Shkrime

Rritet presioni, Vjosa Osmani ‘rrëzon’ qeverinë Kurti, po lista ‘Guxo’?

Nga Ognjen Gogiç

Politologu Ognjen Gogiç tha se nuk i beson spekulimeve se presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të shkaktonte rënien e qeverisë së Albin Kurtit përmes deputetëve të listës ‘Guxo’, sepse, siç tha ai, ekziston një lidhje ideologjike dhe pragmatike mes Osmanit dhe Kurtit. Gjithashtu, ai theksoi se një veprim i tillë nuk do t’i sillte pikë politike Osmanit dhe as listës ‘Guxo’ që ajo themeloi, por për një gjë të tillë votuesit do ta dënonin, ndërsa Vetëvendosje mund të hakmerrej duke nisur procedurën për shkarkimin e saj.

Gogiç u shpreh gjithashtu se bëhet fjalë për një spin që vjen nga opozita, e cila ka interes të tentojë të gjenerojë konflikt mes Osmanit dhe Kurtit.

“Nuk besoj në një skenar të tillë për disa arsye. Së pari, sepse Osmani dikur u largua nga partia e saj, pikërisht për shkak të solidaritetit me Kurtin, atë kohë kur amerikanët po orkestronin rënien e qeverisë së parë të Kurtit, sepse ai ishte treguar i pandershëm me ta, dhe Osmani i qëndroi pranë. Në atë kohë ajo mund të kishte përfituar politikisht duke e lënë vetë Kurtin dhe më pas mund të ishte kryeministre po të donte, por ajo qëndroi me të dhe në njëfarë mënyre rrezikoi. Gjithashtu te mos harrojmë se Vjosa Osmani u bë president i Kosovës falë mbështetjes së Vetëvendosjes”, kujtoi Gogiç.

Sipas tij, nëse partia ‘Guxo’ do të merrte pjesë në rrëzimin e qeverisë së Kurtit, ky i fundit nuk do të mund të bëhej kryeministër dhe as nuk do të merrte mandate të mjaftueshme në zgjedhjet e ardhshme për të qenë lider i ndonjë koalicioni.

“Në rastin më të mirë, kur të zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbahen më së voni në fillim të vitit të ardhshëm, do të ketë presion ndaj partisë së themeluar nga Osmani. Nëse ajo do të hynte në parlament, ndoshta do të ishte nën presion për t’iu bashkuar një koalicioni të përbërë nga të gjithë partitë e tjera opozitare. Pra, për një gjykim më të saktë, më mirë do të prisja që të shikoja kombinatoren e re që do të vijë pas zgjedhjeve”, tha Gogiç.

Megjithatë, nëse do të ndodhte një skenar që Guxo do të ngrinte çështjen e shkarkimit të qeverisë së Kurtit, sipas Gogiç ky do të ishte vetëm një truk që vetë Kurti do ta nxirrte me bashkëpunëtorët e tij për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, nëse mendon se atij do i përshtatet më shumë politikisht.

Duke folur për ngjashmëritë dhe dallimet mes Kurtit dhe Osmanit dhe se si do të ishte ajo si negociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë, Gogiç u shpreh se Osmani është po aq radikale sa Kurti, përsa i përket nacionalizmit, por se ndoshta si pjesëmarrëse në dialog mund të ishte më e moderuar vetëm sepse nuk do të donte të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me pjesën perëndimore të bashkësisë ndërkombëtare.

Siç shtoi ai, Osmani pritej të kishte një qasje tjetër sepse përgjithësisht besohet se femrat në politikë janë më të moderuara, pasi ajo është relativisht e re dhe e shkolluar në Perëndim.

“Prej saj pritej një kurs ndryshe, por ajo u bë ndoshta politikania më radikale në skenën politike të Kosovës. Radikalizmi i saj i referohet Serbisë dhe serbëve, ajo shpesh në daljet e saj publike flet për Serbinë se është një ‘shtet gjenocidal’. Ajo nuk është dikush që ka treguar dashuri dhe vullnet për kompromis me serbët dhe Serbinë. Osmani flet rrjedhshëm serbisht, por ajo asnjëherë nuk iu është drejtuar mediave në serbisht dhe as kabineti i saj nuk ka treguar gatishmëri për të respektuar të drejtat gjuhësore dhe për të ofruar përkthim në eventet publike. Kështu që ajo po e ndërton imazhin e saj politik mbi nacionalizmin dhe një qëndrim antiserb”- potencoi Gogiç

Ajo që e dallon Osmanin dhe Kurti, shtoi analisti, është qëndrimi i tyre ndaj Perëndimit. Edhe pse Osmani është radikale dhe i pakompromis ndaj serbëve, ajo nuk është përkrahëse e përballjes së Kosovës me partnerët e saj perëndimorë.

“Escobar gjatë vizitës së tij në Kosovë theksoi se Osmani është partnerja më e mirë që amerikanët kanë në Kosovë. Ajo nuk do donte të ndiqte një politikë izolacioniste dhe që do dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare perëndimore me çmimin e njëfarë kompromisi në dialogun me Beogradin. Në këtë kuptim, do të ishte më e ndjeshme ndaj presioneve dhe kërkesave që vijnë nga Perëndimi, të cilat ndonjëherë në fakt funksionojnë në favor të palës serbe.

Pra do të ishte pak më e thjeshtë për dialogun dhe ndoshta dialogu do të jepte rezultate më të mira. Ndoshta si pjesëmarrëse në dialog do të ishte më e moderuar që në fund të mos rrezikonte perspektivën evropiane të Kosovës”- theksoi Gogiç.

TRENDING

Exit mobile version