Politike

Rama: Studentët e mjeksisë nuk do marrin diplomën

Kryeministri Rama në një takim me rektorët e Universiteteve Publike dhe Jopublike, ka folur dhe për studentët e mjeksisë që mbasi mbarojnë studimet vendosin të largohen nga Shqipëria, për një pagë më të mirë që vendet e tjera ua ofrojnë. Rama u shpreh i prerë se për studentet e mjeksië do funksionojë ndryshe, sipas tij studentet duhet t’ia kthejnë popullit të gjithë punën dhe më pas mund të pajisen me diplomën.

Edi Rama: Italia sot ka 40 mijë mjekë dhe infermierë mungesë. Ne nuk do presim të shkojmë në atë stad. Kështu që e para, diplomën e mjekët nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do shkosh një herë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë për ty, pastaj do marrësh dhe diplomën e pastaj shko ku të duash, sipas afateve të caktuara. Për më tepër, e dimë shumë mirë se si në shumë vende, mjekët që janë standardi më i lartë i shërbimit human, nuk i marrin diplomat menjëherë por duhet të tregojnë dhe që janë të zotë tu shërbejnë njerëzve përveç se të japin provime, se nuk mund të vazhdojë kjo histori kështu. Ashtu sikundër, do vazhdojmë siç kemi filluar betejën në nivel ndërkombëtar në komunitetin e ri politik europian, për pjesën që fola për universitetet, do vazhdojmë të kërkojmë mbrapsht të na e kthejnë investimin. Duan t’i marrin në Gjermani, t’i marrin, por duhet të kthejnë investimin. Nuk mund të paguajë populli shqiptar për mjekët e Gjermanisë. E nuk është vetëm Gjermania se ka dhe vende të tjera. E kam fjalën që Bashkimi Europian, duhet të gjejë formën që të kthejë diçka në mënyrë që… e nëse ne kemi mundësi edhe për vete, edhe për Europën, nuk ka problem. Nxjerrim më shumë, me të njëjtën cilësi, duke krijuar sinergjitë me universitetet e tyre, pra duke u dhënë mundësi që të kenë diploma të së njëjtës vlerë, jo vetëm kur dalin nga universiteti i mjekësisë, por dhe nga mjekësia në Durrës, por dhe nga të tjera burime. Ama ne nuk mund të jemi në këtë pozitë pasive, kjo është çmenduri. Tregu atje ka një kapacitet thithës dhe ka një ofertë që jo ne, por po ju them Italia, 40 mijë sot mungesa.

TRENDING

Exit mobile version