Shkrime

Rama po rishpik vetveten, nuk i mjafton as mandati i tretë

Nga Lorenc Vangjeli

Kundërshtarët e tij mund t’i numërojnë një mijë e një mëkate. Si kryeministër dhe si qenie njerëzore. Për Berishën dhe Metën, që e kanë shpallur armik final, ai është fajtor edhe për kryqëzimin e Jezu Krishtit. Miqtë e tij, tek të cilët vetë Rama rekruton me qejf tharmin e kundërshtarëve rishtarë, mund të numërojnë të 99-tat për të, por janë të bindur se Viti Zero në Shqipëri, fillon pikërisht me Ramën.

Të paktën gjysma e shqiptarëve që shkojnë të votojnë, megjithatë, e konsiderojnë atë ende si ofertën më të mirë politike në vend. Të gjitha këto kategori së bashku, kritikën kryesore – e përmend dhe Rama vetë – e kanë tek bindja se “Ai të lëshon!”. Dhe me “Ai të lëshon!”, edhe armiqtë, edhe kundërshtarët, edhe miqtë që janë të destinuar të rrallohen sa më shumë i shtohen vitet në pushtet, kanë parasysh bindjen se, mbas cdo lumi që kalon, Rama i harron kuajt që e nxorrën në breg dhe mbas cdo rrebeshi që shterr, ai nuk e falenderon më cadrën.

Dy kategoritë e para kanë të drejtë në bindjen e tyre. Eshtë normale, tipike për bardh e zinë e politikës në Tiranë, që kundërshtari, aq më tepër kur bëhet fjalë për Piktorin atipik, të vizatohet me ngjyra që huazohen nga gëzofi i djallit. Problemi qëndron me të tretët, me njerëzit e Ramës. Një pjesë e tyre kanë kohë që jetojnë në bindjen se janë mall për t’u shitur, sidomos tani kur kanë nisur të ndjejnë tentativa për ndryshime në hierarki brenda maxhorancës; disa ndjejnë pasiguri për atë që do të sjellë vjeshta për karrierën e tyre në rastin më të mirë dhe disa të tjerë, për raportet e pritshme me drejtësinë, në rastin më të keq. Në secilin prej këtyre rasteve është e pritshme që sjellja e kryeministrit të reflektojë thjesht atë që ai e konsideron interesin më të mirë për pushtetin e tij, cka me të gjitha gjasat, do të prishë shumë interesa vetjake të njerëzve pranë tij.

Riformatimi i mundshëm i qeverisë diku nga vjeshta, një nevojë që ndoshta Rama ka muaj që e sjell ndër mend, me shumë gjasa do të krijojë të tjera pakënaqësi në një tokë të rrëshkitshme interesash, por edhe zilish reciproke, xhelozish të egra dhe shkëmbim thikash mes “kolegësh” në PS. Ndonëse ende e padukshme, aksioma për luftën më të ashpër brenda llojit, nuk është e llojit unik në PS, por në PS gjen vërtetimin e saj të rradhës.
Pjesa tjerër, ajo që ka raporte frike me SPAK-un, ndjehen viktima të frazës së Ramës: “Përgjegjësia është individuale!”. Një frazë që ata e konsiderojnë jo vetëm si heqje dorë dhe dorëheqje e Ramës nga cdo bashkëpërgjegjësi, por edhe për hedhjen e tyre si kurban në duart e drejtësisë. Por fiks kjo frazë, pavarësisht mëkateve që gjithkush rend t’i numërojë Ramës, është fraza më e saktë që Rama ka thënë ndonjëherë. Ajo është korrekte politikisht dhe formalisht!

Nuk ka asnjë dyshim, përgjegjësia është individuale. Dhe kush ka gabuar, kush ka rrasur duart në thesin e parave publike, duhet të paguajë individualisht. Madje tre herë dhe trefish. Edhe penalisht, edhe politikisht, edhe moralisht. Penalisht për aq sa i peshon kandari i drejtësisë, politikisht, për t’u larguar nga politika dhe moralisht, për të mbajtur peshën e turpit publik. Prognoza është e zymtë për disa që e panë karrierën politike si një pjesë e kolegëve të tyre të djathtë, që ende shpresojnë se koha që kanë kaluar në opozitë, ka qenë purgatori që i ka pastruar nga mëkate ngjethëse. Rasti i Doktorit është dëshmia më e qartë se kohë për t’u turpëruar ka gjithmonë me bollëk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version