Kosova

Spanja njeh Kosovën/ Testohet ujërat dhe hapen kanalet diplomatike

Alejandro Esteso Perez, njohës i zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në një artikull të fundit kushtuar vendimit të Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza edhe në këtë shtet, shkruan mbi trajektoren potenciale të raporteve midis Spanjës dhe Kosovës pas njohjes së pasaportave.

Në radhë të parë, shkruan studiuesi spanjoll, skenari numër një përfshin mundësinë që Spanja do të vazhdojë të ndjekë qasje të paangazhuar dhe antagoniste ndaj Kosovës pavarësisht njohjes së pasaportës. Perez konsideron se vendimi për njohjen e pasaportës kosovare u mor nga Qeveria e Spanjës për arsye teknike, operacionale dhe diplomatike.

“Në fund të fundit, qeveria spanjolle përllogariti se mosnjohja e pasaportave nuk do të sjellë ndonjë përfitim të veçantë”, vlerëson Perez, duke shtuar se refuzimi i Spanjës për t’i njohur pasaportat e Kosovës mund të dëmtonte më tej besueshmërinë dhe konstruktivitetin e autoriteteve spanjolle përballë dialogut Kosovë-Serbi dhe drejt lirisë së lëvizjes në përgjithësi.

Perez në skenarin e dytë parasheh që Spanja do të dëshirojë të ndërtojë marrëdhenie dhe të përcjellë shenja të mëtejshme të afrimit me Kosovën. Megjithatë, kjo hipotezë bazohet në të njëjtin arsyetim sikurse skenari i parë, domethënë se tarifa teknike dhe operacionale për Spanjën e mosnjohjes së pasaportave do të kishte qenë më e kushtueshme, dhe sigurisht e gabuar.

“Ky skenar, megjithatë, konsideron se vendimi u përdor në mënyrë strategjike si një subjekt eksperimental për të testuar ujërat në të gjithë opinionin e brendshëm politik dhe publik spanjoll në përgatitje për hapa të mëtejshëm të mundshëm, ndoshta përmes hapjes së kanaleve diplomatike (joformale) dypalëshe” – ka shkruar ndër të tjera studiuesi spanjoll.

Skenari i tretë, por aktualisht i pamundur, përfshin mundësinë që Spanja te deklarojë zyrtarisht njohjen e plotë dhe të pakushtëzuar të Kosovës.

“Shanset janë të ulëta që kjo mund të ndodhë qoftë në afat të shkurtër apo afatgjatë, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike të Madridit për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh argumentin e tij të përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes”.

 

TRENDING

Exit mobile version