Kosova

Spanja njohu pasaportën e Kosovës, diplomati serb: Ja çfarë po ngushtohet…

Srecko Gjukiç, ish-ambasador i Serbisë në Bjellorusi, në një prononcim për gazetën serbe “Danas”, vlerësoi se vendimi i Spanjës për njohjen e vlefshmërisë së pasaportës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e lirë të kosovarëve pa viza edhe në këtë shtet, mund të jetë një hap në drejtim të ngrohjes së marrëdhënieve midis Madridit dhe Prishtinës.

Gjukiç, teksa komentoi vendimin e fundit të Spanjës, konsideroi se ky akt nuk nënkupton kthesë në politikën e jashtme spanjolle apo lëvizje drejt njohjes së pavarësisë Kosovës, por duhet të pranohet se po ngushtohet hapësira e shteteve mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian. Ai shtoi gjithashtu se shumica e shteteve kanë marrëdhënie paradiplomatike me Kosovën.

“Nëse nuk deklarojmë se hapësira e mosnjohësve të Kosovës brenda BE-së po ngushtohet, atëherë nuk do të ishim objektivë dhe do të mbyllnim sytë para së vërtetës” –  theksoi diplomati serb, teksa shtoi se “ajo që lihet jashtë vëmendjes së publikut serb është se të gjitha vendet që nuk e njohin Kosovën kanë marrëdhënie paradiplomatike, përfshirë Serbinë”.

Të shtunën e kaluar u konfirmua se Spanja njohu pasaportën e Kosovës, duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve edhe në këtë shtet, sikurse në vendet e tjera të zonës Schengen nga 1 janari 2024. Gjithashtu, katër vendet e tjera të BE-së (Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia), ndonëse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pranojnë vlefshmërinë e pasaportës kosovare.

TRENDING

Exit mobile version