Aktualitet

Shtyhet për nesër seanca për Berishën, avokatët kërkuan kohë për t’u njohur me provat

Është ndërprerë seanca për gjyqin ndaj Sali Berishës ku SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’. Seanca është shtyrë për nesër. Avokatët e Sali Berishës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Po ashtu avokatët kanë kërkuar më tepër prova për kërkesën e SPAK.

………..

Sali Berisha do të vijojë të jetë në pritje për të paktën 24 orë të tjera për të mësuar fatin e tij, pasi sot Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk pati një vendim. Pas rreth 1 ore seancë, GJKKO vendosi që të shtyjë për ditën e nesërme në orën 11:00 vendimin për ish-kryeministrin. Kjo për shkak të kërkesës së përsëritur të 2 avokatëve, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për njëanshmëri. Ata kanë dorëzuar prova që sipas tyre faktojnë shkarkimin e gjyqtares në shkurt të 1996 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur kryetar ishte Sali Berisha. Sali Berisha nuk ishte sot i pranishëm në gjykatë, madje gjatë kohës që u bë publike vendimi për shtyrjen e caktimit të masës së “arrestit në shtëpi” për të, ish-kryeministri po mbante fjalim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në selinë blu. Ai këmbëngulë se gjyqi ndaj tij është politik, pasi thekson se nuk ka asnjë provë që ka shkelur Kushtetutën në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani. Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv”. Në dosje thuhet se ish kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të privatizojë kompleksin duke shkelur ligjin. Malltezi aktualisht ndodhet në arrest shtëpie. Fillimisht, pas kërkesë së SPAK, GJKKO caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe i ndaloi daljen nga jashtë shtetit, mirëpo për shkak se Berisha nuk e zbatoi asnjëherë këtë vendim Gjykate, SPAK iu drejtua Kuvendit për ashpërsim të masës, në arrest shtëpie. Për rrjedhojë, Kuvendi i hoqi Berishës imunitetin e deputetit, me 75 vota pro, dhe sot ish-kryeministri po përballet me drejtësinë si një qytetar i thjeshtë.

 

TRENDING

Exit mobile version