Politike

Shqiptarët sot nuk duan më të jetojnë në Shqipëri për shkak të mungesës së shpresës

Mirmbrëma. Faleminderit Kontjana, faleminderit dhe të gjithë ju që jeni sot këtu. Ajo që dua të theksoj është që në fakt ne sot e kemi kaluar të gjithë ditën në Durrës që nga mëngjesi dhe do të vazhdojmë përsëri. Ajo që na lidh më shumë është krenaria midis vlerave kulturore, rinisë, historisë, trashëgimisë që e lidh Shqipërisë me Durrësin dhe Durrësi ka qenë gjithmonë porta hyrëse, jo vetëm e emancipimit, zhvillimit dhe ekonomisë, por Durrësi gjithmonë ka qenë edhe një lokomotivë në ndryshimin e realiteteve, sistemeve dhe ajo që dihej gjithmonë edhe në kohët më përpara. Sot në të gjithë ditën që kemi kaluar kemi ndjerë atë frymë, jo revolte, por ndryshimi, që sot të gjithë durrsakët donin ta ndjenin.

Ajo që ne duam të ndryshojmë në fakt dhe që e ndjejmë që ana më e zymtë, jo vetëm e jetës në Durrës, por në të githë Shqipërinë, është që shqiptarët sot nuk duan më të jetojnë në Shqipëri për shkak të mungesës së shpresës, për shkak të mungesës së mundësive për të pasur punësim, por edhe një pagë të mirëpaguar, për të pasur arsim të mirë për fëmijët e tyre, për të pasur arsim cilësor, shëndetësi jo vetëm falas, por të paktën shëndetësi cilësore. Unë sot pasdite në një takim që ishim me profesoreshë Adën dëgjuam sesi zvarritej nga mungesa e mjekëve, mungesa e mundësisë një zotëri dhe për 3 javë të tëra nuk arrinin dot t’ia kontestonin se çfarë kishte dhe zvarritej hap pas hapi, derisa kishte qenë dhe në rrezik për jetën. Ajo që ndihej më shumë ishte mungesa e vëmendjes ndaj tij.

Ajo që duam të theksojmë dhe që flasim herë pas here, do doja që të gjithë së bashku t’i bënim pyetje jo vetëm vetes sonë, por edhe të gjithë shqiptarëve, nëse shqiptarët janë më mirë sot në familjet e tyre se 4,8 apo 12 vite më parë. Nëse shqiptarët sot kanë një pagë më të mirë tani, apo më të lartë e kishin 4 vite më parë. Nëse shqiptarët sot i kanë taksat më të ulëta apo më të larta se 4 apo 8 vite më parë. Nëse shqiptarët sot kanë arsim më cilësor për fëmijët e tyre apo 8 vite më parë. Nëse shqiptarët sot kanë shëndetësi cilësore, nuk po flas për shëndetësi falas, sepse jam e bindur sot që vetë shqiptarët më shumë se kushdo tjetër, jo vetëm që nuk kanë shëndetësi falas, por kanë shëndetësi më të shtrenjtë. Ajo që dua të theksoj dhe që është më e përditshme me ata që ne kontaktojmë, është mungesa jo vetëm e mbajtjes së premtimeve, por edhe e sjelljes arbitrare dhe arrogante e shtetit, e institucioneve që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë.

Ne sot ishim në lagjen 12 të Durrësit, në një pallat i cili ishte i dëmtuar nga tërmeti dhe për më shumë se një vit akoma asnjë, jo nga bashkia e Durrësit, por absolutisht nga asnjë institucion shtetëror jo vetëm që nuk kishte kontaktuar me familjarët po nuk jepte asnjëlloj direksioni, mundësie apo orientimi se çfarë mund të ndodhte me ta në të ardhmen. Vetëm të bënte përshtypje një shtëpi e vogël që ishte në një cep që ishte arkitektja ose sekretarja e lali Erit. Vetëm për të ishte dhënë granti ose vetëm ajo ka pasur mundësi financiare për ta rikonstruktuar.

Të gjithë e mbajmë mend atë konferencën në Brukles kur Rama u kujdes shumë për të bërë një show televiziv dhe për t’i treguar shqiptarëve sesi do të mblidhte 1 miliardë e 150 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë dhe deri më tani, përpara disa ditësh, deklaroi se akoma nuk kishte marrë asnjë para për këtë rindërtim. Nga ana tjetër premtimet e tij për rindërtimin nga familjarët jo vetëm që nuk kanë filluar të lëvizin, por nuk harron të zhvillojë çdo ditë tendera sekretë, koncesione për të marrë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe për t’i hedhur në xhepat e 2-3 njerëzve të tij. Nuk harron që të mos ndalojë në asnjë moment për të shpërdoruar paratë dhe sigurisht që shikojmë njëherë në javë teatrin e tij kuvendor dhe vazhdohet më pas në ditët e tjera me humor që bëhet bajat për shqiptarët. Sepse sot ajo që u mungon më shumë shqiptarëve është mundësia ekonomike, shikojmë se si nuk janë realizuar jo vetëm premtimet e 300 mijë vendeve të punës, por ajo që u tundet sot shqiptarëve në fytyrë është libreza e enegjisë elektrike që është më e lartë. Disa familje durrsake që takuam sot na thanë që vetëm gjatë pandemisë kanë paguar mbi 70 mijë lekë ujë në muaj. Ka qenë një situatë e jashtëzakonshme, kur në fakt ndihmën ekonomike nuk e kanë as 50 mijë lekë të vjetra. Për të mos folur më pas për t’u ushqyer, për veshmbathje, ilace, etj.

Nuk kam pikën e dyshimit që asnjëherë premtimet e Ramës nuk janë mbajtur, që lista e dështimeve të Ramës është shumë e gjatë, por nuk mendoj se kjo i mban shqiptarët me shpresë për të ardhmen. Nuk mendoj që duke numëruar dështimet e Ramës do t’u japë shqiptarëve vende pune, pagë më të mirë, do t’ju kthejë shqiptarëve fëmijët e tyre që i kanë ikur në emigracion. Shqiptarët duan shpresë dhe ajo që unë besoj te kjo strukturë e LSI, që për hir të së vëretetës në një periudhë të shkurtër, jo vetëm që e rigjallëruam, riorganizuam, në sajë të angazhimit të të gjithë juve që jeni këtu, por edhe të shumë personaliteteve të reja të qytetit të Durrësit që morën vendimin për t’u përfshirë dhe për ta ndryshuar këtë realitet. Për të rikthyer qytetin e Durrësit në Durrës. Mendoj që ne sot jemi të gatshëm që shumë shpejt të paraqisim qytetit të Durrësit dhe gjithë qarkut të Durrësit planin tonë për zhvillimin strategjik dhe ekonomik të të gjithë qarkut. Sot nuk është më ideja për të treguar fasada, për të lyer me bojë katër faqe muri, kur nga brenda është një godinë e kalbur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TRENDING

Exit mobile version