Politike

Rama në kantierin e Rindërtimit të lagjes së re qendrore të Vorës.

Në lagjen e re qendrore të Vorës po vijon intensivisht puna për ndërtimin e rrjetit rrugor në një sipërfaqe prej afro 10 hektarësh. Aty do të rilindë qendra e Vorës, me infrastrukturë të standardeve bashkëkohore, sipas një projekti që do të ndryshojë krejtësisht panoramën e qytezës. Ky investim do t`i shërbejë në mënyrë të drejtpërdrejtë 404 familjeve, të cilat do të akomodohen në banesat që parashikohen të ndërtohen brenda këtij kompleksi.

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot, në terren, punimet për ndërtimin e infrastrukturës së plotë në zonën 1 të  Vorës, ku tanimë është realizuar infrastruktura nëntokësore. Ministri i Rindërtimit Ahmetaj shpjegoi se qëllimi i kësaj faze është ndërtimi i infrastrukturës së plotë që do shërbejë si bazë për ndërtimin dhe funksionimin e banesave individuale dhe banesave kolektive.  “Këtu janë gati të gjitha rrugët me nivele, atë që projekti i referohet si bulevard, apo rrugët e gjithë perimetrit të zonës së re të ndërtimit. Këtë javë rrëzohen të gjitha pallatet që janë vlerësuar për t’u rrëzuar, DS5 dhe aty fillon dhe bulevardi që vendos edhe profilin e ri të Vorës.” – u shpreh Ministri Ahmetaj, i cili njoftoi gjithashtu se javën që vjen nis puna për ndërtimin e pallateve në Durrës. “Sot, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do nxjerrë fituesit për dy pallatet në Durrës. “Zyrtarisht që nga sot kemi një bashkim operatorësh që do të dalë nga procesi dhe do të fillojë menjëherë punë për themelet e pallateve që javën që vjen.”

Kryeministri u njoh nga drejtuesit e punimeve me detaje të projektit, i cili parashikon si ndërhyrje kryesore realizimin e rrjetit rrugor në zonën përreth dhe brenda kompleksit të banimit; realizimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut; realizimin e punimeve për furnizimin me energji elektrike dhe rrjetin e telefonisë; si dhe ndriçimin rrugor dhe pajisjen me sinjalistikë rrugore.

Kryeministri Rama vizitoi edhe kopshtin e ri “Muçaj”, i cili është pranë përfundimit dhe do të hapë dyert për fëmijët më 26 nëntor të këtij viti. Kopshti po ringrihet nga themelet falë Programit të Rindërtimit të Objekteve Arsimore, duke garantuar jo vetëm strehim të sigurt për vogëlushët, por edhe kushte model ku ata të mësojnë dhe të argëtohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version