Kosova

SHBA kundër Kosovës në OKB/ Brengosje me vendimet e pakoordinuara të Prishtinës

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, ka potencuar se SHBA-të janë të brengosura me vendimin e Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, vendim ky i cili, sipas saj, është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me serbët.

Ambasadorja amerikane ndërsa ka ripërsëritur kërkesën për shtyrje të këtij vendimi, ka potencuar se SHBA-të janë të brengosur edhe me veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në raport me mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

“Këto veprime nuk janë konsistente me zotimin e Kosovës që të punojë përmes dialogut për të rregulluar çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e komunitetit serb në Kosovë. Dëmtojnë rrugëtimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Këshilli i Sigurimit nuk është vendi ku zgjidhen këto çështje, duhet dialog”. – deklaroi ambasadorja e SHBA

Ajo ndër të tjera ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara apo përshkallëzuese duke inkurajuar palët që t’i kthehen dialogut, teksa u shpreh:

“Është dialogu i lehtësuar nga BE-ja e jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanali për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Thomas-Greenfield gjithashtu dënoi sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë nga një grup i serbëve të armatosur, duke theksuar se personi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Millan Radojiçiç, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.

 

 

TRENDING

Exit mobile version