17/06/2021 , 4:38

Skema unike e Shqipërisë para ’90/ Si funksiononin “dyqanet speciale’ për thithjen e arit dhe valutës së huaj! Ndalimi i pakove postare nga emigrantët për të shtuar dollarët

Me 25 janar të vitit 1949, në Ministrinë e Tregtisë,  një komision i përbërë nga 5 persona morën në studim çështjen e krijimit të krijimin e dyqaneve speciale të blerjes në valutë.

Në shtetin tonë ekziton ar në monedhë në sasira të konsiderueshme e shpërndarë në ekonomitë private qytetarë dhe fshatare që banka e shtetit nuk mundet ta grumbullojë siç duhet me kursin e sotëm.

Për rrjedhojë, poseduesit sidomos në qytet, për arsye që u thanë mësipër e shesin nën dorë në masat fshatare që kanë fuqi blerëse të forta duke e shkëmbyer arin me sende ushqimore në sasi më të mëdha sesa ato të tregut të lirë. Kështu e vleftësojnë me tepër nga kursi i bankës” shkruhej në studim.

Ky diskutim bëhej në një kohë kur pushteti i ri i pasluftës kishte ndërmarrë një seri operacionesh që kishin bërë që të vendosej kontrolli i plotë mbi kartëmonedhat dhe arin që ishte në qarkullim.

Pavarësisht operacioneve të vulosjes së parave, tatimit të jashtëzakonshëm, ndalimin e nxjerrjes së arit jashtë vendit dhe dhënien e monopolit bankës së shtetit, sërish në duart e shqiptarëve kishte mbetur një sasi ari që autoritetet kërkonin që ta nxirrnin përmes mekanizmave të ndryshëm.

E në këtë rast, Shqipëria krijon një mekanizëm unik në llojin e tij, mbase duke qenë ndër të parat vende në botë që e aplikonte këtë skemë.

Për të mbledhur valutën e huaj dhe arin e metalin e çmuar që kishte në vend, por edhe për të vendosur një kontroll apo frenim në kërkesën e madhe që mund të kishte për atë pak sasi mallrash që për kohën do të konsideroheshin “mallra luksi”, gjatë periudhës së ekonomisë së centralizuar u krijuan “dyqanet speciale”.

Ndryshe nga vendet e tjera, në këto dyqane në Shqipëri nuk mund të blihej direkt më valutë të huaj ose ar, por vetëm përmes disa kuponëve të posaçëm të emërtuar Buona Lek. Praktikisht me monedhë të huaj ose me ar nuk mund të blije asgjë në tregjet e kohës që ishin vendosur nën kontroll.

Po ashtu, nuk mund të këmbejë valutën e huaj në lekë për faktin se nuk kishte dyqane këmbimi.

E vetmja rrugë ishte Banka e Shtetit, ku sërish qytetarët shqiptarë refuzonin të paraqiteshin për faktin se në atë periudhë kishte nisur një fushatë agresive për deklarimin e të ardhurave, pa llogaritur këtu faktin se kursi i këmbimit që ofronte banka e shtetit ishte shumë i ulët, i fiksuar, dhe aspak joshës për të ndërmarrë një iniciativë të tillë ekspozuese.

Emetimet e “Buona Lek”

Për herë të parë “Buona Lek” janë emetuar në vitin 1950. Emetimi i parë nuk përmbante një figurë qendrore dhe as elemente sigurie,çka solli jo në pak raste falsifikimin e saj e si rrjedhojë autoritetet u detyruan që në vitet pasuese të emetojnë të tjera po me më shumë elemente sigurie.

Emetime të mëvonshme të ‘Buona Lek’ u bënë në vitet 1953, 1955, 1956 e 1965. “Buona lek” apo bono-lekët që u emetuan dhe u futën në qarkullim ishin të vlefshme për blerje vetëm në dyqanet e valutës. Kjo letër mbante firmën e drejtorit të bankës dhe të sekretarit të Thesarit dhe mund të përdorej vetëm për dyqanet e shkëmbimit në valutë, kundrejt kushteve favorizuese në blerje.

Për herë të fundit, ky mekanizëm i thithjes së arit dhe valutës së huaj u përdor në Shqipëri në vitin 1991.

Si u hapen dyqanet e para dhe qëllimi i tyre

Në vitin 1949 kur po diskutohej krijimi i dyqaneve speciale, studimi që bënte ministria e Tregtisë së Brendshme evidentonte se në Shqipëri kishte hyrje të dollarëve nga emigrantët shqiptarë të Amerikës që u dërgonin të afërme të tyre shumë të konsiderueshme.

Kjo kishte sjellë një ulje të konsiderueshme të vlerës së dollarit në tregun shqiptar, ndaj edhe kursi në bankë ishte i ulët e pak qytetarë preferonin të shkonin aty të bënin këmbimin.

Në këto kushte, kur nevoja ishte e madhe për mallrat e konsumit të gjerë, tendenca po ndryshonte dhe emigrantët nisën që, në vend të parave, t’u dërgonin familjarëve të tyre pako me mallra konsumi si veshje apo ushqime. Këto të fundit, jo vetëm që përdoreshin nga vetë përfituesit, por edhe nxirreshin në treg për t’u shitur për shkak të nevojës së madhe që kishte, duke i bërë konkurrencë të fortë edhe tregjeve shtetërore të asaj kohe.

Në këtë mënyrë, autoritetet shtetërore vendosin të ndërmarrin iniciativën unike përmes disa lëvizjeve që jo vetëm u mundësojnë kontroll mbi tregun por edhe ndikojnë në rritjen e nivelit të rezervës valutore të vendit.

Hapi i parë është rritja e fortë e taksës për pakot postare që vinin nga jashtë, për të vendosur më pas nën kontroll krejtësisht tregtinë e mallrave të jashtme e nga ana tjetër, edhe për të nxjerrë nga ‘sëndukët’ apo muret e shtëpive të shqiptarëve, pjesët e fundit të arit apo bizhuterive që mbaheshin fshehur.

Këto kohët e fundit hyrja e dollarit është kufizuar në minimum për shkak të kursit të ulët të bankës dhe në vend të dollarit ka marrë trajtë të gjerë dërgesa e mallrave në pako postare të cilat shiten në treg të lirë me çmime spekulluese. Si pasojë, hyrja e valutës në shtetin tone është pakësuar shumë në dëm të ekonomisë tonë.

 Shtresat e popullit, të shtrënguara nga nevojat e jetesës shesin bizhuteritë që disponojnë si unaza ari, vëthe etj. nën dorë me anë ndërmjetësish të cilët i shfrytëzojnë, si këta edhe blerësit’ kjo për mungesë të një mënyrë grumbullimi nga ana e shtetit që do t’i jepte fund këtij spekullimi dhe njëkohësisht do të shtonte depozitën e arit” evidentohej në studimin që u bë në ministrinë e Tregtisë së Brendshme.

Për të rritur rezervën valutore, rrugët që kishin autoritetet ishin 2; 1-Ngritja e kursit të dollarit nga ana e bankës ose 2- Krijimi i dyqaneve për shitje në valutë. Varianti i parë hidhej poshtë në diskutim me argumentin se do të cenonte parimin e bankës dhe se do të rriste mungesën e besimit në stabilitetin e monedhës shqiptare Lek. Ndaj, opsioni i vetëm që propozohej ishte krijimi i dyqaneve speciale.

Këto dyqane në fillim do të bëjnë punë më tepër me dollarë mbasi nga psikoza e krijuar, poseduesit e arit do të hezitojnë ndërsa dollari, duke marrë parasysh taksimin maksimal të kolive postare që mendohet nga qeveria, do të hyjë në sasia më të mëdha nga emigrantët shqiptare jashtë shtetit që do të dërgojnë për nevojat e familjeve të tyre” shkruhej më tej në studim.

Grupi i punës propozoi që të krijohej një rrjet dyqanesh me qendër në Tiranë e degë në qytetet kryesore si Vlorë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër e më pas në Durrës, Berat etj. Këto dyqane speciale duhej të shisnin mallra të të gjitha llojeve, që prodhoheshin jashtë vendit dhe që ishin të kërkuara në tregun shqiptar.

Artikujt që do të shesin këto dyqane duhet të jenë të një kualiteti superior që nuk do të ekzistojnë ndër dyqanet e tjera” ishte rekomandimi i grupit të punës.

Skema e anonimitetit për ata që deklaronin paratë

Në studim jepet edhe skema që do të ndiqej me dyqanet speciale.

Ari në monedhë ose bizhuteri si dhe dollarët do të konvertoheshin nga banka. Banka nuk duhet të mbante asnjë shënim mbi personin që sillte këto objekte. Gjithashtu, nëpunësit duhet të porositeshin që të ruanin sekretin për personin që i siillte ato.

Kjo për të zhdukur psikozën që ekziston te poseduesit dhe për të evituar dyshimin që ekziston në qarkullimin e arit” argumentohej në raport.

Skema ishte e tillë. Nëse një individ dorëzonte në bankë një napoleon ari, ai vlerësohej me 20 franga ari.

Në vend të frangave të arit, i jepeshin kuponë buona lekë me vlerë dhe prerje 1,2,5 dhe 10 franga ari me të cilat pastaj shkonte te dyqanet speciale dhe blinte mallrat e huaja që ishin të ekspozuara aty. E njëjta praktikë ndiqej edhe me bizhuteritë. Raporti i arit ishte ndryshe. 7.60 dollarë këmbeheshin me kuponët buona lekë me vlerë 20 franga ari.

Veç ruajtjes së anonimitetit në kryerjen e veprimeve të këmbimit në bankë, skema parashikonte anonimitet edhe te blerjet në dyqanet speciale.

Kuponët Buona Lek nuk kishin emrin e zotëruesit të tyre dhe mund të përdoreshin nga cilido që i zotëronte ato. Dhe në këto dyqane, kusuri nuk jepej me franga ose me leke po sërish me kuponë buona lekë.

Shitësi nuk duhej të mbante asnjë shënim mbi personat që blinin dhe detyroheshin që edhe jashtë dyqanit të mbanin sekretin e punës.

Duke marrë parasysh se me ndalimin e pakove do të hyjnë më shumë dollarë, parashikohet që këto dyqane të kenë lëvizje të madhe që për ta përballuar do të duhet furnizim me stil të gjerë.

Pra për t’ia arritur këtij qëllimi, del e nevojshme që kjo ndërmarrje të ketë njerëz jashtë shtetit që të merren kryesisht me blerje dhe dërgim mallrash.

Kjo duhet të ketë një fond të veçantë në dispozicion në saj të të cilit të manovrojë sipas nevojave dhe interesit të mbarëvajtjes së saj pa kufizim tregjesh”ishte rekomandimi që jepej në studimin e ministrisë së Tregtisë së Brendshme në vitin 1949.

Në këtë mënyrë, dyqanet speciale kishin si mision njëkohësisht si shtimin e valutës së huaj, ashtu edhe grumbullimin e arit dhe sendeve të çmuara që shqiptarët kishin arritur të fshihnin nga autoritetet deri në atë periudhë.

Pra, për nga mënyra e organizimit të procedurave, skema i ngjason amnistive për legalizimin e kapitalit që bëhet në ditët e sotme.

Dyqanet e para, në Gjirokastër e Korçë, ku kishte më shumë emigrantë

Dyqanet e para speciale u hapen në vitin 1949 në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër. Jo më kot u zgjodhën këto qytete, për faktin se pritshmëritë ishin që të jepeshin rezultatet më të mira nga fakti se Tirana kishte vizitorë të huaj ndërsa Korça e Gjirokastra kishin shumë emigrantë në Amerikë.

Në atë periudhë, vlerësohej se çdo vit në Shqipëri hynte brenda një valutë e huaj në vlerë 1.2 milionë dollarë.

Dyqanet speciale u hapën pranë pikave turistike të vendit, kryesisht në hotele turistike dhe në restorantet në pikat kufitare të vendit. Me rritjen e nevojës për valutë të huaj, autoritetet nisin t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë edhe potencialit turistik që kishte vendi.

Në pikat kufitare tokësore këtë funksion e kryenin ato që njiheshin si njësi të ushqimit social. Ndërkohë, në dy portet e vendit në Vlorë dhe Durrës funksiononin Interklubet.

Në vitet ’80 Shqipëria po përballej me një krizë të thellë ekonomike. Nevoja për valutë të huaj ishte e madhe, ashtu sikurse edhe për mallra të ndryshëm.

Ndaj, në fillimin e viteve ’80 zhvillohen diskutime të shumta lidhur me mënyrën sesi mund të tërhiqej valuta e huaj, në kushtet kur rezervat e brendshme të arit në familjet shqiptare kishin mbaruar.

Në këtë periudhë, diskutohen alternativa të ndryshme riorganizimi por edhe evidentohet problematika e mungesës së organizimit nëpër dyqanet speciale të vendit.

Në vitin 1990 dyqanet e valutës së huaj i kaluan në varësi të një kompanie të posaçme të emërtuar Albkoop. Kjo kompani merrej në mënyrë direkte me menaxhimin e rrjetit të dyqanve speciale dhe me furnizimin e tyre me mallra direkt nga jashtë.

Xhiroja e 3 mujorit të parë të vitit 1990 sipas Ministrisë së Tregtisë ishte 550 mijë dollarë dhe parashikohej që deri në fund të vitit të grumbulloheshin 6 milion dollarë xhiro me një akumulim neto 3 milion dollarësh.

Kalimi i dyqaneve të valutës në varësi të Albkoop nuk kishte si qëllim vetëm thithjen e valutës por edhe përdorimin e kësaj valute për importin e mallrave të konsumit të gjerë për të cilat kishte nevoja masive tregu. Mallrat e kërkuara më së shumti e që u importuan në këtë vit ishin 40 mijë xhupa, 20 mijë metra stofë, 150 ton sapunë rrobash etj.

Ndërkohë, në listën e porosive ishin edhe 100 mijë palë pantallona xhins, enë plastike, kapucë sportive e televizorë me ngjyra. Në shkresat sekrete mes ministrisë së Tregtisë së Brendshme dhe kryeministrisë, në vitin 1990, pranohet ekzistenca e kontrabandës dhe e tregut të zi të dollarit por që konsiderohet si e keqja më vogël në kushtet kur skema po siguronte valutë të huaj në mënyrë të konsiderueshme.

Në këtë periudhë, një ndër shqetësimet kryesore që shprehen nga Banka e Shtetit është fakti se për këmbimin e monedhave të huaja po veprohej me ceqe bankare duke krijuar kosto të madhe dhe ngarkesë për institucionin.

Ndaj edhe në nga propozimet që bëhet është që të lejohet Banka e Shtetit që të emetojë sërish bono të posaçme të cilat do të përdoren për blerjet në dyqanet speciale.

Kjo kërkesë në fakt do të realizohej në vitin 1992 kur u emetua edhe bonoja e fundit e kësaj natyre e emërtuar ‘Lek Valutë’. Kohëzgjatja e këtij kuponi me vlerë ishte 1 vit.

Rënia e sistemit politik dhe ekonomik të vendit do të sillte jo vetëm fleksibilitetin  e kursit të këmbimit por edhe të liberalizonte më pas tregun e këmbimit të monedhës në Shqipëri, që për shumë vite funksionoi i parregulluar dhe informal.

Related Posts

Kategorite

BIoscalin