Sport

Shkuam, pamë dhe u kualifikuam, Shqipëria për herë të dytë në një Europian

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Moldavisë në transfertë dhe zyrtarisht kuqezinjtë janë në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvillohet verën që vjen në Gjermani. Minuta e 25-të ishte deçzive për tanët, që me sulmuesin kavajas Sokol Cikalleshi shënuan nga 11 metërshi i fituar prej Seferit. Fundi i ndeshjes ishte dramatik, me Baboglo që në minutën e 87-të barazoi ndeshjen për moldavët. Me këtë barazim kuqezinjtë janë zyrtarisht në fazën finale të Euro 2024.

Pas fërshëllimës së arbitrit, festa ka qenë e madhe te kuqezinjtë. Lojtarët, trajneri dhe stafi kuqezi janë përqafuar me njëri-tjetrin, teksa e kanë ndarë suksesin me tifozët.

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka folur pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024. Braziliani tha se e ka nder që është trajner i Shqipërisë, teksa për Gjimshitin tha se është një shembull.

“Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe të ndjej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur. Nuk është vetëm Sylvinho, është Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi.

Më shumë se taktika është pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë. Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin”, tha trajneri.

Komentet kryesore të ndeshjes:

90+4′ Mbyllet 1-1 ndeshja. Kombëtarja shqiptare siguron pikën e artë dhe shkon zyrtarisht në “Gjermani 2024”.

87′ Moldavi 1-1 Shqipëri. Baboglo barazon ndeshjen me një të majtë nga brenda zonës, befasohen kuqezinjtë.

80′ Gjasula merr vendin e Bajramit.

75′ Taulant Seferi godet shtyllën me një të majtë diagonale nga brenda zonës, topi u devijua nga portieri vendas.

62′ Mirlind Daku merr vendin e Cikalleshit, përqafim i ngrohte mes kavajasit dhe Sylvinhos.

55′ Nicolaescu godet nga jashtë zone, pret bukur Berisha duke devijuar në këndore.

47′ Seferi tenton golin nga 23 metra, sfera del jashtë.

46′ Nis pjesa e dytë në Chisinau.

45+2′ Mbyllet 0-1 pjesa e parë.

25′ Moldavi 0-1 Shqipëri. Cikalleshi kalon në epërsi Kombëtaren në minutën e 25-të me penalltinë e fituar nga Seferi.

20′ Kombëtarja mban topin 73 përqind, kundrejt 27 përqind të vendasve.

16′ Nicolaescu provon nga hyrja e zonës, Berisha e dërgon topin në këndore.

10′ Tanët dominojnë lojën në minutat e para.

1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.

Renditja:

TRENDING

Exit mobile version