Ekonomi

Sezoni turistik/ Klosi: 2020-a dëshmoi se Shqipëria është e fortë në turizëm

/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se sezoni turistik i këtij viti solli mbështetje për ekonominë, megjithëse në kushtet e vështira që krijoi situata e Covid-19.

Gjatë një interviste televizive, Klosi tha se, “turizmi, biznesi i bregdetit prodhoi tregues pozitiv. Kjo verë ishte një mundësi e artë për të promovuar Shqipërinë, në kushtet e kufizimit të lëvizjes jashtë vendit. Shqipëria u eksplorua në shumë drejtime, në atë të turizmit malor, kulturor, historik e më gjerë”.

“Shpresojmë që verën e vitit që vjen me ofertën turistike shqiptare dhe hapjen e tregut të krijojmë një treg të ri turistik rajonal. Kemi objektiv që deti shqiptar si i vetmi det për shqiptarinë ne ta afrojmë për vendet e rajonit”, u shpreh ai.

Sipas Klosit, këtë vit Shqipëria, pati fluks të shtuar nga Maqedonia, Kosova, Serbia, Bosnja etj dhe ia doli të hapte një treg të ri turistik në kushtet e situatës së vështirë.

Klosi tha se investimet në infrastrukturën rrugore do të sjellin një bum turistik për Shqipërinë nga vendet e rajonit.

“Edhe pse patëm turizëm të kufizuar, në fund të korrikut e deri në fund të shtatorit bregdeti shqiptar ka qenë i  mbushur konsiderueshëm. Të gjitha strukturat hoteliere kanë qenë me kapacitet të plotë të hapura dhe në punë duke ruajtur standardet e shërbimit”- tha ai.

Sipas ministrit, edhe tani në fund të tetorit fundjavat janë të populluara.

“Kemi turistë shqiptarë që lëvizin nëpër Shqipëri. Hotelet 100 % të okupuara. Ne kemi lëvizje të brendshme favorizuar nga moti. Në qershor Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që priti çarterin e parë ndërsa vijuan çartera nga vende të ndryshme. Shqipëria është destinacion turistik 12-mujor. Do të kërkojmë vitin tjetër që sezoni turistik të jetë 12- mujor ndryshe nga ç’është tani deri më 15 nëntor”, u shpreh Klosi.

“2020 dëshmoi se Shqipëria është e fortë në turizëm. Në hotele po investohet fuqishëm. Jemi të krahasueshëm me vendet e rajonit për sa i takon turizmit. Qeveria me masat që mori i dha shpresë dhe kurajo biznesit të turizmit. Ndërsa u dhanë një numër i konsiderueshëm lejesh për investime në këtë sektor. Jemi në 1/4 e potencialit të shfrytëzuar turistik” – deklaroi Klosi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version