Kosova

Serwer parashikon stuhi/ Ja pse dyshimet bien mbi Vuçiçin

“Bashkimi Evropian dhe administrata amerikane po përpiqen me kujdes të injorojnë akuzat për manipulim dhe mashtrim të kryera nga Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi” – Kështu deklaroi Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

Duke folur për krizën paszgjedhore, Server tha se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë konstatuar se rezultatet e zgjedhjeve nuk përputhen me vullnetin elektoral të votuesve.

Kur u pyet nëse mendon se kjo do ta dëmtojë pozicionin politik të presidentit serb, Serwer u shpreh se dyshon që kjo të ndodhë.

“Proceset aktuale në Serbi dhe ajo që po ndodh është se Bashkimi Evropian, Komisioni Europian dhe administrata amerikane po përpiqen me kujdes të injorojnë mashtrimet e konstatuara në zgjedhje. Mendoj se perëndimorët po llogarisin tek Vuçiç njëriun që mund të ofrojë disa gjëra,  siç janë marrëveshjet me Kosovën. Ata janë të gatshëm të mbyllin sytë para shkeljeve të rënda të procesit demokratik dhe në këmbim të përfitojnë disa hapa të vegjël që presidenti serb shpresohet të bëjë në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd” – theksoi Serwer. Sipas tij, nëse pranohet premisa se Vuçiç përqafon Perëndimin, atëherë kjo është një politikë racionale dhe duhet pranuar, por mendoj se do zhgënjehen nga pritshmëritë.

“Vuçiç e ka kokën e kthyer nga Moska dhe Pekini. Ai injoron nevojën për të krijuar një shoqëri demokratike në Serbi, pasi nuk ka asgjë për të fituar nga demokracia në Serbi dhe nuk është gati ta përqafojë atë,”  – potencoi Daniel Serwer, duke shtuar se Administrata evropiane dhe amerikane e dinë këtë, por kanë zgjedhur të mbyllin sytë para kthesës së Vuçiçit drejt Lindjes në këmbim të disa gjërave të vogla.

“Kjo është shumë e trishtueshme, qytetarët e Serbisë mund të presin pak ose aspak ndihmë nga Brukseli dhe Uashingtoni. Në SHBA, problemet e Ballkanit janë të padukshme dhe kanë pak rezonancë politike. Sinqerisht, askush nuk beson se do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë para zgjedhjeve amerikane” – Deklaroi profesori amerikan duke shtuar se është e mundur të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore pa vendosur lidhje diplomatike dhe njohje, por për këtë duhet vullnet i mirë

“Por ai vullnet i mirë nuk po gjendet nga askush. Politika në Beograd është rreptësishtë antishqiptare” –theksoi Serwer

 

TRENDING

Exit mobile version