Rajon

Serbinë e kemi mundur, s’kemi frikë/ Prag lufte në Ballkan

Ish-ministri kroat i mbrojtjes Ante Kotromanoviç komentoi në serinë e fundit të përplasjes diplomatike me Serbinë, pra reagimet e Beogradit ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm kroat Gordan Grliç Radman, i cili kritikoi politikën e udhëhequr nga presidenti, Aleksandër Vuçiç.

“Serbët zgjodhën rrugën e tyre, që është Rusia. Prej vitesh kanë vonuar negociatat me Bashkimin Europian, dhe nuk e di pse po e detyrojmë të ndërroi kurs. Ky nuk është qëllimi i tyre, ata nuk do ta bëjnë, ata janë duke llogaritur që Rusia ka një ndikim të fortë. Ata kanë çdo të drejtë për të modernizuar forcat ushtarake, ne nuk duhet të shqetësohemi për gjërat që po bën Serbia. Ne po udhëheqim 3:0, e kemi fituar luftën, jemi anëtare të BE-së dhe NATO-s” – tha Kotromanoviç duke shtuar se nuk ka frikë qe Serbia do ta sulmojë Kroacinë,  sepse siç u shpreh ai, Serbia nuk ka forca të mjaftueshme.

Kujtojmë se dje, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç dënoi ashpër deklaratën e kreut të diplomacisë kroate, se presidenti serb Aleksandër Vuçiç është një “trabant rus” dhe i ka dërguar një notë proteste Zagrebit.

Edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i zemëruar nga deklarata e Radman, ne reagimin e tij theksoi se ministri kroat jo vetëm që përzihet brutalisht në punët e brendshme të Serbisë, “por si zakonisht gënjen dhe fyen popullin serb dhe kërcënon qytetarët e Serbisë”.

Gjithashtu ka reaguar edhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila tha se deklarata e ministrit të Jashtëm kroat ishte një gjest diplomatikisht i vrazhdë dhe i papranueshëm.

Kryediplomati kroat tha se Serbia po ndjek një politikë të dyfishtë. Po përpiqet të afrohet me BE-në dhe Rusinë në të njëjtën kohë, por në fund do të duhet të vendosë në anën e kujt do të jetë.

“Vuçiçi bashkë me politikën e tij duhet të vendos se në cilën karrige do të ulet, sepse është e pakëndshme të ulesh në dy karrige. Presidenti serb nuk duhet të ketë ndonjë dilemë të madhe, ai e di se nga e ka mbështetjen”, tha Radman.

“Ai mund të jetë një lloj ‘trabanti apo sateliti i Rusisë’, por si aleatë dhe partnerë me SHBA-në, ne nuk do të lejojmë asnjë ndikim rus apo ndikime të tjera malinje që do të cenonin stabilitetin e Ballkanit Perëndimor” –  theksoi kryediplomati kroat.

TRENDING

Exit mobile version