17/06/2021 , 3:58

Sot Dita e Europës, Rama uron me video! Meta: Do ishin në BE nëse politika s’do kishte krijuar pengesa artificiale! Ruçi: Asimetria e demokracisë mes BE dhe rajonit po ngushtohet

9 maji shënon Ditën e Europës e vendosur nga Bashkimi Europian në përkujtim të Deklaratës Schumanit. Dita e Evropës është data kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE. Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.  Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.

Dita e Europës është përshëndetur nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili shkruan se së shpejti, kufijtë e Europës politike afrohen me ata të Europës kulturore.

“9 Maji i sivjetëm është e dyta Ditë e Europës pasi Shqipëria ka merituar vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave. Dita e Europës pason ditën e fitores mbi fashizmin, dhe çlirimin e Europës. Prandaj Dita e Europës është Dita e Lirisë dhe Europa vetë është shtëpia e Lirisë. Europa si projekt politik është një ndër projektet më frymëzues të njerëzimit. Por projekti europian shkon përtej kufijvë politikë; është një projekt human, moral, pajtues, qytetërues, perëndimor. Europianizimi, Perëndimizimi dhe Modernizimi përkojnë me njeri-tjetrin. Merita e qytetërimit europian dhe perëndimor është se nuk përjashton, por ndërton ura bashkëpunimi me qytetërimet e tjera të kohës sonë. Sot, në Ditën e Europës, ne, shqiptarët, kemi shumë arsye të gëzojmë. Jo vetëm për rrënjët tona europiane, por edhe për aspiratat tona europaiste. Me kontributin, sakrificat dhe arritjet tona dhe të popujve të tjerë të Ballkanit Perëndimor ne po zgjerojmë projektin europian dhe po afrojmë kufijtë politikë të Europës në kufijtë kulturorë të saj. Nuk do të jetë e largët dita kur kufijtë e Europës politike dhe Europës kulturore do të jenë një dhe do të afrohen me kufijtë natyrorë të saj.

Është merita edhe e popujve tanë që Ballkani Perëndimor ka filluar të perceptohet si një vlerë e shtuar e Bashkimit Europian. Asimetria e shkallës së demokracisë midis Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor po ngushtohet ndjeshëm. Jam krenar që integrimi europian është fari që ndriçon Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarët dhe që vendimi konsensual i Këshillit Europian për çeljen e negociatave u arrit gjatë shërbimit tim si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan Ruçi.

Dita e Europës, Klajda Gjoshaj: Kemi 7 vite që presim për çeljen e negociatave dhe askush nuk di të thotë sot se cila është e ardhmja! Koha e një reflektimi nga politika

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjoshaj, ka reaguar në Ditën e Europës, ku thotë se vendi ka 7 vite që pret çeljen e negociatave, por ende askush nuk di të thotë se cila është e ardhmja. Ajo i bën thirrje politikës për reflektim për të marrë më shumë përgjegjësi, “e jo për të mashtruar vetveten!”.

“Sot 9 Maji, dita e Evropës! A është edhe Shqipëria gati? Fjalët në këtë proces i merr gjithmonë era, rezultatet janë ato që mbeten! Rezultati i deri tanishëm, kemi 7 vite që presim për çeljen e negociatave dhe askush nuk di të thotë sot se cila është e ardhmja. Shqipërisë i ka munguar gjithmonë maturia politika dhe sado që ne jemi mësuar të festojmë në këtë ditë, ndoshta ka ardhur koha e një reflektimi nga politika për të marrë më shumë përgjegjësi, e jo për të mashtruar vetveten!”, shkruan Gjoshaj

Dita e Europës, Meta: Do ishin në BE nëse politika nuk do kishte krijuar pengesa artificiale në gjithë këto vite tranzicioni

Presidenti Ilir Meta në urimin e bërë për Ditën e Europës, është shprehur se për faj të përfaqësuesve të partive politike, vendi ndodhet edhe në regjim hibrid duke krijuar pengesa artificiale për integrimin në BE. Sipas Metës në këto vite tranzicioni vendi ka patur mundësi për t’u bërë si gjithë Europa, por kjo do të ndodhë kur përfaqësuesit e partive politike të mendojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë dhe të garantojnë shanse të barabarta për një të ardhme në Shqipëri.

“Vokacioni dhe identiteti europian i popullit shqiptar është përcaktuar nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Shekuj më vonë, Shqipëria u bë viktima e parë e nazifashizmit në Europë, por u rreshtua në anën e duhur të historisë, për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, duke filluar nga vetja dhe vijuar me çlirimin e popujve të tjerë, në mënyrë që të vinte 9 maji i 1945.

E izoluar dhe e harruar për dekada nën regjimin më të egër diktatorial të kontinentit, Shqipëria e përqafoi fuqimisht mesazhin e 9 Majit me përmbysjen e atij regjimi shtypës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për t’ju përkushtuar në emër të tyre dhe të dinjitetit njerëzor, të paqes dhe progresit shoqëror, të vetmit objektiv dhe projekti gjithëpërfshirës për të cilin vendi ynë dhe i gjithë rajoni ka nevojë, anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në të gjithë këto vite tranzicioni kemi patur mundësi të jashtëzakonshme jo vetëm për ta realizuar aspiratën e Studentëve të Dhjetorit ’90 “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”, por për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa.

Kjo do të ndodhë kur të gjithë përfaqësuesit e partive politike të mendojnë dhe të veprojnë për t’i dhënë forcë zërit të rinisë, duke iu garantuar mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në Atdheun e tyre, për të ndalur njëherë e përgjithmonë atë që me të drejtë Papa Françesku e ka cilësuar si “dimri demografik”, dramën më të madhe të vendit.

Është koha të ndihmojmë qytetarët tanë dhe Shqipërinë të çlirohet nga çdo formë e regjimeve hibride, për të ecur më shpejt, pa pengesa artificiale, drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. GËZUAR DITËN E EUROPËS!”, shkruan Meta

Xhaçka uron Ditën e Europës: Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të mundësuar integrimin në BE

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar Ditën e Europës, duke shprehur besimin se e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit do të jetë në Europë dhe se nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari. Me një videomesazh, Xhaçka shprehet se rrugëtimi i BE në këto 7 dekada, nuk ka qenë një fushë me lule dhe se projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Xhaçka shprehet se Shqipëria ka të gjithë vullnetin politik për të punuar për integrimin në BE.

“71 vjet më parë, Robert Schuman, prezantoi deklaratën e tij historike, ku propozohej krijimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Ishte një hap i guximshëm dhe largpamës, të cilin Schuman dhe vizionarët e atij që sot e njohim si “Bashkimi Evropian”, e ndërmorën për të hedhur themelet e një bashkëpunimi politik dhe ekonomik, të bazuar mbi mirëkuptimin dhe solidaritetin, dëshirën dhe paqen afat-gjatë për të rindërtuar së bashku Evropën e dërrmuar nga lufta, në mënyrë që Kontinenti të mos njihte më kurrë, si më parë, konflikte të përgjakshme.

Sot, ajo ëndërr dhe ai vizion vazhdon edhe më aktuale se kurrë më parë. Historia jonë e përbashkët na mëson se paqja dhe mirëqenia dhe mënyra e të jetuarit sipas standardeve më të larta dhe vetë demokracia që i prodhon ato, nuk mund të merren të mirëqena. Deviza e kohës sonë, edhe në këtë pjesë me zemër të re të kontinentit të vjetër, Shqipërisë, mbetet vizioni i baballarëve të Unionit, i mbështetur në solidaritet dhe veprim të përbashkët, për ta çuar përpara këtë projekt politik, duke përfshirë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, me një perspektivë të qartë në BE, duke e bërë kështu triumfues projektin në të gjithë kontinentin.

Sot, ne jemi më afër se kurrë objektivit tonë strategjik të anëtarësimit përmes procesit të hapjes së negociatave. Shqipëria dhe qeveria jonë ka arritur që përmes përpjekjeve titanike, të përmbushjen të gjitha prioritetet dhe kërkesave specifike, ku më madhorja është ajo e reformimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Këto janë realizuar falë edhe konsensusit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

Koha ka dëshmuar se rrugëtimi i BE në këto shtatë dekada, nuk ka qenë një fushë me lule. Projekti politik i Unionit është endur mes skepticizmit dhe europeizmit. Për këtë, sot, në të gjitha strukturat institucionale evropiane është hedhur në tryezën e debatit dhe diskutimeve tema mbi të ardhmen e Evropës, e cila synon të shtjellojë të gjithë problematikën dhe modernizimin e Unionit.

Ne jemi besimplotë se edhe vetë e ardhmja evropiane e Shqipërisë dhe e rajonit nuk do të kompromentohen në asnjë lloj skenari. Ne kemi të gjithë vullnetin politik për të punuar për këtë objektiv dhe realizimi i tij do të vijë natyrshëm si përmbushje e amanetit të paraardhësve tanë dhe detyrim ndaj brezave të rinj.

Stafeta jonë është në duar të sigurta, dhe këtu kam parasysh asetin tonë më të vyer kombëtar, gjeneratën e të rinjve dhe të rejave që do ta lartësojnë edhe më tej emrin, rolin dhe kontributin e Shqipërisë në familjen evropiane.

Gëzuar Ditën e Europës!”, tha Xhaçka.

Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Europës me një video ku tregohet se si BE funksionin si një organizatë bashkëpunuese mes vendesh dhe mbështetëse për njëri-tjetrin.

https://videosh.duckdns.org/YouPHPTube/video/502/kryeministri-rama-uron-diten-e-europes-me-nje-video?channelName=Shqiptarja1

 

Related Posts

Kategorite

BIoscalin