Aktualitet
Raporti që nuk përshkruan zgjedhjet, por Ramën
Në komunikim publik ka dy rrugë për t’i bërë pritë një materiali të pafavorshëm: ose i del para dhe flet vetë për të, para se ta bëjë kundërshtari, ose mundohesh të ndërrosh temën e diskutimit. Një ilustrim i kësaj është, për shembull, filmi amerikan “Wag the dog”, ku njerëzit e komunikimit të Presidentit shpikin një luftë me Shqipërinë për të mbuluar një skandal të brendshëm.
Edi Rama zgjodhi “paketën e maleve” për të fshehur vargmalin e madh të farsës elektorale, pohuar qartë në raportin final të OSBE-ODHIR. Një gjetje e dobët duke e ditur se ka pak interes për një temë të tillë.
Rama zgjodhi këtë shteg, jo për ta luftuar me kundërbreshëri raportin për të cilin po fliste Berisha, por për ta shpërfillur me një nëntemë. Pak a shumë për të thënë: vazhdoni ju me korin, unë kam punët e mia; qentë le të lehin, karvani shkon përpara.
Punë e tij.
Por, damka që vuri mbi zgjedhjet vula e institucionit botërisht të pranuar si monitorues dhe certifikues i tyre, OSBE-ODHIR, do t’i shfaqet Ramës si Hamletit fantazma e të atit. Do të jetë një gjë që nuk do të mund të shmanget, as me batuta anti-Trump as me arrogancë kundër kryeministrit të një vendi më të vogël, Mali i zi, as me atlete të bardha.
Shqipëria, 33 vjet pas ndarjes me shtetin autoritar, ka prodhuar, nën drejtimin e Ramës, pikërisht atë veçori që i dallon regjimet autoritare: partia dhe shteti i kanë kufijtë e mjegullt, pra nuk janë të ndarë, siç i ka hije një demokracie.
Kjo është targa që Edi Rama dhe përfaqësuesit e qeverisë do të mbajnë sot e tutje në takime, konferenca, intervista e me radhë.
Në tratativat me BE, Rama nuk do fshihet dot më pas uljeve në gjunjë apo ‘dear Edi’. Pesha e zgjedhjeve të manipuluara, hija e farsës, do të rëndojnë tani në negociata.
BE-së i mbetet të bëjë si Rama, të shpërfillë raportin e zgjedhjeve, ose të bëjë detyrën dhe të kuptojë se ky raport është mina që qëndron poshtë të gjitha negociatave.