Bota

Rezoluta historike: Rusia, regjim terrorist

Në një sesion historik në Strasburg, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, organizata ndërkombëtare e themeluar në vitin 1949, u kërkoi 46 vendeve anëtare të njohin Rusinë si “regjim terrorist”.

Kërkesa, e miratuar pothuajse unanimisht, u kërkon qeverive që të mos njohin në asnjë mënyrë aneksimin e territoreve ukrainase nga Rusia, as referendumet e imponuara nga Moska në rajonet e Donetskut, Luganskut, Khersonit dhe Zaporizhzhisë.

Pak minuta pas miratimit me 99 vota pro dhe një abstenim, fjalën e mori presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, permes një lidhje video.

“Rusia dëshiron vetëm të përdorë gjuhën e terrorit. Ky fakt duhet të njihet në të gjitha nivelet: politik, gjyqësor dhe në fushën e betejës në Ukrainë, duke mbështetur aftësitë tona mbrojtëse.Unë jam mirënjohës që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është organizata e parë ndërkombëtare që e përkufizon Rusinë si një shtet terrorist” – tha presidenti ukrainas.

Duke falënderuar Zelennskyn, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u shpreh:

“Duarrokitjet që sapo ka marrë tregojnë se sa shumë e vlerësojmë guximin, vendosmërinë e tij, por edhe fjalët e tij dhe mençurinë që ka ndarë me ne se si ta mbyllim këtë luftë sa më shpejt dhe të rivendosim drejtësinë, sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendit të tij”.

Rezoluta, e cila gjithashtu bën thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të gjykuar krimet e luftës të kryera nga trupat ruse në Ukrainë, përfaqëson një “shuplakë morale” për strategjinë luftarake të Moskës.

Vendimi i Asamblesë së Këshillit të Evropës vjen një ditë pas “Jo” së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për aneksimin e katër rajoneve në Federatën Ruse. Asambleja gjithashtu bëri thirrje që negociatat e paqes të zhvillohen “vetëm në kushtet e Ukrainës”.

TRENDING

Exit mobile version