Aktualitet

“Rrafshuan çdo gjë”/ Biznesmeni i njohur shpërthen ndaj Veliajt: Po iu rrëfej një ngjarje me drejtorat hajdutë

Biznesmeni i njohur Nikollaq Neranxi ka rrëfyer një ngjarje personale me drejtorat e Veliajt. Teksa ka publikuar një video nga ambientet e bizneseve Neranxi, biznesmeni shkruan se ia mësyu IMT e Policisë Bashkiake të Tiranës. Ndër të tjera në postim shkruan se ata nuk u kursyen për të rrafshuar çdo gjë, madje duke rrezikuar edhe muret e godinës nga goditjet e fadromës.
Postimi i plotë:
Ju rrëfej një ngjarje të shëmtuar personale me drejtorat hajdutë të Erion Veliajt!
Me 2 shkurt të vitit 2022, në ambientet e bizneseve Neranxi, ia mësyu IMT e Policisë Bashkiake të Tiranës e cila shkatërroi me fadroma mbulesën e një frigoriferi që do përdorej për produktet me të cilat gatuajnë studentët e shkollës tonë. Edhe pse nuk ishte një ndërtim i mirëfilltë, por një modifikim i një ambienti ekzistues, i gjithi në pronën tonë, ata nuk u kursyen për të rrafshuar çdo gjë, madje duke rrezikuar edhe muret e godinës nga goditjet e fadromës.
Por kësaj ngjarjeje i paraprin një tjetër akoma më dramatike, drejtorat e Velijat erdhën paraprakisht që të negocionin mos shkatërrimin në këmbim të një shume të majme parash nën dorë. Përgjigjen time besoj e merrni me mend sepse asnjë qindarkë e imja nuk ka ushqyer kurrë asnjë të korruptuar apo gjobvënës.
Ngjarjen asokohe e denoncova publikisht, ndërkohë që drejtorave të Veliajt iu thashë se fadromat tuaja mund të shembin ndërtesa, por mua më keni në këmbë, ndërkohë që ju nuk do arrini të gëzoni paratë e korrupsionit dhe gjobëvënieve.
E risolla këtë ngjarje pasi sot ata drejtorë janë në burg, ama asokohe që unë denoncova ngjarjen, çuditërisht as Veliajt dhe as Ramës nuk i bëri përshtypje se si një taksapaguesi të rregullt i shkohet me fadroma në ambientet e punës, kot fare pa asnjë arsye, vetëm si presion për të marrë para!!!
Ky degradim pushteti nuk mund të ketë më justifikimin bajat se ata janë vetëm disa individë të korruptuar që hanë kumbulla prapa krahëve të tyre. Unë ju a tregova me zë dhe figurë se drejtorat e tyre kanë hipur në pemën time dhe po hanë kumbullat e mia bashkë me taksat tuaja!

TRENDING

Exit mobile version