Shpallja e Sali Berishës ‘Non Grata’, flet për herë të parë Antony Blinken: Ne vijojmë të shohim përtej kufijve për ata që janë të përfshirë në korrupsion

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar për herë të parë për shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës.

Teksa është pyetur në Komisionin e Punëve të Jashtme të Shtëpisë së Bardhë, Blinken tha se edhe procedurat për t’i ndaluar hyrjen në vend të Sali Berishës kanë qenë standarde si për gjitha rastet e tjera, ndërkohë thekson se SHBA vijon të shohë përtej kufijve për ata persona të përfshirë në korrupsion që sfidojnë parimet e demokracisë.

Ndërkohë Blinken ka sqaruar se momentalisht nuk mund të ndajë asgjë me kongresmenin për këtë çështje, por nëse ai kërkon më shumë informacion mund të paraqitet në Zyrën e Legjislacionit apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike.

Pjesë nga biseda:

LEE ZELDIN: Keni njoftuar për sanksione ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe për shumë nga ne kjo ishte e papritur ai ka qenë mysafir dhe aleat i George Ë. Bush gjithashtu një kundërshtar agresiv i George Soros. Sa i takon historisë së tij politike me SHBA, Çfarë informacionesh mund të ndani për të justifikuar këtë lëvizje dramatike?

ANTONY BLINKEN: Faleminderit, ne vijojmë të shohim përtej kufijve rreth atyre të përfshirë në korrupsion që shkelin të drejtat e njeriut, që sfidojnë parimet e demokracisë. Në këtë çështje procesi u zhvillua normalisht, përfshirë avokatët e mi. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht.

LEE ZELDIN: A ka ndonjë informacion specifik që mund të ndani me Komisionin këtë radhë?

 ANTONY BLINKEN: S’kam çfarë të ndaj me ju tani, por do të doja të komentoja me ju dhe me këdo që është i interesuar.

LEE ZELDIN: Kam bërë disa kërkime për të gjetur se në çfarë afere korruptive është përfshirë Sali Berisha, dhe nuk arrita të gjeja asgjë. Ku duhet të shkojë një gazetar që kërkon të gjejë informacion? Pra ku duhet të shkojë një gazetar që të marrë informacion mbi korrupsionin që i referoheni ju?

ANTONY BLINKEN: E para, para se të kalojmë tek media, anëtarët të vijnë në Zyrën e Legjislacionit, dhe ne do të sigurohemi që të merrni informacionin, dhe e dyta, sa i takon medias, ejani në Zyrën e Zëdhënësit të Punëve të Jashtme dhe ne do të sigurohemi që në përputhje me detyrimet që kemi, ta ndajmë informacionin me ju.

LEE ZELDIN: A jeni ju në dijeni për burime të hapura informacioni që mbështesin pretendimet se ka patur korrupsion në të cilin është përfshirë Berisha?

ANTONY BLINKEN: Jam i sigurt se çdo gazetar mund ta bëjë atë pyetje në deklaratat për media që ne mbajmë çdo ditë në DASH për të marrë çdo informacion që kemi në dispozicion për publikun.

LEE ZELDIN: Për të qartësuar diçka lidhur me mbrojtjen e z.Berisha, thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, a keni komunikuar ju apo dikush në emrin tuaj me Sorosin?

ANTONY BLINKEN:

Unë jo, por nuk mund të flas në emër të të gjithë departamentit të shtetit. Por unë jo!

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non-grata më 19 maj nga Departamenti Amerikan i Shtetit bashkë me familjen e tij. Lajmi u dha nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili njoftoi zyrtarisht se Berisha ka minuar demokracinë dhe se gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit është përfshirë në afera korruptive dhe ka pasuruar aleatët e tij politikë. Edhe pse nuk jep emra, DASH thekson se ka nevojë për një hetim të plotë në Shqipëri. Gruaja Liria, vajza Argita dhe djali, Shkëlzeni janë të prekur nga vendimi DASH, si persona të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Vetë Berisha e ka konsideruar të pabazë këtë vendim duke kërkuar që SHBA-të të bëjnë publike çdo provë që kanë kundër tij. Berisha bëri të ditur ditën e djeshme se do të hedhë në gjyq SHBA për këto akuza pasi iu është cënuar dinjiteti.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin