Peter Ceku është një shqiptar që prej katër vitesh jeton në Filipine, por që 22-23 vite ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për emisionin “Shqipëria Live”, ai tha se jeton në ishullin Camiguin, Filipine dhe së bashku me bashkëshorten e tij kanë një hotel me 12 dhoma, me 5 yje.
“Jam lindur dhe rritur në Shqipëri. Pasi dola me anije në ’90, arrita në Amerikë. Pas 22-23 vitesh lashë Amerikën dhe nisa të lëvizja nëpër botë. Erdha si turist në Filipine para 4-vitesh e më pëlqeu. Erdha sërish, e vija shpesh derisa u njoha me një vajzë që është gruaja ime. E vendosa që të qëndroja këtu në një ishull me 90 mijë banor, një vend i vogël por për mua është një nga mrekullitë e Filipine”, tha shqiptari.
I pyetur se çfarë i mungon nga Shqipëria, Ceku tha: “Djathi i bardhë dhe rakia më mungojnë nga Shqipëria se nuk i gjej këtu. Më ka marrë malli për Dardhën e Korçës. Në vitin 2018 isha andej. Orizi këtu është si buka në Shqipëri”.
Ai shtoi se njerëzit atje janë të dashur, të qetë, më ndryshe se në Shqipëri. “Si i huaj je i privilegjuar. Madje nëse je në radhë duke pritur, të lënë që të kalosh para”, vijoi ai.