Kosova

SA ME SHPEJT, edhe Britania e do Asociacionin në kushtetuese

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson, ka potencuar se është e nevojshme që sa më shpejt të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, meqë ky mekanizëm në vlerësimin e tij është pjesë e rëndësishme e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Asociacioni do të duhej të themelohej që vite më parë. Ne duam të shohim atë të formuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne besojm se është një mekanizëm i rëndësishëm që duhet t’u japë besim komunitetit serb në Kosovë”, ka potencuar ambasadori.

Të njëjtën kërkesë gjatë kësaj jave parashtruan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca e Gjermania. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim. Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

Ndërkaq Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien kërkoi “përparim urgjent” në raport me këtë mekanizëm.

Ndërkaq NTV TELEVIZION ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

TRENDING

Exit mobile version