Politike

Rindertimi – Shkollë, 100% BE

“Shkolla 9 vjeçare Ahmetaq”, në Bashkinë Vorë është objekti arsimor i radhës, i rindërtuar më së miri, me kushtet më optimale për nxënësit dhe mësuesit e zonës.
Shkolla moderne, që u vizitua sot pasdite nga Kryeministri Edi Rama, ka standarde për t’u renditur përkrah shkollave të çdo qyteti të Europës. “Është një shkollë moderne me të gjitha ambientet ndihmëse. Janë 215 nxënës që do të përfitojnë. Ka 8 klasa, 3 laboratorë dhe një palestër”, – u shpreh ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, i cili shtoi ndër të tjera se “Bashkia e Vorës është një nga bashkitë kryesore që përfiton nga rindërtimi i shkollave dhe jo vetëm. Përfiton nga njësitë individuale, nga grantet, nga pallatet, nga infrastruktura.”
Kryeministri Rama vizitoi klasat dhe mjediset e tjera ndihmëse, të cilat janë shtuar dhe zgjeruar, duke mundësuar që shkolla të zhvillohet vetëm me një turn.
Shkolla gjithashtu ka përfituar edhe një hapësirë të bollshme përpara saj, pas prishjes dhe shpronësimit të objekteve të ndërtuara fare pranë shkollës, e cila mund të shfrytëzohet për orë të ndryshme mësimore dhe gjatë pushimit nga nxënësit.
Shkolla e re “Ramazan Subashi”, në Marikaj, Vorë, vjen si një surprizë e bukur për qytezën, por jo vetëm. E cilësuar si një ndër shkollat më të mira të Programit të Rindërtimit, ajo është e bazuar në një projekt inxhinierik fantastik, me 9 klasa, 3 laboratorë, klasat e parashkollorit dhe ambientet teknike, rreth 4 mijë metër katrorë ndërtim dhe mbi 9 mijë metër katrorë sipërfaqe të jashtme oborri, palestra me konstruksion të veçantë, fushat sportive dhe sera, një risi që i përshtatet profilit të zonës, por edhe funksionit si qendër komunitare.
“Shkollë, 100% BE” e vlerësoi Kryeministri Rama, gjatë vizitës që zhvilloi pasditen e sotme, në mjediset moderne të shkollës.
“Është cilësuar në bazë të projektit si shkolla më e mirë e Rindërtimit, ku do të presë rreth 250 nxënës. Ka filluar në 9 qershor dhe ka mbaruar përpara afatit. Ndërkohë që ka një ndërthurje shumë interesante të ambienteve të brendshme sportive dhe ambienteve të jashtme. Kanë ndërtuar edhe një serë, në bashkëpunim me FSHZH-në, për t’ju përshtatur zonës, pasi një pjesë e mirë e zonës jeton me pemtari, me vreshtari, apo dhe me bujqësi të përgjithshme. Ambientet janë realisht të mëdha dhe shumë moderne”, – u shpreh Ministri Ahmetaj.
Kryeministri Rama kërkoi nga drejtuesit që të shfrytëzojnë në maksimum kapacitetin që ky institucion arsimor ofron, jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin. “Ju takon juve – u shpreh Kryeministri, – ta mirëmbani, ta vini në dispozicion të komunitetit, të organizoni aktivitete në të gjithë këto mjedise sportive që keni”.​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version