Kosova

Situata në Kosovë jashtëzakonisht shqetësuese/ Edstadler: S’lejojmë tjetër konflikt

Ministrja për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edstadler, ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, dhe ka bërë thirrje që të dyja palët të angazhohen në de-përshkallëzim e situatës së krijuar. Në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”, ajo ka thënë se e vetmja rrugë përpara mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe Marrëveshjes së Ohrit e 18 marsit të po atij viti, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe ka shtuar se fuqitë perëndimore nuk mund të lejojnë një tjetër konflikt në Evropë. “Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës janë jashtëzakonisht shqetësuese. De-përshkallëzimi dhe stabilizimi i situatës së sigurisë janë të një rëndësie të madhe. Situata po zhvillohet çdo ditë dhe presim bashkëpunimin e plotë të Serbisë në vërtetimin e të gjitha fakteve. Është e qartë se e vetmja rrugë përpara mbetet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nga të dyja palët” – Theksoi Karoline Edstadler, teksa dhe shtoi se “Të gjithë aktorët politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, për të shmangur hapat e mëtejshëm të përshkallëzimit dhe për t’u fokusuar në përparimin në dialog me mbështetjen e BE-së. “Nuk mund të lejojmë – tha ajo – një tjetër konflikt në Evropë” Ministrja austriake u shpreh se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon vetëm përmes dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa ka veçuar pritshmerite e zyrtarëve evropianë në vazhdimin e angazhimit konstruktiv të Serbisë dhe Kosovës, në frymën e kompromisit, në mënyrë që të anëtarësohen në Bashkimin Europian. “Ne ende besojmë fuqishëm se familja evropiane nuk është e plotë pa  gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Austria ka qenë një mbështetëse e fortë e procesit të pranimit të Serbisë në Unionin Europian dhe jemi të inkurajuar nga angazhimi i Serbisë për të mbajtur një nivel të lartë në axhendën e saj të reformave” – deklaroi Karoline Edstadler.

TRENDING

Exit mobile version