes Kosovës dhe Serbisë dhe në rast se kanë nevojë për përkrahje, do të kërkonin ndihmë.

“Diskutimet apo negociatat janë mes Kosovës dhe Serbisë drjet normalizimit të marrëdhënieve. Këto negociata janë mes kosovarëve dhe serbëve. Nëse përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë nevojë për përkrahjen nga miq dhe ndërkombëtarë…në këtë pikë ne nuk kërkuam që dikush të na ndihmojë për draft statutin. Për këtë arsye, nga përspektiva ligjore ky propozim ka zero relevancë.” – ka deklaruar ai.

TRENDING

Exit mobile version