Politike

Samiti për Ballkanin Perëndimor mbështetje për gjashtë vendet e rajonit, thotë Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e Ri të Rritjes do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit. Samiti që do të mbahet në Tiranë do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

I pranishëm do të jetë edhe Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. Nga lista e pjesëmarrësve, ajo që bie në sy është Kosova. Dhe kësaj here, për nivel përfaqësimi.

Ndryshe nga vendet e tjera që flitet për kryeministra e presidentë, Kosova ka Lulzim Rafunën, kryetarin e Dhomës së Tregtisë.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Dhe për këtë të enjte ka një agjende zyrtare.

Fillimisht Kryeministri Rama do të presë në ambientet e Pallatit të Kongreseve, liderët pjesëmarrës në këtë samit, ndërsa pritet të mbajë edhe një fjalë hapëse bashkë me Komisionerin Várhelyi.

Paneli i parë i diskutimeve do të fokusohet te hyrja në tregun e përbashkët, ndërsa paneli i dytë mbi planin e rritjes.

Po ashtu, në kuadër të këtij samiti do të nënshkruhet edhe një marrëveshje në fushën e arsimit.

Rreth orës 12:30, kryeministri Rama dhe komisioneri Várhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në 13 dhjetor 2023, në Bruksel u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor ku u diskutua perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit evropian.

Në përfundim të këtij samiti u miratua një deklaratë ku BE-ja ripohoi angazhimin e saj të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe kërkoi përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Dhe sa i takon atij të sotshmit, me sy e veshë nga deklaratat…

Çfarë përmban plani i rritjes?

Shtylla e parë përfshin investimin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në shtatë sektorë kryesorë të Tregut të Vetëm Evropian.

E dyta përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor hapjen e kufijve të tyre me vendet fqinje dhe krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

Elementi i tretë është nevoja për reforma, pasi të hapet Tregu Unik dhe të krijohet Tregu i Përbashkët Rajonal në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të krijohet një fushë loje e drejtë dhe e barabartë.

Shtylla e katërt është mbështetja që BE do të japë për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor që të bëjë ato ndryshime.

TRENDING

Exit mobile version