Politike

Samiti i BE/ Policia ndalon protestën në bulevard

Sali Berisha mund të zhvillojë protestën më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë organizohet samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, por jo në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ para Kryeministrisë ashtu siç ka kërkuar. Kjo pasi kërcënohet siguria kombëtare dhe ajo publike. Kjo është përgjigja që Policia e Tiranës i ka kthyer grupit të Sali Berishës për njoftimin që ata i kanë bërë për kërkesën.

Sipas dokumentit të siguruar nga NTV.AL,  policia i bën me dije të gjitha rrugët të cilat janë caktuar si perimetri i sigurisë dhe brenda këtij perimetri nuk lejohet organizimi i protestës, por që mund të zhvillohet në një vend tjetër. Ndërkohë që Shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se Godina e Kryeministrisë është edhe ajo pjesë e Perimetrit të Sigurisë edhe për shkak të një ‘Plani B’ për organizimin e një Samiti kaq të rëndësishëm, në rast se do të dështonte për arsye të ndryshme plani i parë, ai në Hotel Marriot.

“Në konsultim me strukturat e sigurisë të delegacioneve pjesëmarrëse në këtë Samit, duke respektuar parametrat e sigurisë të Bashkimit Evropian, është përcaktuar perimetri i sigurisë, si më poshtë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshi sheshin “Nënë Tereza Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga ” Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj; Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, muga “Skerdilajd Llagami”. Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj, rruga ” Asim Zeneli, rruga “Themistokli; Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga ” Fatmir Haxhiu”; Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova””, thuhet në përgjigjen e policisë.

Drejtori i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika bën me dije se në rast se shkelet ky vendim do të merren masa.

“Vendosa të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj në datën 06.12.2022, ora 12.00 deri në orën 16.00, në vendin e përcaktuar në kërkesë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim Tuajin për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimietrit të sigurisë. Ju sjellim në vëmendje se, për veprime në kundërshtim me ligjin, do të ndërmerren masa administrative dhe penale, në zbatim të gërmes “a”, neni 24, i Ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 “Per Tubimet”, neni 262 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, përfundon letra e Drejtues i Parë i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika.

ish-Kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar ditët e fundit se më 6 dhjetor, ditën kur të gjithë liderët e Ballkanit do të mblidhen në vendin tonë do të organizojë protestën e radhës, duke thënë se ky do të ishte një rast historik që qytetarët me anë të një proteste paqësore të ngrinin zërin e tyre kundër qeverisjes aktuale.

Organizimi i Samitit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor është cilësuar historik për Shqipërinë dhe imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Është hera e parë që një samit i tillë zhvillohet larg Brukselit, pasi më parë çdo takim është mbajtur në zyrat qendrore të Bashkimit Evropian.

 

TRENDING

Exit mobile version