Shkrime

Sondazhi që flet më shumë se Lulzim Basha

Nga Martin Leka

Që kur dha dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike, kemi dëgjuar shumë për Lulzim Bashën dhe pothuaj fare pak ose aspak nga Lulzim Basha.

Fillojmë me të parën.

Askujt nuk i shkonte ndërmend se për Lulzim Bashën do të dëgjoheshin ndonjëherë akuza e kritika, nga më të thjeshtat, gjer tek më monstruozet nga goja e Sali Berishës, njeriut që e mbështeti dhe de facto i dha postin që la vetë në partinë e vet. Në vazhdim e përkujdesje të “melodisë” së dirigjentit të partisë, me po të njëjtën gjuhë e deri në shthurje, shpura e Foltores, aktivistë e simpatizantë e zëdhënës e përkrahës të doktorit të PD, vazhdimisht kanë sulmuar e sulmojnë ende ish-kryetarin e PD, Basha, duke marrë përmasat e një linçimi publik. Besoj janë të njohura për publikun akuza të tilla ndaj Bashës si ato me “dosjen Muzin”, “Toyota Yaris”, “shitjen e Zgjedhjeve”, “dorëzimin e mandateve të deputetëve”, “bojkotin e zgjedhjeve lokale”, etj. etj, a thua se gjithë të zezat në PD i kishte bërë Lulzim Basha. Akuza që as vetë kundërshtari politik i Partisë Demokratike nuk i kishte bërë gjer në këtë shkallë. E kam fjalën për Ramën, i cili duhet ta ketë “zili” Foltoren e kreun e saj për akuzat që i bëhen krahasuar me ato ndaj Bashës… Për tu vënë kapak këtyre akuzave, vetë Berisha u “kujdes” ta “këshillonte” Bashën të mos paraqitej në protestën e organizuar më 7 ora 7 të muajit të 7 dhe ky ishte një inkurajim i pastër për falangat në rast të dukjes së Bashës në protestë (protesta e 7 Korrikut). Ndoshta ishte dhe një kërcënim i pastër! Mos o zot, por do ta kishim “zili” djalin që grushtoi Berishën në bulevard, krahasuar me atë që mund ti bëhej Bashës pas deklaratave të Berishës. Sepse lideri frymëzon, për mirë a keq qoftë. Ka ndodhur në plot raste të tjera kur individë, grupe apo turma janë aktivizuar e frymëzuar si të ishin pult komandimi për prapësira e incidente të rënda këto 30 vite. I dinë të gjithë. I dinë (po nuk kanë gojë të flasin) dhe muret e bodrumeve apo tualeteve të Pallatit të Kongreseve për grushtet që kanë ngrënë kundërshtarët e Berishës kur zhvilloheshin mbledhjet e forumeve. Kundërshtoni po deshët në këtë që sapo thashë. Dakort. Edhe unë e pranoj dhe nuk di që Sali Berisha të ketë rrahur vetë njeri, madje dikur, kur u fol se i ka futur një shpullë Tritan Shehut kur ishte ca kohë Kryetar i PD, nuk e kam besuar dhe nuk e besoj. Por lideri frymëzon, për mirë apo keq. E njeh historia dhe praktika këtë fenomen. A nuk i frymëzoi Trump, ish-presidenti amerikan turmat që mësynë Kongresin e SHBA?! Nuk u tha turmave “ikni pushtoni Kapitolin”, por i frymëzoi, i nxiti të shkonin të bënin pikërisht atë që bënë. Ata që frymëzojnë të keqen, dhunën, ata janë njësoj fajtorë me ata që e kryejnë atë. U zgjata pak sa për të treguar se Berisha ka shkuar kaq larg me Bashën, sa duket tepër e vështirë edhe të negociohet një bashkëpunim mes tyre, jo më të bëhet realitet.

Kalojmë tek e dyta.

Basha ka heshtur e vazhdon të heshtë. Askush nuk e di me siguri projeksionin e trajektores së tij politike. Basha duket sikur flet me heshtjen e vet. Tani dalin në dritë disa sondazhe që krijojnë një tjetër profil të ish-liderit të PD, Basha. Një sondazh i besueshëm dhe i bërë publik para dy ditësh në një emision me audiencë të lartë, tregon se rreth 37 përqind e të anketuarve, besojnë tek rikthimi i Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Ky është një top-lajm që do të thotë se pavarësisht rrebeshit të Sali Berishës kundër Bashës, pavarësisht “vjelljeve” të Foltores e pavarësisht hamendësimeve të shumta apriori të kujtdo për ta denigruar, Lulzim Basha është ende një faktor politik i pa neutralizuar. Dhe për këtë, ka meritë vetë ai, edhe pse hesht. Madje edhe kjo heshtje duket qartë të ketë qenë një faktor i rëndësishëm në rritjen e pikëve të tij politike. Sepse Lulzim Basha mund të ketë bërë (dhe ka bërë) plot gabime politike, por kjo periudhë e heshtur pas dorëheqjes së tij nga politika, ka shërbyer për këdo, për të gjykuar ftohtë mbi profilin e tij politik e mbi gjithë periudhën e drejtimit të PD nga ai. Bashën e lehtëson fakti se në krye të demokratëve erdhi me “lejen” e bekimin e Sali Berishës. Edhe injoranti më i vobektë politik e kupton se pa lejen e Saliut, nuk ulej kush në poltronin që ai mbajti për dekada tashmë. Më tej, dihet se në vendimet më të rëndësishme, ka ndikuar dhe ato nuk janë marrë pa miratimin e “Shahut” të partisë. Po kështu, mbrojtja që Saliu i ka bërë Bashës në akuza serioze të kundërshtarit politik, është një tjetër tregues që shton pikët e Bashës në përballjen mes tyre.

Përfundimisht, ky sondazh tregon se Lulzim Basha është një figurë politike për tu konsideruar dhe ka ende avantazhe të admirueshme politike, krahasuar edhe me vetë Sali Berishën që i mori gati me dhunë atë që i dha po vetë me dëshirë, karrigen e kryetarit të PD. Në gjendjen që është sot e me rrjedhën e dukshme të zhvillimeve në partinë më të madhe të opozitës, demokratët dhe jo vetëm, duhet ta kenë të qartë se me Berishën “non grata” dhe në krye të saj, do ta presin në opozitë edhe mbarimin e moshës biologjike të tij.

Dorëheqja e Bashës u duk si një zgjidhje e lëshim që ai dhe përkrahësit e tij dhe jo vetëm ata, të krijonin terrenin e duhur që të dy, “baba dhe biri” politik të linin hapësirën e nevojshme për një tjetër kryetar partie në mënyrë që partia të mbetej e bashkuar. Nuk ndodhi kjo dhe pamjet e grupeve në marrjen me dhunë të selisë së PD treguan se sa i dobët ishte lidershipi i saj. PD ka kapacitete që do të mund të ribashkonin demokratët. Por që copat të bashkohen, (nuk flas për drutë), duhet trimëri, guxim e dëshirë.

Fundja, pas më shumë se 32 vjetësh nga rënia e komunizmit, PD meriton të mos ketë një ish-komunist në krye.

 

TRENDING

Exit mobile version