Shkrime

Rikthimi i Berishës, fitore e rendit ekzistues

Nga Blendi Kajsiu

Tashmë që Berisha ka marrë frenat e opozitartizmit politik, bashkë me Ilir Metën/Metajn, po bëhet gjithnjë e më e qartë që rikthimi i tyre është një fitore e rendit ekzistues apo e statu quo- së. Me këtë të fundit nuk kuptoj thjesht “regjimin Rama” sic e quajnë kritikët e tij. Pushteti i Ramës është vetëm një nga elementët e rëndësishëm të rendit ekzistues. Por ky rend shkon shumë përtej kryeministrit dhe pushtetit aktual.

Ai përbëhet nga një sistem politik thellësisht bipolar dhe anti-demokratik ku dominon ideologjia neoliberale, një sistem ekonomik jo-produktiv që bazohet tek kapja e shtetit dhe një sistem mediatik që është shëndërruar në një shtojcë të hapësirës politike dhe ekonomike. Është e rëndësishme të kuptohet rendi ekzistues në tërësinë e tij, sepse përqendirnmi tek aktorët specifik, Rama, Berisha po Metaj, injoron lidhjen e tyre simbiozike që mban në këmbë dhe
legjitimon rendin aktual. Pavarësiht se urrehen realisht dhe shahen pafund në televizor ata legjitimojnë njëri-tjetrin dhe rendin ekzistues në përgjithësi.

Karakteristika kryesore e këtij rendi është korruptimi. Me korruptim nuk kuptoj thjesht korrupsionin si abuzim të postit publik për interesa private, por degradimin e rendit aktual. Është diferenca e thellë mes asaj që ky rend premton dhe atë që ofron, mes idealit dhe realiteti.

Në dimensionin politik na ofrohet demokracia, modernizimi, evropianizimi apo anti- korrupsioni ndërkohë që në realitet sistemi ynë politik është feudal, i korruptuar dhe shumë larg vlerave moderne evropiane. Partitë politike janë shëndërruar në feude familjara, PD-ja në shtëpinë e Berishajve, LSI në shtëpimë e Metajve dhe PS-ja në shtëpinë e Ramës.

Në sferën politike degradimi më i madh dhe i dukshëm është ai i qeverisjes aktuale. Ajo pretendon se ka prodhuar modernizimin dhe evropianizmin e vendit, meritokracinë, civilizimin dhe demokratizimin e politikës, sidomos përballë opozitës “shpellare” në gjuhën private të pushtetit. Ama ajo që ofron pushteti aktual është një qeverisje thellsisht feudale ku kryeministri ka marrë tiparert e një pashai të rrethuar nga sejmenë. Republika parlamentare është korruptuar në një republikë kryeministrore.

Parlamenti, organi sovran sipas Kushtetutës, është reduktuar në vulë të ekzekutivit. Partia Socialiste është transformuar në një varrezë të diskutimit, debatit dhe karrierës politike. Ndërkohë që ministrat janë reduktuar në vartës anonim të kryeministrit. Modernizmim i administratës publike, nga ana tjetër, është reduktuar tek dixhitalizimi a thua se korrupsiomni dhe kapja e shtetit është një problem thjesht teknik që e zgjidh interneti. Ndërkohë nuk ka asnjë progres themelor në aspektet bazë të një administrate publike moderne dhe efikase që janë meritokracia dhe pavarësia nga pushteti politik. Ndaj gëlojnë skandalet korruptive si incerentorëve ku shteti i paguan miliona euro firmave fantazëm, apo rrugë ku kilometri kap cmime stratosferike. Shpirti i shtetit që është administrata publike nuk ekziston, ekziston vetëm administrata politike që është një zgjatim i bindur i kryeministrit, ashtu sikurse gjatë gjithë tranzicionit.

E thënë ndryshe qeverisja aktuale nuk ka ndërtuar shtet, por thjesht pushtet për kryeministrin aktual, përballë të cilit socialistët dikur të zhurmshëm dhe debatues tashmë nuk pipëtijnë. Për pasojë mungon vizioni qeverisës, sepse qeverisja është reduktuar tek tekat, humori dhe vullneti i kryeministrit. Në qeverisjen aktuale nuk ka grup, nuk ka ekip ndaj nuk ka vizion qeverisës, por vetëm një individ tejet të vetmuar në majë të piramidës që ka ndërtuar nga ku sheh me përçmim jo vetëm kundërshtarët por edhe bashkëpuntorët. Ndaj edhe kur kemi lajthitje kryeministrore, sic ishte deklarata e Ramës se BE-ja duhet ta
mirëkuptoj Serbinë dhe presidentin e saj Vuçiç kur refuzon ti vërë sanksione Rusisë, nuk pati asnjë reagim në kampin socialist. Nuk ekziston asnjë kundrapeshë apo mendim ndryshe as brenda qeverisë, as brenda grupit parlamentar dhe as brenda Partisë Socialiste (duke përjashtar ndoshta Erjon Braçen). Në një qeveri evropiane apo normale deklarata e Ramës duhet të kish prodhuar dorëheqjen e ministres së jashtme, sepse asnjë diplomat shqiptar nuk mund të rreshtohet me Serbinë e Vuçiçit përballë BE-së. Po ne nuk kemi ministri të jashtëme, nuk kemi diplomaci, kemi vetëm një kryeministër që mendon se është i mjaftueshëm.

Ky është realiteti i qeverisjes aktuale që përveç kapjes së shtetit nga krimi dhe korrupsioni ka prodhuar edhe një rrumapllë qeverisëse që i ka hequr çdo shpresë shqiptarëve për një të ardhme më të mirë. Është një realitet thellësisht feudal, aspak modern dhe shumë larg vlerave demokratike evropiane që nënkuptojnë debatin e hapur dhe transparencën në qeverisje. Përtej fasadës së kullave të qelqta që janë imitime të modernitetit qëndron një pashallëk politik që bazohet tek vasaliteti, ku kryeministri sundon në mënyrë arbitrare më shumë se autoritare, me arrgoncë më tepër se me totalitarizëm.

E vetmja gjë që mund ta legjitimojë një qeverisje të tillë është një opozitë edhe më e korrptuar se qeverisja. Ndaj jo vetëm duhej bllokuar reformimi i PD-së por në krye të saj duhej sjellë Berisha, dora vetë, në aleancë me Ilir Metën që tashmë rezulton se nuk i dinim as emrin! Ky është niveli i transparencës që na ofron një politikan i tillë. Ka 30 vite që gënjën edhe për emrin, imagjinoni të tjerat. Kaq mjafton për të kuptuar sa e besueshme është opozita sot.

Për të gjitha këto këto arësye pushtetit të Ramës i duhet opozita Berisha – Meta. I duhet një opozitë që jo vetëm nuk reformohet por shënon regres. Ndaj sapo u krijua mundësia minimale që PD-ja të reformohej realisht pas dorëheqjes së Bashës, që hapi rrugën për një garë reale pa dyshen e korruptuar Berisha-Basha, gjykata ia dha PD-në Berishës nëpërmjet një gjyqtari që ishte në konflikt të hapur interesi. Cuditërisht nuk foli asnjë nga autoparlantët që sulmojnë cdo ditë SPAK-un edhe kur arreston deputetë apo ministra të pushtetit.

Por opozita aktuale nuk i shërben vetëm pushtetit socialist por edhe sistemit tonë ekonomik, apo oligarkëve siç i quajnë rëndom. Së pari, asnjë nga oligarkët aktual nuk rrezikohet nga ardhja në pushtet e Berishës apo Metës. Kanë bashkëpunuar me të dy shumë mirë dhe për shumë vite. Së dyti, opozita aktuale nuk i bën asnjë kritikë ideologjisë neolberale që është baza e justifikimit të kapjes së shtetit nga aktorët privatë.

Qeveria Rama vazhdoi të njëtën llogjikë qeverisëse të nisur nga Berisha duke e lënë të vdesë ARMO-n edhe kur çmimet e naftës shkuan në stratosferë. Ai argumentonte se rafinimi i naftës nuk ishte me rendiment sepse cilësia e naftës sonë është shumë e ulët. Sot kur e dëgjon Ramën të na thotë se tek ne është zbuluar naftë e cilësisë së lartë, mendja të shkon tek ARMO e shkretë që po shkon për skrap.

Por asnjë media nuk merret me inkoherenca kaq të vogla të kryeministrit tonë, si industria e naftës. E çfarë rëndësie ka industria e naftës kur pushteti na ofron vazhdimisht mundësinë të merremi me Berishën, Metën apo Irfanin.

Shembulli më i fundit i korrupsionit dhe inefikasitetit të llogjikës neoliberale është rasti i incerenatorëve. Nën llogjikën se privati është më i aftë se shteti që nuk ka lekë, i jepet e drejta një firme fantazëm, pa eksperiencë dhe pa kapitalin e nevojshëm të ndërtojë një incerenator me lekët e shtetit, dhe të bëjë diegien e mbetjeve po me paratë publike. Pra kemi krijimin e një monopoli privat me para dhe fitime tërësisht nga buxheti shtetëror.

As Berisha dhe as Meta nuk ofrojnë një kritikë apo alternativë ndaj kësaj ideologjie. Në të gjithë aferën e incerenatorve opozita asnjëherë nuk ka ngritur pyetjen elementare: Përse një monopol që ndërtohet dhe mbahet me paranë publike duhet të jetë privat? Shqetësimi i tyre i vetëm është se po vjedh Rama. Ama asnjëri prej tyre nuk e kritikon llogjikën e ndërtimit të incerenatorëve apo të PPP-ve të famëshme. Ata janë dakord me llogjikën neoliberale, thjesht mendojnë se Rama po e zbaton keq. Ndryshe nga partia e Metës që një aferë si incerenatorët do ta bënte pa korrupsion. Pak rëndësi ka që ministri Lefter Koka që e bëri korrupsionin ishte i LSI-së.

Prandaj oligarkët ndihen mirë me Berishën dhe Metën si alternativë, pasi ata nuk përbëjnë asnjë kërcënim për sistemin ekonomik që i ushqen ata me paranë dhe pronën publike. Me programin e famshëm të Berishës “Shqipëria 1 euro” qeveria Rama po i fal privatit tokën më të çmuar në bregdetin tonë jugor me 1 euro për metër katror! E megjithatë nuk ka asnjë kritikë të kësaj politike nga opozita sepse është kjo fundit që e prodhoi atë. Janë politika të tilla që prodhojnë dhe majmin oligarkët në kurriz të qytetarëve të thjeshtë. Ndaj goditja ndaj oligarkëve nuk bëhet thjesht duke i përmendur emrat e tyre në televizor apo duke i telendisur në publik, por duke ndryshuar sistemin ekonomik që i ushqen. Dhe ideologjia neoliberale është një element kyc i këtij sistemi, i kapjes së publikes për interesa
të ngushta private.

Së fundmi, rikthimi i Berishës legjitimon edhe një sistem mediatik që bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm përballë një pushteti dhe opozite krejtësisht të delegjitimuar. Sa më shumë qeveria Rama zhytet në skandale, sa më shumë del në pah korrupsioni i saj aq më të rëndësishëm bëhen gazetat apo analistët që i bëjnë fresk. Ndërkohë puna e tyre me Berishën dhe Metën përballë lehtësohet pafund.

Rikthimi i Berishës dhe Metës në pushtet sot legjitimon rikthmin e Ramës nesër. Nëse sot rikthehet në pushtet një opozitë e pareformuar e tipit Berisha-Meta, përse nesër nuk duhet të ndodhë diçka e tillë me opozitën Rama? Me të ardhur në pushtet, qeveria Berisha-Meta do kthehet shumë shpejt në të keqen më të madhe, ndërkohë që Rama thjesht duhet të presë rradhën në krye të opozitës ose të çojë aty Bashën e vet, Erion Veliajn. Pra llogjika e kritikëve më të zëshëm të Ramës na dënon ta kemi atë përjetësisht në politikë, në vend që të rrisë standartin politik që e nxjerr atë jashtë loje.

Lajmi i mirë është se fitorja e rendit ekzistues, ashtu sikurse edhe rikthimi i Berishës në politikë është, sa e përkohshme aq edhe pirrike. Berisha tashmë është një fenomen politik tejet i rrudhur dhe i tkurrur për tu përdor nga Rama si gogoli pas të cilit ai fsheh keq-qeverisjen. Për të njëjtën arësye as Berisha dhe as Meta nuk mund të fshihen pas Ramës. Së fundmi, as mediat dhe as analistët nuk mund të fshihen më pas Ramës, Berishës apo Metës, pasi janë delegjitmuar përballë opinionit publik duke u marrë pafundësisht me ta.

Herët a vonë, ndryshimi është i pashmangshëm. Përballë keq-qeverisjes, korrupsionit qeveritar dhe krizës socio-ekonomike që po thellohet gjithnjë e më shumë protesta qytetare është e pandalshme. Ajo nuk do mund të manipulohet nga qeveria dhe as të kontrollohet nga opozita aktuale. Aty do formësohen filizat e ndryshimit të një shoqërie që nuk është se vuan nga mungesa e kapaciteteve aq sa nga dekurajimi i tyre. Ndaj optimizmi nuk është thjesht detyra jonë qytetare por një mundësi reale!

TRENDING

Exit mobile version