Kronike

Sapo ishte kthyer nga Belgjika, u ekzekutua me snajper, autorët djegin makinën

Një ekzekutim i tipit mafioz tronditi qytetin bregdetar rreth orës 22:05 të mbrëmjes së sotme (7 janar 2024) në rrugën “Hajro Çakërri”, afër poliklinikës qendrore. 23 vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua në ballkonin e banesës së tij, në katin e tretë të një pallati, ku kishte dalë për të pirë një cigare. Dyshohet se vrasja është kryer me snajper. Menjëherë pas krimit forcat speciale RENEA, forcat Delta dhe FNSH rrethuan zonën dhe nisën kontrolle në banesa të ndryshme në tentativë për të arrestuar autorin i cili dyshohet se është ndihmuar nga disa persona të tjerë dhe është larguar me automjet. Një orë pas ngjarjes, në 23:20 është gjetur një makinë tip “BMW” e djegur.  “Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira” informoi sot policia. Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i njohur si ‘buzëderri’, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000. Ndërsa 2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e sotme iu ekzekutua nipi 23 vjeçar. Një nga pistat e hetimit është hakmarrja por dyshohet dhe ajo e trafikut të drogës apo konfliktet mes grupeve kriminale. Forcat RENEA kanë shkuar në mbështetje të forcave të policisë për kontrollin e zonës ku dyshohet se janë larguar autorët. Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli.  Dy persona janë shoqëruar në polici pasi mendohet se kanë qenë dëshmitarë të vrasjes që tronditi mbrëmjen e 7 janarit 2024 qytetin e Vlorës. NTV.AL mëson se ata janë shoqëruar dhe besohet se dëshmia e tyre do të ndihmojë në identifikimin e autorëve. Në momentin kur ndodhi ekzekutimi i Gëzim Sinomatit, ora 22:05 në zonë, në lagjen “Hajro Çakërri”, afër Poliklinikës, nuk ka pasur drita. Nuk dihet nëse kjo ishte planifikuar nga autorët apo ka qenë thjesht një rastësi.

TRENDING

Exit mobile version