Aktualitet

Seminari ripërdorimi i pasurive të konfiskuara nga veprimtaria kriminale

Sot u organizua nga Departamenti për Kërcënimet Transnacionale i Sekretariatit të OSBE-së dhe Zyra e Koordinatorit të OSBE-së për Veprimtaritë Ekonomike dhe Mjedisore,seminarin online “Trajtimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes ripërdorimit të pasurive të konfiskuara nga veprimtaria kriminale”.

Në seminar morën pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në këtë fushë.

Synimi i seminarit ishte rritja e ndërgjegjësimit për dobinë e ripërdorimit të pasurive kriminale të sekuestruara si një e mirë publike dhe si një mjet për të zvogëluar krimin dhe korrupsionin. Veprimtaria ishte pjesë e një sërë seminaresh të tilla rajonale.

FJALA E KRYETARIT TË PREZENCËS

I nderuar Zëvendësministër, Shkëlqesi, të nderuar kolegë, zonja dhe zotërinj!

Kam nderin të hap këtë seminar online, duke u përqendruar te një temë sa e ndjeshme aq edhe kritike për Evropën Juglindore dhe, nëse më lejoni ta them, për të gjithë zonën e OSBE-së.

Këtë çështje mund ta trajtojmë nga disa këndvështrime dhe me një sërë instrumentesh, dhe mbase një nga vështirësitë kryesore qëndron në kombinimin e duhur të politikave dhe masave që duhen ndërmarrë.

Nga njëra anë, kemi ligjin tradicional të sanksioneve, me fjalë të tjera kodin penal. Nga ana tjetër, kemi politikat parandaluese, ku faktorë kryesorë janë transparenca dhe përhapja e kulturës së ligjshmërisë brenda një shoqërie. Të gjithë mund të jemi të një mendjeje për faktin se ilaçet parandaluese shpesh kushtojnë më pak dhe janë më efektive sesa terapia e kujdesit intensiv.

Në të vërtetë, tema e sotme e diskutimit ngre një tjetër sfidë të madhe, përpos parandalimit dhe shtypjes: po flasim për mënyrën e menaxhimit të pasurive të konfiskuara. Në këtë drejtim, Raporti i Komisionit të BE-së për vitin 2020 ka njohur qartë progresin e bërë në sekuestrimet dhe konfiskimin e pasurive nga aktiviteti kriminal, por njëkohësisht ka rekomanduar miratimin dhe zbatimin e rregullave që do të siguronin ripërdorimin e pasurive të konfiskuara në mënyrë të shpejtë dhe efikase, me qëllimin që ato të mos e humbin vlerën e tyre ekonomike.

Unë mendoj se, në mbarë OSBE-në, qeveritë, studiuesit dhe ekspertët përballen me të njëjtat dilema dhe të njëjtat pyetje, në kërkim të metodave jotradicionale dhe të një ekuilibri të duhur midis recetave të njohura dhe formulave të reja. Prania e sotme e ambasadores së SHBA-së, e kreut të Delegacionit të BE-së, e zëvendësministrit të Brendshëm Lamallari, e panelistëve dhe pjesëmarrësve tanë të shquar tregon gjithashtu se kjo temë komplekse – ripërdorimi i pasurive të konfiskuara nga veprimtaria kriminale – është mjaft e gjerë dhe ka një natyrë shumëdimensionale.

Pikënisja është aftësia për të kryer hetime të sakta financiare. Po flasim për hetime të një natyre shumë të vështirë, që kërkojnë aftësi dhe mjete specifike.

Një sfidë tjetër ka të bëjë me ndikimin shoqëror të masave gjyqësore që çojnë në konfiskimin e pasurive nga aktiviteti kriminal. Ka vende pune të cilat vihen në rrezik. Ka punëtorë dhe familje të pafajshme që nuk janë në dijeni të faktit se ndërmarrjet për të cilat ata punojnë kanë një origjinë të paligjshme. Këta njerëz janë dy herë viktima. Si t’i godasim veprimtaritë kriminale pa dëmtuar punëtorë të pafajshëm dhe të ndershëm? Si t’i vëmë në dispozicion të shoqërisë civile mallrat dhe pronat e konfiskuara nga organizatat kriminale? Si të promovojmë një dialog gjithëpërfshirës midis institucioneve qendrore e vendore dhe shoqërisë civile për ripërdorimin e pasurive të konfiskuara, me përfshirjen aktive të të rinjve, grave dhe grupeve të cenueshme? Për shembull, përvoja e sjellë nga “Libera” është sigurisht shumë me vend dhe frymëzuese.

Jam i bindur se është tepër e rëndësishme të kemi një perspektivë dhe qasje rajonale në trajtimin e temës shumëplanëshe të ushtrimit të sotëm. OSBE-ja, për natyrën që ka, është në një pozicion ideal për të lehtësuar këtë shkëmbim pikëpamjesh dhe përvojash midis aktorëve kryesorë. Unë e vlerësoj këtë projekt të zbatuar nga kolegët tanë të Departamentit të Kërcënimeve Transnacionale dhe Zyrës së Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore, duke pasur bindjen se përvojat dhe njohuritë tuaja të gjithanshme, si dhe qasja juaj gjithëpërfshirëse për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive mund të jenë në dobi të rajonit në tërësi.

Në fakt, diskutimet e kësaj teme pasqyrojnë disa nga Vendimet e Këshillit Ministror dhe Këshillit të Përhershëm të OSBE-së (Vendimi i Këshillit Ministror 5/06 për Krimin e Organizuar, Vendimi i Këshillit Ministror 4/12 për Përpjekjet e OSBE-së për Trajtimin e Kërcënimeve Trans-nacionale, Vendimi i Këshillit Ministror 4/16 për Forcimin e Qeverisjes së Mirë dhe Nxitjen e Lidhshmërisë, Vendimet e Këshillit të Përhershëm 1049 dhe 1063). Të gjitha këto vendime të OSBE-së kanë nënvizuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e trajtimit të anës financiare të të gjitha formave të krimit, parandalimin e transferimeve të produkteve të krimit dhe ndjekjen e rikuperimit të pasurive nga aktiviteti kriminal si dhe ato të vjedhura. Ky rend veprimesh është gjithashtu veçanërisht i rëndësishëm për të parandaluar financimin e terrorizmit.

Unë kam besim se mbështetja jonë për vendin tonë pritës do të sjellë një ndryshim. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri punon për të forcuar kapacitetin e përgjithshëm të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit, veçanërisht në fushën e hetimeve financiare, konfiskimit dhe kthimit të pasurisë së fituar përmes veprimtarive kriminale. Unë pres që ky seminar të ndiqet në vazhdimësi edhe nga aktivitete të tjera të tjera të ngjashme.

Do të doja të shprehja mirënjohjen time për partnerët e financimit, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Italinë.

Gjithashtu i nxit partnerët tanë shqiptarë të vazhdojnë të ecin përpara, të ndajnë historitë e tyre të suksesit, duke mësuar ndërkohë edhe nga kolegët në rajon dhe në gjithë Evropën.

Si përfundim, më lejoni të theksoj se OSBE-ja do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht veprimtaritë për forcimin e kapacitetit të përgjithshëm të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit, dhe veçanërisht të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ne jemi partnerët tuaj për një kohë të gjatë dhe jemi këtu për t’ju ndihmuar.

Ju uroj një seminar sa më produktiv dhe një diskutim të gjallë rreth përvojave specifike të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version