Politike

Rindërtimi – Rama inspekton Shkollën “Bedrie Bebeziqi dhe një nga 12 pallatet e reja

Programi i Rindërtimit të objekteve arsimore po mundëson rifunksionimin e qindra shkollave, të shkatërruara në themel nga fatkeqësia e nëntorit të shkuar. Një prej tyre, shkolla 9 vjeçare  “Bedrie Bebeziqi“ e cila pësoi të njëjtin fat si shumë objekte të rrënuara në Durrës, po ringrihet më e fortë, më e bukur dhe më e sigurt, në qendër të qytetit.
Shkolla e re do të ofrojë kushtet më optimale për 450 nxënës. Për të inspektuar ecurinë e punimeve të saj ishte sot në Durrës, Kryeministri Edi Rama.
“Është një objekt, i cili u dëmtua nga fatkeqësia dhe rindërtimi nisi menjëherë me shembjen e objektit. Janë 450 nxënës që do të akomodohen në këtë godinë. Janë 12 klasa, 4 laboratorë. Objekti zhvillohet në 4 dhe në 5 kate. Shkolla është e pozicionuar në qendër të qytetit. Korridori është me klasa të pozicionuara në një anë të tij, duke marrë dritë kështu nga të dy anët. Korridori është me shkallë emergjence dhe shkolla do të ketë një oborr të brendshëm”, – u shpreh Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Shkolla 9 vjeçare “Bedrie Bebeziqi” do të jetë gati për nxënësit dhe stafin e mësuesve brenda muajit janar.
Në Durrës ka nisur ndërtimi i 12 pallate të reja në të njëjtin vend ku pallatet e vjetra e të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar u shembën. Puna për ndërtimin e tyre ka nisur tashmë dhe ritmi i punimeve është i lartë, teksa në gjithë bashkinë e Durrësit janë 2084 familje që do të marrin një apartament të ri.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektuan punën në një nga pallatet që do të ringrihet më i fortë, më i madh, më i bukur se ai para tërmetit shkatërrimtar. “Ky është pallati i dytë që ka filluar në Durrës. Në qytet do ndërtohen 12 të tilla, që kanë ardhur nga kërkesa e banorëve për të mos u spostuar dhe për t’u bërë në të njëjtin vend. Në total janë 597 apartamente në këto 12 objekte. Po t’i shtojmë Spitallën dhe objektet që do ndërtohen në njësitë administrative dhe në Manzë kemi në total 2084 apartamente në gjithë qytetin e Durrësit”, – tha kryebashkiakja Sako.
Kjo godinë e re do të jetë me 7 kate, ku kati i parë do të jetë i dedikuar për njësi tregtare, ndërsa 6 katet e tjera do të jenë për banim. “Sot kemi në Durrës përfaqësuesin më të lartë të kompanisë nga Emiratet e Bashkuara që ka marrë përsipër ndërtimin e gjithë 2000 apartamenteve. Baza do jetë në lagjen e re që do ndërtohet në Spitallë dhe njëkohësisht, edhe këto godinat e tjera të pikëzuara siç i quajmë ne, individuale, pallate që do ndërtohen aty ku faktikisht janë shembur, do të jenë pjesë e të gjithë projektit që  së bashku me kompaninë e famshme të Emirateve do ta çojmë përpara”, – theksoi Kryeministri.
“Kjo ka qenë një periudhë shumë intensive pune, – vijoi Kryeministri – sepse dihet sa shtresa ka kjo punë, që nga pastrimi i shesheve deri tek ndërtimi, por në këtë rast kemi pasur edhe problemin e hartimit të gjithë rrugës së marrëveshjes me qeverinë e Emirateve, që e firmosëm para pak ditësh kur ishim atje. Ata menjëherë kanë çuar njerëzit dhe ka ardhur vetë drejtuesi më i lartë i kompanisë për të vijuar punën. Ndërkohë jemi shumë të lumtur, sepse njëkohësisht është konfirmuar dhe shprehja e vullnetit për të filluar transformimin kolosal të Portit të Durrësit, që do të thotë transformim kolosal i Durrësit, që do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm, sepse do të transformohet në një port turistik. Ndërkohë do të ndërtohet porti i ri dhe me këtë partner që kemi mund të jemi të bindur që do kemi një nga portet më të bukura turistike të Mesdheut në Durrës. Kështu që të gjithë ato që vijnë mbrapa nga pikëpamja ekonomike janë jo thjesht me impakt për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë, si investim që shkon në mbi 2 miliardë dhe vetëm atje, pa llogaritur investimin e portit të ri,  punësimet e të gjitha me radhë”.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version