Sociale

Rindërtimi vazhdon me ritme të shpejta në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti.

Puna për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit vijon çdo ditë, për t’u siguruar që familjet në banesa individuale, vitin e ri ta kalojnë nën një strehë të re, më të mirë e më të fortë se ajo që tërmeti i dëmtoi. Sot, në Kashar, Kryeministri Rama i dorëzoi çelësat e banesës së re familjes së Myrteza Hykës dhe Selman Alukut.  Myrtezai, veç shtëpisë që mori në dorëzim sot, aty pranë saj do të ndërtohet dhe një tjetër për shkak se në shtëpinë e vjetër jetonin dy kurora.

“Në gjithë këtë zonë do të kemi 120 shtëpi të reja. Ky ishte loti i parë me 54 shtëpi dhe do të vazhdojmë pastaj me lotin e dytë”, – tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, teksa informoi se shumë shpejt do të fillojë puna edhe për pallatet në kryeqytet. “Për 10 ditë fillojmë themelet tek “5 Maji” për 9 pallate. Jemi koordinuar me ministrin Ahmetaj, që ditën që ne hapim themelet të kemi dhe kontratën tip për apartamentet e reja, pra, secili të ketë një kontratë. Siç bëhet porosia e një shtëpie, ta ketë në dorë para se të prishet e vjetra e të shohin kur të hidhen themelet e të resë. Për 30 ditë fillojmë në Kombinat. Aty kemi 8 pallate. Duket sikur janë, pak por janë objekte masive, 130 mijë metra katrorë në një vend dhe 140 mijë metra katrorë tek tjetri”, – u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ndërkohë ka filluar edhe puna për ndërtimin e shkollave në Bashkinë e Tiranës. “Filluam me 8 shkollat. Rrëzuam të vjetrat dhe po fillojmë të rejat. E fundit që fillojmë është “Sami Frashëri””, – tha Veliaj.

“Bashkia e Tiranës, sot ka një parti të dytë, 1500-2000 shtëpi, përveç atyre që janë vlerësuar. Vetëm për DS1-DS3 janë aprovuar 9.6 miliardë lekë dhe janë dorëzuar në familje sot, nga bashkitë, 60 milionë dollarë. Një kuriozitet për gjithë qytetarët, nga gjithë buxheti i rindërtimit që është 34 miliardë, sot, të paalokuara në projekte ka vetëm 300 milionë lekë, të gjitha janë të alokuara. E këtu nuk po flas fare për Komisionin Europian, apo për donatorët e tjerë”, – tha ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ahmetaj.

Rindërtimi vazhdon me ritme të shpejta në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti. Banesat po marrin tashmë formë, dita-ditës, për familjet që do të rikthehen në shtëpi të reja, më të mira se ato që humbën nëntorin e shkuar.​

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version