Politike

Sot seanca për heqjen e imunitetit të Berishës

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një nga seancat më të rëndësishme plenare, ku pritet të japë autorizimin për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori në shqyrtim padinë e deputetëve të Rithemelimit, tashmë Kuvendi e ka rrugën e hapur për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës dhe për ta çuar atë drejt prangave. Më pas do të jetë Prokuroria e Posaçme që do të vendosë se çfarë mase shtrënguese do të kërkohet për Berishën, ‘arrest në shtëpi’ apo ‘arrest në burg’, i cili është nën hetim për aferën ‘Partizani’. Nuk priten shumë surpriza, pasi socialistët do të votojnë pro kërkesës së SPAK. Po ashtu edhe Partia Demokratike ka deklaruar hapur votën pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Berishës, ndërsa Enkelejd Alibeaj ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.  Ndonëse PS dhe Enkelejd Alibeaj i dorëzuan të ndarë në Kuvend raportet që do të votohen sot, kërkesa e tyre është e njëjtë, që parlamenti t’i hapë rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij. Me interes pritet votat e deputetëve të grupit Bardhi, që në fakt kishin firmosur edhe padinë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Bardhi dhe të tijtë nuk morën pjesë në protestën e parë të Berishës para Kuvendit, por kanë bashkuar aksionin brenda seancave plenare duke ndezur tymëse e krijuar kaos.

TRENDING

Exit mobile version