Politike

Rruga e Lumit të Vlorës një transformim i madh infrastrukturor

Kryeministri Rama inspekton punimet në lotin e dytë të rrugës.

 

Rruga e Lumit të Vlorës po merr formë në të gjithë gjurmën e saj. Ajo pritet të sjellë një transformim të madh infrastrukturor, duke i hapur rrugën edhe një transformimi të rëndësishëm ekonomik dhe social të të gjithë zonës.
Në një nga segmentet e këtij investimi strategjik, që pritet të përfundojë para sezonit turistik, u ndal sot për të inspektuar Kryeministri Edi Rama. Konkretisht, aty po vijojnë punimet për ndërtimin e një prej urave të projektit. “Është një urë, e cila zëvendëson urën e vjetër, me të gjitha përmasat dhe standardet e përcaktuara. Është një urë në ndërtim e sipër, janë duke u vendosur trarët dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, ura do të jetë funksionale dhe do ta lidhe gjithë segmentin, deri aty ku ka mbaruar pjesa me asfalt. Është 150 metra e gjatë dhe në fund të dhjetorit është e kalueshme,” – u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Afrim Qendro, i cili ndër të tjera shpjegoi se rruga lehtëson ndjeshëm aksesin në fshatrat turistike të Vlorës dhe në përfundim siguron lidhjen e zonës së Labërisë me detin. “Gjithë aksi zbret në Qeparo, ndërkohë që tek ura Lasko, siç quhet, bëhet lidhja me fshatin Kuç, e cila është pjese e këtij projekti dhe pastaj nga hyrja e fshatit Kuç vazhdon deri në  Kurvelesh të sipërm dhe lidhet me pjesën tjetër në Nivicë. Është një projekt ku po punohet dhe aty dhe përfundimisht e gjithë zona e Labërisë lidhet me detin,” – tha ai.
Impakti do të jetë i menjëhershëm edhe në hapësirat urbane të qytetit të Vlorës që do të marrin frymë më lirisht nga trafiku i rënduar, duke shkurtuar kohë dhe distancë. “Gjithë pjesa nga Fieri, Kosova që do të vijë për detin, nga Himara deri në Shën Vasil, ose deri në Sarandë do ta ketë më të aksesueshme këtej dhe trafiku në qytetin e Vlorës do të jetë më i pakët. Himarë, Borsh, Qeparoi deri në Dhërmi do të kalojë nga kjo rrugë,” vijoi Qendro.
Ndrësa për Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, “të bësh një rrugë, nuk do të thotë të bësh një rrugë ku kalojnë makinat, por t’i sjellësh vendit zhvillim, ekonomi, t’i sjellësh kthim pas të njerëzve, se shumë njerez janë larguar që këtu dhe kanë filluar të kthehen tani.”
Një udhëtim spektakolar përmes luginave e peisazheve të  mrekullueshme, e cilësoi Kryeministri Rama, rrugëtimin përmes kësaj rruge. “Dy akset, aksi që lidh Tepelenën me detin dhe aksi që lidh Labërinë komplet, duke bërë që të mund të përshkruhet rruga nga Vlora deri në bregdet, në anën tjetër në Himarë, me një udhëtim panoramik përmes luginës, fushës dhe kodrave, është një spektakël.”
Por jo vetëm. Nxitja e agroturizmit dhe lidhja më e shpejtë me tregun është një tjetër përfitim madhor për komunitetin e zonës. “Kjo do të nxisë agroturizmin në të gjithë këtë zonë. Do ta kthejë këtë në zonë turistike brenda maleve, sepse është dhe afër detit dhe do të nxisë prodhimin, sepse do të lidhet shumë më shpejt baza prodhuese blegtorale, bujqësore e kësaj zone me tregun poshtë, me gjithë nevojën që ka tregu turistik, por edhe përtej tregut turistik,” – tha Kryeministri Rama.
Gjithashtu, Kryeministri siguroi komunitetin e zonës se investimet që janë ndërmarrë në të mirë të tyre, do të përmbyllen me sukses, pavarësisht rrethanave që mund të sjellin vonesa të ndryshme. “Nëse ka një komunitet, – nënvizoi Kryeministri, – që nuk ka nevojë fare të vërë në diskutim që unë çfarë them e bëj, është komuniteti në këte zonë.“​

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version