Rajon

Serbia e varrosur nga Millosheviç e Vuçiç/ Analistja serbe zbërthen sistemin

“Për Vuçiçin, çdo veprim i arsyeshëm është poshtërim. Ai sfidon, nuk shkon deri në fund, shtyn. Ai është kumarxhi, emocionohet nga një situatë ku mund të testojë kufijtë. Një politikë e tillë acaron shoqërinë, sepse atëherë fillon edhe ajo të kalojë kufijtë, pasi sheh se peshku është qelbur nga koka. Kështu vijmë në një situatë politike ku gjithçka është e mundur, nuk ka më rregulla dhe gjithçka lejohet. Ai është bërë më i rrezikshëm se Sllobodan Millosheviçi, pasi është më pak i gatshëm të dorëzohet” – Kështu tha Dubravka Stojanović, profesoreshë e Departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik në Beograd, sipas së cilës, me Vuçicin të gjithë skenarët janë të imagjinueshëm.

“Millosheviçi, sado i rrezikshëm ishte, dinte të ndalonte. Kjo kokërr arsyeje e detyroi të pranonte, Marrëveshjen e Dejtonit apo dhe rezultatet e zgjedhjeve të vitit 1996. Vuçiç ka një mentalitet tjetër. Ai është kumarxhi, emocionohet nga situatat, tenton ti shtyjë gjërat deri në limit, dhe pastaj si një fëmijë i keq pret kur gjërat të shpërthejnë” – deklaroi historiania, duke theksuar se Serbia ka prodhuar dy regjime monstruoze, të Millosheviçit dhe të Vuçiçit,  që vodhën zgjedhjet, anashkaluan institucionet, shkelën ligjet dhe vranë kundërshtarë politikë.

“I pari bëri katër luftëra dhe e çoi vendin në krizën më të keqe të mundshme me sanksione dhe bombardime. Tjetri duket se shpreson që edhe ai të bëhet i famshëm, ndaj krijon vazhdimisht destabilitet në rajon dhe vazhdimisht i mban të gjithë në teh të briskut. Ne jemi dalluar si “problematikë” në nivel global, edhe me rastin e fundit në Banjskë.
Vuçiç ka krijuar një kombinim vrastar të qeverisjes autokratike që bën lëvizje të pabesueshme dhe të rrezikshme” – theksoi Stojanović, duke shtuar se shpreson që BE-ja ta kuptojë se sa e rrezikshme është për veten e saj dhe Rajonin kjo politikë e presidentit serb dhe se nuk mund t’i lejojë këto politika të rrezikshme në një situatë ku tashmë ka dy luftëra shumë ndezëse me fqinjësinë e saj të afërt.

“Serbia është e njëjta si në vitet 90’, sepse në pushtet janë të njëjtat elita (jo vetëm politike), sepse nuk kanë ndryshuar program, sepse prodhimi i krizave është mënyra e tyre e qeverisjes, sepse acarimi i marrëdhënieve me kombet fqinje është pjesë e programin e tyre. Sepse ajo që quhet “bota serbe”, është një program që nënkupton konflikte nga jashtë dhe autokraci nga Brenda” – deklaroi historiania serbe, duke theksuar se “Kjo do të thotë se ne në Serbi nuk jetojmë në të tashmen dhe nuk mendojmë për të ardhmen, por jemi varrosur dhe nuk mund të dalim më prej andej”.

TRENDING

Exit mobile version