Shkrime

Rama duhet rrëzuar, do bëhet edhe me shumë i dhunshëm

Nga Kim Mehmeti

Tiranën, si edhe e gjithë Shqipëria, e ka përfshirë egërsia politike, egërsi e cila në vend që atë ta bëjë kryeqendër të pajtimit dhe bashkimit mbarë shqiptarë, e ka bërë kryeqytetin e grindjeve dhe përçarjeve ndërshqiptare.

Tirana, njësoj si edhe i tërë mëmëdheu, është bërë dekor për spektaklin gënjeshtar që ka për qëllim të mbulojë kriminalizimin dhe plaçkitjen që i është bërë vendit, që të fshehë të vërtetën se popullit i është lënë vetëm një e drejtë: që lirshëm të jetojë varfërinë e vet!

Tirana më duket si e dhunuar, që vazhdon të ngjitet lartësive qiellore, duke u shkëputur nga e vërteta e saj shqiptare dhe, sa më shumë ajo lartësohet, aq më e thellë bëhet gropa e krimit ku zhytet Shqipëria, ku “kalbet” mëmëdheu ynë i drejtuar nga regjimi i “Rilindjes”, i marr peng nga aleanca e “qelbësirave”, aleancë që është shumë pro “perëndimore”, por aspak pro shqiptare. Shqipëria e sotme viteve të fundit përballet me pamundësinë për të shpëtuar vetveten, për të mos u bërë vend ku do ketë kush të vdes dhe kush të lindë fëmijë.

Shqipërinë e sotme e ka mbuluar “plehu” politik i tri dekadave pas socialiste. Gabojnë ata që mendojnë se ky “pleh” përbëhet vetëm nga mbeturina partiake. Jo, në atë grumbull bëjmë pjesë edhe ne që i ndihmuam hajdutët e partisë sonë që të mundin hajnat e partisë kundërshtare, ne që e gënjyem popullin po aq sa edhe politikanët, ne që majmeshim duke ngrënë në grazhdet partiake e qeveritare.

Kryeministri i Shqipërisë rrënon ngrehinat e kundërshtarëve të vet politikë, duke shpresuar se pluhuri i tyre do mbulojë kriminalizimin e shtetit. Edi Rama do bëhet gjithnjë e më i dhunshëm dhe gjithnjë e më shumë do  shpërfaq të vërtetën se e ka humbur pushtetin mbi vetveten. Sipas meje, piktorit i kanë mbetur vetëm dy zgjidhje: ose vendin do e fut në destabilitet të përhershëm, ose ai vetë do bëhet diktator. E nëse ai do bëhet diktatori i radhës, kjo do dëshmojë se shqiptarët mund të “prodhojnë” vetëm diktatorë.

Sipas meje në Shqipëri nuk kanë më asnjë kuptim protestat partiake disa orëshe.  Mendoj se Shqipëria ka nevojë për lëvizje të përmasave gjithë popullore. Jam i bindur se regjimi i “Rilindjes” nuk rrëzohet me votë ngaqë ai është ndërthurje “qelbësirash” dhe si i tillë, ai nuk ka zgjidhje tjetër përpos ta shndërrojë shtetin në pronë të vet. Ai nuk duhet rrëzuar me dhunë por me protesta që të ndjejnë frikën dhe të respektojnë vullnetin politik të popullit, gjë që vështirë të arrihet në shoqërinë tonë ku mungon guxim qytetarë dhe mendimi kritik, në një Shqipëri ku ajka rinore po braktisë vendin dhe shteti është shndërruar në një kënetë politike, ku dëgjohet vetëm krrokama e mbështetësve të regjimit.

 

TRENDING

Exit mobile version